Rritja e çmimeve për festat e fundvitit, nisin sot kontrollet në tregje

0
110

Blerta Mrishaj

Bashkia e Tiranës nis monitorimin e tregjeve për të parandaluar rritjen abuzive të çmimeve. Vasili: Në rast abuzimi, gati ngritja e tregjeve alternative

Teksa pak ditë na ndajnë nga festat e fundvitit, është bërë zakon që të rriten çmimet e produkteve ushqimore. Sot inspektorët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Policia Bashkiake nisin kontrollet në terren, nëpër tregje, për të parandaluar rritjen abuzimeve të çmimeve të ushqimeve me shumicë dhe pakicë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Petrit Vasili, dhe drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit kanë bërë publike masat që do ndërmarrë Bashkia e Tiranës në këtë fund viti: “Kjo veprimtari do të shoqërohet me monitorimin e vazhdueshëm, sistematik, nga nesër e tutje, i tregjeve kryesore, siç është ai tek Qyteti i Nxënësve, tregut ushqimor dhe fruta-perimeve tek ish-uzina “Dinamo”, tregu tek Pazari i Ri, siç e njohim, lidhur jo vetëm me kontrollin e çmimeve por edhe me vendosjen e etiketës, me të gjithë elementët e saj dhe që kanë të bëjnë me origjinën e mallit, cilësinë etj, por në radhë të parë, një etiketë e cila ka brenda elementët e çmimit”, – theksoi z. Vasili.

Abuzimi

Ashtu si një vit më parë, Bashkia e Tiranës ka gati edhe projektin e ngritjes së një apo më shumë tregjeve në zonat kryesore të Tiranës, në rast se do të vihen re abuzime me çmimet. “Bashkia e Tiranës është e përgatitur dhe ka marrë të gjithë masat, që këtë vit, ashtu sikundër një vit më parë, ajo të ngrejë në një kohë shumë të shpejtë, në mënyrë të menjëhershme, në rast se do të konstatohet problematika e abuzimit dhe spekulimit me çmimet, edhe të një tregu provizor për artikujt ushqimorë dhe fruta-perimet, në mënyrë që festat të jenë sa më të gëzueshme për qytetarët e Tiranës dhe të mos përballen me abuzivitete të panevojshme të cilat rëndojnë buxhetet familjare e ku në këtë pikë, Bashkia e Tiranës vazhdon të jetë shumë e ndjeshme”. Në grupet e punës gjatë këtij viti, theksoi nënkryetari i Bashkisë Petrit Vasili, do të jenë edhe përfaqësues të njësive bashkiake, të cilët kanë në varësi tregjet: “Një element i ri i cili futet këtë vit, në raport me ndërtimin e grupeve të punës, është se do të ketë në përbërje edhe specialistë përkatës nga minibashkitë, në territorin e të cilave ndodhet tregu, duke siguruar në këtë mënyrë, që të gjithë elementët e kontrollit, AMK, Policia Bashkiake, Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore e njëkohësisht minibashkia, të plotësojnë të gjithë aktorët në proces, që kanë të bëjnë me një kontroll të plotë të kësaj situate”.

Kontrolli

Ndërkohë, mësohet se periudha e kohëzgjatjes do të jetë deri në 31 dhjetor dhe pas 31 dhjetorit do të vazhdojnë kontrollet, ashtu sikurse vitin e kaluar u bë një ndërhyrje pilote, në tregun e stadiumit “Dinamo” për konsolidimin e praktikës së vendosjes së etiketave. Do të vazhdojë përsëri, por me një ritëm tjetër, ndërkohë që ritmi i punëve deri në 31 dhjetor do të jetë me intensitet maksimal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency