Nuk luajmë për njerëz të pagdhendur!

0
147

Enkeleda Peti

Ngjarja “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, me autor Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt, shfaqet sot në Teatrin Kombëtar të Tiranës në orën 19:00. Një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli – lindjen e shtetit të Kosovës. Kjo është një komedi për Kosovën e re, që e lodhur dhe e rrënuar nga varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes. Një komedi e cila sjell Kosovën që administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, dhe po bëhet gati për shpalljen e Pavarësisë. Sekretari i Ministrisë së Sportit kërkon nga Trupa e Teatrit Kombëtar që të japë një shfaqje në ditën historike të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës.

Kur do të shpallet Pavarësia? Trupa e teatrit nuk e di. Ditë historike që nuk dihen se kur do të jenë, fjalim i pashkruar i kryeministrit që thuhet se do të jepet gjatë shfaqjes krijojnë gati një “absurd” artistik që sjell kjo komedi. Për festën e pavarësisë janë ndarë 2 milion euro, është një situatë në këtë komedi e cila thumbon kështu edhe institucionet e Kosovës. Komedia do të jepet në 3 shtete në datën 7 Nëntor në Shqipëri, në datë 9 Nëntor në Shkup dhe në datën 11 Nëntor në Beograd. Aktorët që do të luajnë në këtë komedi janë: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri, Ernest Malazogu. Në këtë komedi do të jenë dhe dy muzicienë italianë Susanna Tognella (Violinë) dhe Gabriele Marangoni (Harmonikë) që do të performojnë live në skenë. Dramaturg dhe Bashkëpunëtor artistik Ilir Gjocaj, koreografia është bërë nga Arthur Kuggeleyn, ndërsa skenografia & kostumet nga Susanne Maier-Staufen. Kjo shfaqje muajin e kaluar ka pasur një incident që stafi e kanë parë si të qëllimshëm, për ta penguar shfaqjen e tij në Kosovë. Ndërsa dje, trupa e aktorëve dolën para mediave në Tiranë dhe për “standard” skenaristi Jeton Neziraj na jep një këndvështrim personal se si kjo shfaqje do qarkullojë në tre kryeqytete.

 

Një teatër brenda teatrit si mendoni se do të pritet?

Unë besoj që publiku do të ketë reagime të mira, natyrisht nuk mund të paragjykoj, por qëllimi është që publikut ti ofrohet një perspektivë tjetër, në këtë rast komike, e ngjarjeve që ne i kemi përcjellë, ose perceptuar në mënyrë të ndryshme përmes mediumeve të ndryshme, në mënyrë më euforike që janë përcjellë në kohën kur Kosova ka shpallur Pavarësinë.

 

Pse u pa e nevojshme të bënit një teatër mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës?

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, lindja e shtetit të ri, përbën një prej ngjarjeve globale më të rëndësishme të kësaj periudhe 20-vjeçare, sepse ishte një proces i gjatë historik. E dimë që ka pasur një ndërhyrje ushtarake të forcave të NATO-s, ka pasur një luftë, ka pasur një lloj dhune e cila është përcjellë me viktima e kështu me radhë, pra një një histori komplekse e cila unë besoj, për mu së paku ka qenë atraktive me u përcjell në teatër dhe me u rishkru, por jo në atë perspektivën që ne e kemi pa më herët qoftë prej historisë, qoftë prej mediave, pra në mënyrë më komike, gati-gati si në ata filmat që i shohim kohë pas kohe, të cilët në fund shfaqin ata momentet komike sesi janë realizuar skenat. Pra, është një perspektivë pak e deformuar realitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Në komedi duhej mbajtur e fshehur data e pavarësisë së Kosovës, pse?

Sepse kështu ka ndodhur edhe në realitet, në fakt realiteti ka qenë edhe gati-gati më komik se sa unë kam mbërri ndoshta me e trajtu, aty ka pas një trupë Artistike, “Filarmonia Kosovës”, e cila ka fillu pregatitjet për një Koncert solemn, edhe ata deri në momentet e fundit nuk kanë pasur ide se kur do të shpallet pavarësia, por ka ndodhur që një ditë më përpara dikush i ka lajmëru dhe ju ka thënë “Gaati nesër, erdhën”, dhe ata janë detyru me mbledh trupën prej rreth 40 instrumentistëve e nga këta të cilët kanë performuar.

 

Edhe flamuri është shpallur në momentet e fundit apo jo?

Ekzakt edhe flamuri ka dalë në momentin e fundit, sepse e dini, ka pas, ju thashë është histori komplekse, si duket ata kanë pasur një lloj strategjie që disa prej detajeve të ceremonisë të mbesin sekret e njëra prej atyre detajeve ka qenë edhe data e Shpalljes se Pavarësisë, d.m.th. publiku realisht nuk e ka ditur deri një ditë më përpara. Ka pasur një farë perceptimi se mund të ndodhë këtë ditë apo atë ditë, por spekulimet kanë qenë, madje disa kanë thënë është shpallur e ne se kemi kuptuar, ose do të shpallet mbas një muaji apo mbas një viti, po ka ndodh kështu që ky realitet ka qenë inspirues për mua për me shkruar këtë komedi.

 

Sa kohë keni punuar me këtë komedi?

Pak më pak se një vit. Një pjesë kryesore, një pjesë të bukur e të mirë të komedisë e kam shkruar vjet në Paris, ku kam pasur një rezidencë atje, pas asaj periudhe kam punu në kohë të ndryshme të vitit e ashtu është përfunduar në shtator me aktorët në skenë.

 

Aktorët janë shqiptarë, ndërsa për skenografinë dhe muzikën keni preferuar të huaj, pse kjo zgjedhje?

Aktorët janë shqiptarë nga Kosova dhe nga Maqedonia, dy prej tyre janë nga Maqedonia Bajrush Mjaku dhe Adrian Aziri, ndërsa tre të tjerë janë nga Kosova. Kam zgjedhur aktorë shqiptarë për shkak se ka qenë më e lehtë se teksti në gjuhën shqipe dhe ka qenë më e kollajshme të kemi aktorë të cilët e flasin atë gjuhë. Për sa i përket muzikës e aspektet e tjera natyrisht këto janë diçka që s’ka nevojë të transmetohet diçka. Kemi dy artistë Italianë, të cilët krijojnë mrekulli në skenë, me të cilët është hera e tretë që bashkëpunoj, por dhe me koreografin holandezo-zviceran edhe me kostumografen gjermane, pra një ekip ndërkombëtar që i ka dhënë impulse artistike atraktive shfaqjes

 

Kjo shfaqje do të jepet në 4 shtete brenda javës: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Serbi. Si lindën këto bashkëpunime?

Me teatrin e Tiranës unë natyrisht njihem tash e disa vite me drejtuesit, për faktin se në një kohë kam qenë drejtor artistik në teatrin Kombëtar të Prishtinës dhe në këtë drejtim ka qenë e natyrshme kjo lidhje. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Beograd, ku do ta shfaqim në një qendër kulturorë që quhet “Qendra për dekontaminim kulturor”, pra është një seli e një grupi artistësh e intelektualësh serbë, të cilët janë vërtetë një opozitë e fuqishme antinacionaliste në Serbi. Në këtë drejtim ne kemi konsideruar të natyrshme e madje të domosdoshme që shfaqja pas prezantimit në Prishtinë të ketë edhe turne në regjion. E besojmë që ka më pas edhe pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar.

 

Duke qenë se është një shfaqje për pavarësinë e Kosovës, mendoni se do t’ju nxjerrin probleme në Serbi?

Ne jemi duke pritur për të udhëtuar në Beograd, pasi jemi lidhur me qendrën me Dekontaminin Kulturor, më të cilën bashkëpunojmë tash e një kohë të gjatë dhe nuk kemi telashe. Ata vërtetë janë të relaksuar edhe prej temave të ndjeshme politike, por nuk kanë problem se ne nxjerrim flamurin e Kosovës, nëse shfaqim një pjesë teatrore për Pavarësinë e Kosovës. Jo, nuk i kanë këto lloj problemesh. Probleme të kësaj natyre i ka audience e përgjithshme, ata njerëz të pagdhendur, të cilët natyrisht në Serbi i gjen me shumicë, siç i gjen në Kosovë, në Shqipëri. Por mendoj se publiku im do të jenë kryesisht artistë të rinj, të cilët janë të hapur për kësi lloj projektesh sfiduese, siç është në këtë rast shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

 

Ju thatë se është një sfidë dhënia e kësaj shfaqjeje në Serbi, si prisni që ta kaloni këtë sfidë?

Unë besoj që kemi me ia kalu mirë, për faktin se kjo është një komedi dhe nuk besoj se publiku atje mundet me qenë refuzues për tema të tilla, barriera të tjera që mund të jenë teknike por që nuk besoj se do të ketë problem. Jam shumë i lumtur që përpos Prishtinës, do të realizojmë edhe këtë turne në këto tre Kryeqendra të regjionit.

 

Si kanë ecur dramat e tua në Serbi?

Librat e mia janë përkthyer Në fakt nuk kam informacion se si kanë ecur dramat në Serbi, por di që njëra nga dramat e mia ka ecur mjaft mirë në Serbi, Kroaci, por nuk kam të dhëna të sakta. Në Serbi kam pasur disa premiera deri më tash disa shfaqje kam prezantuar atje, përfshirë edhe “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”.

 

Ju jeni autor i 15 dramave, çfarë ju ka mësuar eksperienca?

Unë shkrimin e dramës e kam profesion primar, e kam profesion që merrem tani e 12 vite, në një periudhë të gjatë në nivel veç lokal, më andej me kohën dramat e mia kanë filluar të përkthehen në skena të ndryshme e të vihen në Evropë e Amerikë dhe kjo më ka mundësu vërtet edhe mua si dramaturg me u reformu e me sjellë impulse të reja në dramaturgjinë që krijoj, pra unë besoj që është një fat që më është përcjellë, e mendoj se

 

Ku bashkohen dhe ku ndahen dramat shqiptare nga të huajat?

Tash, kjo është pyetje për një debat i cili vazhdon me vite të tana, në këto trevat tona. Këtu ekziston një tendencë për me glorifiku dramaturgjinë shqiptare. Dramaturgjia shqipe është më e mira në botë, dramaturgjia shqipe i ka arritur majat, kemi autorë të mrekullueshëm por e vërteta është se dramaturgjia shqipe është në një nivel gati-gati primitiv, d.m.th. është komplet e pareformume, e paemancipume aestetikisht, me pak përjashtime, të ndonjë autori tek-tuk në Shqipëri e Kosovë, niveli i përgjithshëm është për të ardhur keq. Po kultivohet një lloj dramaturgjie që është e tejkalume, dramaturgji e viteve, e skemave, e klisheve që në Evropë gati kërkujt. Kjo dramaturgji ndoshta vetëm atyre që e kanë krijuar.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency