Zgjedhjet, Rama: Na kanë tradhtuar njerëzit tanë

0
129

Gëzim Saliu

Takimi në Lezhë, kreu i PS-së: Nuk do të ketë më komisionerë të cilët do të mbyllin sytë

“Zgjedhjet e 2013-ës, me të njëjtën rëndësi si ato të vitit 1992”

“Prej komisionerëve tanë të korruptuar dhe të shitur ka përfituar mazhoranca qeverisëse”. Kështu ka deklaruar dje kreu socialist Edi Rama në një takim në qytetin e Lezhës, duke rikthyer edhe një herë akuzat e bëra në post-zgjedhjet e 2009-ës, sipas së cilave, ishin komisionerët socialistë që me “tradhtinë” e tyre i dhanë fitoren së djathtës në disa qytete e komuna. “Të gjithë e keni parë Saliun kur vajton për komisionerët socialistë, duke thënë që “si ka mundësi që vetë kryetari i PS-së dhe vetë deputetët e Partisë Socialiste hedhin hije dyshimi mbi komisionerët socialistë, unë i dua ata, i respektoj ata, ata bënë një punë të shkëlqyer”. Në fakt, e vërteta është se pa atë pjesë të komisionerëve të majtë që korruptohen, Saliu nuk do të kishte qëndruar një ditë në karrigen e Kryeministrit”, – deklaroi Rama.

 

Forumi i zgjedhjeve

Sipas kreut të Partisë Socialiste, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të lejohet asnjë tentativë për manipulim të procesit. Në nismën e cilësuar si “Forumi i zgjedhjeve”, e cila hapi siparin e saj në qytetin e Lezhës, Rama pohoi se PS nuk do të lejojë më asnjë komisioner që mbyll sytë apo që bëhet pjesë e shkatërrimit të zgjedhjeve. “Jam i bindur që ne sot kemi të gjitha plagët e nevojshme në trup për të mos neglizhuar asnjë detaj të betejës dhe për ta bërë copë-copë makinerinë e manipulimit të Saliut. Në asnjë qendër votimi nuk do të ketë më komisionerë të cilët do të mbyllin sytë apo do të marrin pjesë në krimin që çoi në burg ata që e bënë këtë krim në Dajç”, – tha ai. Kryesocialisti e cilësoi çështjen e zgjedhjeve si kryetemën e PS-së, duke nënvizuar njëkohësisht se në këto zgjedhje është i domosdoshëm bashkëpunimi me qytetarët. “Ka shumë njerëz që na drejtohen ne, më drejtohen mua personalisht dhe thonë ‘si do ta mbrosh votën ti?’ Në fakt, kjo tregon se shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë që kjo nuk është beteja mes dy skuadrash që luajnë futboll, si do ta bëjnë golin ata, si do ta mbrojmë votën ne. Kjo është beteja e secilit, sepse kur një parti vjedh zgjedhjet dhe merr pushtetin me vota të zgjedhura nuk të llogarit më”, – u shpreh lideri i selisë rozë. Ndërkohë, koordinatori i koalicionit opozitar, Preç Zogaj, theksoi se nuk mjafton vetëm Kodi i ri Zgjedhor për të garantuar zgjedhje me standarde dhe të lira, pasi sipas tij, një rëndësi të veçantë merr angazhimi personal i çdo opozitari. “Çështja e zgjedhjeve nuk zgjidhet pa publikun, nuk zgjidhet pa popullin, nuk zgjidhet pa ju. Evropa na jep standardet, por nuk na jep dot zgjedhjet, zgjedhjet janë tonat. Janë bërë shumë përpjekje, janë marrë masa të reja edhe në reformën e fundit për të mbyllur shtigjet e manipulimeve dhe për të garantuar zgjedhjet e ardhshme, kjo është shumë mirë, por e përsëris se kjo punë nuk zgjidhet vetëm nga lart. Zgjidhja e sigurt vjen nga poshtë vjen nga një kulturë e re e mospajtimit popullore me prekjen e zgjedhjeve”, – deklaroi Zogaj. Ndërsa sekretari i PS-së për çështjet e zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka shpjeguar në këtë takim ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor dhe garancitë që jep ky kod, për sigurimin e zgjedhjeve. “Në reformën zgjedhore, që u realizua kemi më shumë garanci se ç’kemi pasur me ligjin e mëparshëm. Duke filluar që nga listat e zgjedhësve, me mundësinë që kemi për t’i kontrolluar dhe për t’i përgatitur në kohë, ashtu edhe në verifikimin e kartave në Tiranë, pasi ju e dini që Tirana ka qenë një platformë e vërtetë abuzimi edhe për faktin e lëvizjes së popullsisë në Shqipëri. Ashtu sikurse edhe me rastet e ngjashme me të Dajçit, për mundësinë që do të ketë KQZ, të shkruar qartazi në ligj, që sa herë të ketë shënime të tilla apo pretendime, ato të hapen dhe materialet të hetohen nga KQZ-ja, në mënyrë që ta nxjerrin të vërtetën në shesh përpara syve të popullit”, – u shpreh deputeti socialist Damian Gjiknuri. Forumi i Partisë Socialiste “Në Evropë përmes zgjedhjeve të lira”, ku në qendër të diskutimit u vendosën problematikat e zgjedhjeve të kaluara dhe aspiratat për të ardhmen, pritet të vazhdojë në të gjitha qytetet e vendit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency