Holanda ndryshon qëndrim: Jemi pro marrjes së statusit nga Shqipëria

0

Gëzim Saliu

Loading...

Britania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, Lidington: Votoni në kohë tri ligjet


Holanda zyrtare ndryshon qëndrim lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë. Ndryshe nga sa ishte shprehur më parë ambasadori Martin De La Beij dhe vete qeveria holandeze, ku theksohej se Shqipëria nuk ka bërë progresin e duhur dhe se nuk duhet ta marrë statusin e kandidatit, ka qenë ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans, që në takimin e djeshëm me homologun shqiptar Edmond Panariti ka bërë të ditur mbështetjen e shtetit të tij për Shqipërinë. “Holanda mbështet fuqimisht integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE, pasi në këtë mënyrë mund të sigurohet një stabilitet i qëndrueshëm në rajon, ku me integrimin në BE të të gjithë rajonit, nocioni i kufijve gjeografikë nuk do të ketë më kuptim”, – u shpreh ministri i Jashtëm holandez.

 

Takimi

Në takimin e zhvilluar në kuadër të punimeve të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së, ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans, i ka bërë të ditur Panaritit domosdoshmërinë e plotësimit të të gjitha rekomandimeve të bëra nga Komisioni Evropian. Po ashtu, Timmermans shprehu mirëkuptimin për kërkesën e ministrit Panariti që Këshilli i Ministrave, në takimin që të mbahet gjatë këtij muaji, të vlerësojë arritjet dhe progresin e dukshëm të arritur nga Shqipëria në rrugën e integrimit evropian. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm shqiptar theksoi se dhënia e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian brenda këtij viti do të ishte një inkurajim për Shqipërinë për të vazhduar realizimin e reformave dhe për tu përgatitur për hapjen e negociatave për anëtarësim. “Gjithashtu, dhënia e statusit do të ishte një nxitje për forcimin e mëtejshëm të rolit të Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon”, – tha Panariti.

 

Britania

Ministri për Evropën i Britanisë së Madhe, David Lidington, pohoi se shteti i tij mbështet ambiciet e Shqipërisë për t’u integruar në BE, por theksoi njëkohësisht se miratimi në kohë i ligjeve të mbetura do të sillte një qëndrim pozitiv të BE-së për dhënien e statusit për Shqipërinë. Lidington përshëndeti progresin e shënuar nga Shqipëria në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat u evidentuan në raportin e fundit të progresit. Ai shtroi domosdoshmërinë për miratimin në një kohë të shpejtë të ligjeve të mbetura, “pasi në këtë mënyrë do të krijoheshin kushtet për një qëndrim pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE për dhënien e statusit të vendit kandidat”, – theksoi ai në takimin e zhvilluar me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti. Më tej, Lidington theksoi se Britania e Madhe do të ndjekë me vëmendje organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri vitin e ardhshëm, duke nënvizuar se këto zgjedhje duhet të respektojnë standardet më të mira demokratike. Po ashtu, në Dublin, Panariti u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics, ku ky i fundit pohoi se Letonia mbështet fuqimisht integrimin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE bazuar në meritat e secilit vend. Njëkohësisht ai vuri në dukje se vend i tij nuk mbështet vendosjen, nisur nga interesa të brendshme të disa vendeve anëtare, të kritereve shtesë për vendet e rajonit, të ndryshme nga ato që ka vendosur Komisioni Evropian.

 

 

 

Loading...