Miratohet ligji për Inteligjencën e mbrojtjes, kufizohet në katër vjet mandati i kreut të SHIU-t

0
124

Florenc Drizari

Opozita kërkoi raportim nga kreu i agjencisë lidhur me armatimin e strukturave të shërbimit informativ

 

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi në tërësi projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër draftit. Gjatë shqyrtimit që iu bë dje projektligjit nen për nen, komisioni vendosi kufizimin e mandatit për kreun e SHIU-t nga pesë në katër vjet. Relatori i draftit, deputeti demokrat Fatos Hoxha, propozoi shkurtimin e mandatit në katër vjet, duke argumentuar që kjo iniciativë vjen si këshillë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. “Para dy vjetësh kam kërkuar t’i vihet mandat edhe kryetarit të SHISH-it, por edhe krahu im politik, edhe opozita e kundërshtuan duke e rrëzuar atë amendament. Sot unë jam që ky mandat, duke marrë parasysh edhe kriteret që na përcaktojnë partnerët tanë evropianë, nga pesë të bëhet katër”, – tha deputeti Hoxha. Propozimi i relatorit shkaktoi debate mes radhëve të socialistëve, të cilët kërkuan të dhëna më të hollësishme për ato vende që kanë këshilluar kufizimin e mandatit të kreut të AIM (SHIU-t). Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të opozitës dhe të propozimit të relatorit Hoxha, drejtori Juridik në Ministrinë e Mbrojtjesn Rezart Tërshanan u shpreh dakord për shkurtimin e mandatit. “Ne kemi gjykuar që vendosja e këtij mandati për drejtuesin e agjencisë do të konsolidonte punën e agjencisë me një vazhdimësi në proceset e inteligjencës dhe strukturat bazë. Nuk është qasja jonë por e shumë vendeve anëtare të NATO-s si Kroacia, Sllovenia etj. Ne kishim propozuar pesë, për arsye të kapjes së dy mandateve dhe vazhdimësisë së institucionit. Nga partnerët është gjykuar dhe sugjeruar që të behët katër, dhe ne jemi dakord që të bëhet katër”, – theksoi Tërshana.

Debati për armatimin

Gjatë diskutimit nen për nen të projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, qëndrime të kundërta mes mazhorancës dhe opozitës shkaktoi edhe neni 56 i draftit, nen i cili flet për pajisjet e armatimit personal të punonjësve të kësaj agjencie. Deputetët e opozitës kërkuan informacione të detajuara për llojin e armatimit të agjencisë, ndërkohë që ekspertët e ministrisë thanë se informacioni mbi këtë çështje është i klasifikuar. “Armatimi personal i këtij shërbimi ashtu siç dihet shumë mirë nga komisioni përcaktohet në tabelat e organizimit të pajisjeve të cilat janë konfidenciale”, – tha Rezart Tërshana, drejtor Juridik në Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërkaq, ky deklarim i ekspertit nxiti reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët hodhën akuza për blerje të armatimeve të rënda nga strukturat e SHIU-t. Sipas tyre, agjencia është pajisur me armatime të kalibrit të rëndë që nuk është objektin dhe detyrat e këtij shërbimi. Por nga ana e tij, kryetari i komisionit, Leonard Demi, në replikë me deputetët e opozitës sqaroi se shërbimi informativ ka si qëllim mbledhjen e informacionit, por duke qenë ushtarak njëkohësisht, ata kanë edhe armatime vetjake. Lidhur me këtë çështje, në pikë tre të nenit 56 të shkruhet se “punonjësi i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, sipas funksioneve të veçanta, të përcaktuara nga drejtori i Përgjithshëm i AIM-së, pajiset me armatim personal, të cilin e mban dhe e përdor në përputhje me legjislacionin në fuqi për përdorimin e armëve të zjarrit”. Por debatet nuk u mjaftuan me leximin e nenit dhe me shpjegimet e ekspertëve. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që për çështjet e armatimit të raportojnë në komision edhe kreu i SHIU-t. “Unë kërkoj që brenda këtij sesioni Kuvendor, sipas ligjit që ishte dhe sipas këtij që po flasim, agjencia përkatëse me termat e konfidencialitetit që kërkohet, të vijë dhe të raportojë në Komisionin e Sigurisë me shkrim duke përfshirë edhe këtë shqetësim që ne po e themi”, – tha deputeti socialist Gazmir Bizhga. Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes pritet të votohet tërësi edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency