Zhgënjimet dhe gëzimet e Kategorisë Superiore

0
179

Pas 13 javësh, vetëm dy prej 14 skuadrave kanë nga një zero në kolonën e takimeve të tyre. Skënderbeu ka shifrën zero në kolonën e humbjeve, në 13 takime, duke regjistruar 10 fitore dhe 3 barazime, ndërkohë që edhe Tomori ka këtë shifër në kolonën e gabuar, atë të fitoreve.

Të dielën e kaluar u mbyll pjesa e parë e kampionatit shqiptar. Si gjithmonë, dhjetori është muaj bilancesh. Tani dalin në pah treguesit që do të ndihmojnë secilin që ndjek apo merret me këtë ligë për të qartësuar idetë.

 

Faktori “F”

Në këto 91 ndeshje që janë zhvilluar në 13 javë kampionat spikat faktori fushë. 44 ka qenë numri i fitoreve të arritura nga skuadrat që luanin brenda fushës së vet. 28 ndeshje janë mbyllur në barazim ose 31%, ndërkohë që ekipet udhëtuese kanë fituar 19 takime ose 21% të tyre. Skënderbeu i ka fituar të gjashta takimet e zhvilluara në Korçë, ndërkohë që të pathyer në shtëpi kanë dalë edhe Kukësi me Laçin. Luftëtari është ekipi më i dobët në ndeshjet e shtëpisë, pasi ka humbur katër nga gjashtë përballjet. Skënderbeu është ekipi i vetëm që nuk ka humbur asnjë ndeshje në transfertë, duke fituar katër nga shtatë takimet, ndërkohë që skuadra më e dështuar jashtë shtëpisë është Tomori, beratasit kanë humbur pesë nga gjashtë ndeshjet. Interesant është fakti se, Laçi është “i pari” i pjesëve të para të ndeshjeve. Nëse do të bëhej renditja vetëm për këtë tregues, Laçi do të dilte me 23 pikë, pra po aq sa Skënderbeu.

 

Zero

Pas 13 javësh, vetëm dy prej 14 skuadrave kanë nga një zero në kolonën e takimeve të tyre. Skënderbeu ka shifrën zero në kolonën e humbjeve, në 13 takime, duke regjistruar 10 fitore dhe 3 barazime (me Besën, Tomorin dhe Bylisin), ndërkohë që edhe Tomori ka këtë shifër në kolonën e gabuar, atë të fitoreve. Beratasit, në 13 ndeshje kanë arritur gjashtë barazime dhe shtatë humbje.

 

“Pokeri” i fundit

Ky sezon ka një skemë “vrasëse”, pasi nga kategoria do të dalin direkt katër skuadra dhe nuk do të ketë ndeshje shtesë “play-off”-i. Nëse kampionati do të mbyllej në këtë moment, atëherë Shkumbini, Luftëtari, Apolonia dhe Tomori, të cilët renditen përkatësisht në vendet 11, 12, 13 dhe 14 do të binin nga Kategoria Superiore. Tomori, i vendit të fundit, ka grumbulluar 6 pikë ose 27 pikë më pak se Skënderbeu i vendit të parë, për të njëjtin numër ndeshjesh. Me performancën që ka treguar deri tani skuadra beratase, rruga e saj drejt Kategorisë së Parë është e sigurt.

 

Sëmundja e përhershme

Gjashtë klube të kampionatit kryesor shqiptar janë pezulluar në afate të ndryshme, për të luajtur pa shikues apo edhe për të zhvilluar ndeshje në fushë asnjanëse. Tomori është ndëshkuar dy herë, fillimisht me katër ndeshje me vendimin e datës 29 gusht 2012, pra pas javës së parë Tomori-Tirana (0-1), por të zbutur deri në një ndeshje pas vendimit të Komisionit të Apelit, ndërkohë që me vendimin e datës 27 nëntor 2012, skuadra beratase u ndëshkua me tri ndeshje pa shikues (pas incidenteve në takimin Tomori-Shkumbini, java e 12-të). Në listën e ekipeve të ndëshkuara, për të zhvilluar ndeshje pa shikues janë dhe Vllaznia (1), Luftëtari (1), Skënderbeu (1), Kastrioti (1), dhe nga sezoni i kaluar, Kukësi (6). Besa e Kavajës ka marrë dhe ndëshkimin më të ashpër gjatë këtyre 12 javëve, pasi do t’i duhet të luajë gjashtë ndeshje në fushë asnjanëse.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency