Kryeprokurori i ri kalon testin e parë tek Ligjet, opozita abstenon

0
124

Florenc Drizari        

Gjatë prezantimit të platformës në Komisionit të Ligjeve, Llalla paralajmëroi ndëshkime për prokurorët e korruptuar

 

Dekreti i Presidentit të Republikës për emërimin e kryeprokurorit të ri kaloi testin e parë të votave në Komisionin e Ligjeve. Kandidatura e Adriatik Llallës mori votat e mazhorancës tek ligjet, ndërkohë që anëtarët e opozitës ashtu siç e kishin deklaruar edhe më parë, abstenuan kandidaturën e tij. Në emër të opozitës, deputeti Saimir Tahiri shpjegoi se vota abstenim nuk është për figurën e z. Llalla, por për procesin e emërimit, duke e quajtur antikushtetues iniciativën e marrë nga kreu i shtetit. Gjatë prezantimit të platformës, Adriatik Llalla shpjegoi disa nga prioritetet që do të ketë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, duke vënë theksin te ndëshkimi i shkelësve të ligjit, fillimisht brenda institucionit dhe më pas tek bashkëpunimi me organet e tjera për të luftuar kriminalitetin dhe korrupsionin. Pas prezantimit të platformës së tij, palët nuk patën kundërshtime dhe kandidatura u hodh në votim duke marrë 13 vota pro nga radhët e mazhorancës dhe 5 vota abstenim nga përfaqësuesit e opozitës.

Adriatik Llalla

Gjatë fjalës së mbajtur para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, kryeprokurori i ri theksoi si prioritet numër një eliminimin e shkelësve të ligjit brenda radhëve të prokurorisë. Sipas tij, brenda organit të akuzës ka disa raste ku prokurorët janë bërë palë me krimin dhe korrupsionin dhe këtë ata duhen ndëshkuar sipas ligjit. “Për të pasur sukses në luftën kundër krimit dhe korrupsionit prioritar është lufta ndaj fenomeneve antiligjore brenda institucionit të akuzës. Ky do të jetë hapi i parë dhe më i rëndësishëm që do të jap për forcimin e besimit të publikut në lidhje me aktivitetin e prokurorisë. Për një kohë të gjatë unë kam qenë pjesë e trupës së prokurorëve dhe jam në dijeni të rasteve dhe të situatave ku disa prokurorë në vend që të punojnë për të luftuar krimin dhe korrupsionin, bëhen palë me të duke luajtur më tepër rolin e avokatit se sa të prokurorit gjatë hetimit të çështjes. Por ju garantoj se këta janë pak, madje shumë pak dhe të njohur nga trupa e prokurorëve dhe qytetarëve, dhe pse është krijuar perceptimi se këta përbëjnë shumicën e trupës së prokurorëve”, – tha z. Llalla. Sipas tij, një mbështetje e vazhdueshme do t’u jepet prokurorëve të ndershëm në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Prioritet tjetër i kreut të akuzës është edhe rritja e imazhit pozitiv në opinionin publik dhe garantimi i pavarësisë institucionale të organit të akuzës jashtë çdo ndikimi politik. “Ne nuk do të presim që pavarësinë të na e japin ata, ndaj të cilëve ne duhet të jemi të pavarur dhe këtë pavarësi duhet ta fitojmë vetë me punën tonë. Nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse prokurori merr vendime dhe të bazuara në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi është i pavarur nga politika, është i lirë të marrë çdo vendim që i dikton ligji dhe bindja e tij e brendshme”, – theksoi Llalla.

Për sa i përket bashkëpunimit, z. Llalla foli për një bashkëpunim të ri me disa nga institucionet më të rëndësishme të kontrollit dhe të zbatimit të ligjit, duke mos lënë mënjanë shoqërisë civile, median dhe qytetarët. “Bashkëpunimi dhe transparenca janë dy mekanizma për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Bashkëpunimi fillon me qytetarët, median dhe natyrisht shtrihet tek organet e zbatimit të ligjit, policia e shtetit, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, SHISH, KLSH, tatimet, doganat, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive etj.”, – deklaroi Adriatik Llalla.

Qëndrimi i opozitës

Partia Socialiste, pas qëndrimit që mori pak ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar për dekretin e propozuar nga Presidenti i Republikës në lidhje me emrin e ri të kreut të akuzës, e pa të arsyeshme të shpjegonte edhe një herë qëndrimin e saj abstenues për kandidaturën e përzgjedhur. Një ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve deputeti socialist Saimir Tahiri tha se PS nuk abstenon figurën e z. Llalla, por procesin e ndërmarrë në këtë periudhë kohore nga kreu i shtetit. “Ne e konsiderojmë dekretin e Presidentit të Republikës antikushtetues, kjo dhe pa pasur objeksione lidhur me kandidaturën e zotit Llalla, ndaj për këtë shkak, pra pse procedurialisht dekreti i Presidentit është antikushtetues, pse nuk duhet të vinte në këtë kohë, por në kohën kur i takon ne abstenojmë në këtë votim”, – tha deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri. Ndërkaq, pas ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës, kreu i akuzës zgjidhjet edhe me shumicë të thjeshtë votash në Kuvend.

 

Relatori Dashnor Sula: Llalla t’i nënshtrohet votimit në Kuvend

Pas zhvillimit të seancës dëgjimor me kandidaturën e propozuar nga Presidenti i Republikës për kreun e ri të akuzës, relatori i dekretit, Dashnor Sula, njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Ligjeve, u shpreh se kandidatura plotëson kriteret e nevojshme sipas ligjeve në fuqi. “Duke qenë se kandidatura e z. Adriatik Llalla, dekretuar nga Presidenti i Republikës për prokuror të Përgjithshëm është një kandidaturë që garanton besueshmëri dhe jep garanci për publikun e gjerë për drejtimin e një organi akuze të pavarur, profesionale dhe të pakorruptuar, bazuar në dispozitat e rregullores së Kuvendit, në cilësinë e relatorit, i propozoj Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut miratimin e kësaj kandidature në komision dhe dërgimin në seancë plenare për t’iu nënshtruar votimit për dhënien e pëlqimit”, – tha Dashnor Sula.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency