Trami në Tiranë BE dhe Franca, 1250 mijë euro për studimin e linjave

0
146

Pas bulevardit të ri, lumit të Tiranës, terminalit modal, edhe projekti strategjik i tramit nis të kthehet në realitet. BE dhe qeveria franceze do të mbështesin studimet për linjat e tramit në qytetin e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka bërë të ditur dje se 1250 mijë euro janë fondet e akorduara për studimin e linjave të tramit, duke i dhënë jetë në këtë mënyrë, realizimit edhe të projektit të tretë strategjik, të premtuar nga zoti Basha gjatë fushatës elektorale. “Sot (dje), dy nga qytetet më të rëndësishme kanë dhënë aprovimin për dy projekte shumë të rëndësishme për qytetin. Qeveria franceze ka miratuar 500 mije euro të tjera, për studimin e linjave të tramit, nga Kombinati në Kinostudio dhe nga Tirana e Re tek stacioni i ri i trenit nëpërmjet bulevardit, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka miratuar 750 mijë euro studim për linjën e tramit që do të shkojë rreth e qark unazës së qytetit. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sjelljen e tramit në Tiranë, por bëhet fjalë për një revolucion të madh në mënyrën se si lëvizim ne, qytetarët e Tiranës dhe ata që vijnë në qytetin tonë në mënyrë të përditshme, bëhet fjalë për një zhvendosje psikologjike nga autobusi qe marrin ata që nuk kanë makinë, apo që nuk kanë lekë për benzinë apo për naftë tek transporti publik i Tiranës, si mjeti i preferuar i lëvizjes në kryeqytet, pavarësisht nëse kemi apo jo automjet privat, jemi biznesmenë mjek, avokat, e cila do të çojë në një ulje drastike të përdorimit të automjeteve private në qytet, ajër më të pastër, lëvizje më të shpejtë dhe më të pakushtueshme për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë ata që gjenden në qytetin tonë”, – u shpreh z. Basha. 16 muaj pas nisjes së punës së administratës së re të Bashkisë, drejtuar nga Lulzim Basha ka përfunduar tërësisht projekti i detajuar i bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës nga studio arkitekturore “Grimshaw”, duke i hapur kështu rrugën fazave të tjera të implementimit të këtij projekti i cili i jep një dimension të ri zhvillimit ekonomik dhe nxit punësimin në qytetin e Tiranës. Një tjetër projekt strategjik, ai i terminalit multimodal të pasagjerëve është në fazën e përgatitjes së termave të referencës për ndërtimin me koncesion.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency