Investimet e huaja, rritet interesi për projektet madhore

0
135

Blendi Hasani

Kompanitë ndërkombëtare shikojnë me perspektivë investimet dhe marrjen përsipër të koncesioneve

Kompania amerikane Bechtel, lider në fushën e inxhinierisë dhe infrastrukturës, kërkon t’i bashkohet konsorciumit të gazsjellësit Trans-Adriatik. Interesimin e kanë bërë të ditur përfaqësues të kompanisë gjatë takimit që kanë zhvilluar dje me kryeministrin Berisha. Drejtori i Përgjithshëm Steve Hawkins dhe presidenti i divizionit të Evropës, David Welch, u shprehën se projekti i gazsjellësit konsiderohet i rëndësishëm, si nga ana gjeopolitike, ashtu edhe nga ana teknike.

Standardet e larta teknologjike, si edhe përvoja që kërkohet për zbatimin e këtij projekti, janë kritere që përmbushen nga kompania amerikane, e cila ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e konsorciumit të gazsjellësit për pjesëmarrje në ndërtimin e tij. Për më tepër, kompania është kthyer sërish në vendin tonë pas ndërtimit të autostradës Tiranë – Prishtinë. Kryeministri Berisha i ka falënderuar zyrtarët për bashkëpunimin në ndërtimin e Autostradës së Kombit dhe ka garantuar mbështetje të plotë të investimeve të kompanisë në vendin tonë. Kompania Bechtel ka operuar në vendin tonë që nga viti 2006 deri në vitin 2010 për të ndërtuar Autostradën e Kombit.

Për realizimin e kësaj vepre, Bechtel krijoi një konsorcium me kompaninë turke Enka. Vetëm gjatë vitit 2010, konsorciumi realizoi punime me vlerë prej 535 milionë dollarë, duke përfunduar 60 kilometra të autostradës me katër korsi nga Rrësheni në Kalimash. Gjithashtu, konsorciumi ndërtoi edhe një tunel të autostradës prej 5.5 kilometra dhe 29 ura në zona të thella malore. Gjatë zbatimit të projektit, autostrada ishte kantieri më i madh në vend dhe 2/3 e të punësuarve ishin shqiptarë. Aktualisht, kompania amerikane po punon për vijimin e Rrugës së Kombit në Kosovë, ku vetëm pak ditë më parë u përurua përfundimi i një pjese të saj.

Rrjeti hekurudhor

Performanca aktuale e sistemit hekurudhor shqiptar lë mjaft për të dëshiruar, ndërkohë që nga viti në vit po trashëgon një situatë tejet të vështirë ekonomike. Por, edhe pse në këtë gjendje, ky sistem ka tërhequr vëmendjen e grupit austriak TECTON, i mirënjohur në projektim dhe ndërtim në fushën e infrastrukturës, kryesisht në hekurudha, rrugë, tunele.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Christian Myller, gjatë një takimi me Kryeministrin Sali Berisha shpjegoi arsyet, si dhe eksperiencat e suksesshme të kompanive austriake, që tërhoqën vëmendjen e këtij grupi për të përfshirë Shqipërinë në hartën e interesit për bashkëpunim dhe investim. Sipas tij, hekurudhat janë qendra e interesit të biznesit të tyre, që, konkretisht, materializohet në segmentet Durrës – Tiranë, përfshirë aeroportin dhe Porto Romanon, si dhe segmente të tjera të hekurudhës, për transport pasagjerësh apo mallrash.

Kryeministri theksoi se pas sistemit rrugor, janë hekurudhat që do të projektohen për zhvillim dhe në qendër të politikave zhvilluese të këtij sektori është lidhja e Shqipërisë me rajonin, Evropën e më tej dhe konkretisht, segmentet hekurudhore që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Bullgarinë, si dhe me Prishtinën. Gjithashtu, rikonstruksioni i rrjetit ekzistues, tha Kryeministri, është projekt i rëndësisë së veçantë që tërheq edhe më tepër vëmendjen, me zhvillimin e portit të Durrësit apo portit të Vlorës, si porte rajonalë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency