Zbulohen klientët dhe kompanitë që iu grabitën eurot tek Intesa Sanpaolo

0
192

Elton Qyno

Kujtim Vata tërhoqi lekët nga llogaritë e tri kompanive dhe 15 klientëve të bankës. Tërheqja më e madhe, 900 euro

Zbulohet lista e klientëve dhe bizneseve që punonjësi i sigurisë së bankës Intesa Sanpaolo mundi t’u vjedhë shumën prej rreth 20 mijë euro, në plot 69 ndërhyrje në llogaritë e tyre. Janë plot 18 persona, të cilëve Kujtim Vata, punonjësi i sigurisë, u ka marrë në mënyrë të ripërsëritur shuma financiare që variojnë nga shifra të ndryshme si 200 euro deri në 900 euro. Hetimi i prokurorisë ka treguar se në të gjitha këto ndërhyrje, punonjësi i bankës ka përdorur taktikën e tij të veçantë, duke shfrytëzuar dhe njohjet me arkëtaret ai ndërhynte në sistem dhe tërhiqte lekët nga llogaritë e kompanive dhe biznesmenëve. Një gjë të tillë ai e bënte duke falsifikuar të dhënat dhe mandatet, pasi ishte vetë që firmoste për tërheqjen e lekëve, gjë e cila më pas në sytë e arkëtarëve duket se personi që kishte llogarinë ishte paraqitur në sportel për tërheqjen e lekëve. Gjatë kësaj kohe, Kujtim Vata, duke shfrytëzuar nga ndërrimi i arkëtareve ditëve të shtuna dhe sistemi i dobët i sigurimit të llogarive, ka mundur të marrë lekët edhe në tri kompani biznesi si Cara sh.p.k, të cilës i ka marrë 1400 euro, APG sh.p.k, që i ka marrë 400 euro si dhe Star Engineering, të cilave ka mundur t’u marrë shumën prej 300 euro. Kompania e fundit është e specializuar për shfrytëzimin dhe përpunimin e pasurive dhe burimeve natyrore. Kryerjen e studimeve të plota dhe hartimin e projekteve të zbatimit për objekte ndërtim civile, industriale, objekte të infrastrukturës rrugore, ura tunele, vepra arti, sinjalistikë. Objekte hidroteknike të infrastrukturës ujore, ujësjellës-kanalizime, impiante të kanalizimit të ujit etj.

Vjedhja e klientëve

Janë plot 18 klientë, përfshirë këtu edhe tri kompanitë e sipërcituara që u janë marrë lekët nga punonjësi i sigurisë fizike së bankës Intesa Sanpaolo”, Kujtim Vata. Kështu sipas prokurorisë, shtetasit Erion Nikolli i është marrë shuma prej 750 euro, shtetasit Albert Arapi i është marrë shumë 150 euro në fillim dhe më pas në mënyrë të përsëritur disa herë atij i janë tërhequr nga llogari shumë të ndryshme që varionin nga 200 deri në 400 euro. Po të njëjtin fat ka pasur dhe bashkëshortët Haki Alizoti dhe Fatbardha Alizoti, të cilëve punonjësi i bankës u ka marrë shumën prej 450 euro. Më tej, Kujtim Vata ka vijuar duke firmosur tërheqjen e parave, tek llogaritë e shtetasve Kleton Musha, Ilir Shabani, Hekuran Torba si dhe shumë klientë të tjerë të kësaj banke. Shuma më e madhe e parave të tërhequra nga Kujtim Vata, është ajo ndaj llogarive bankare të klientes Ballkyz Buzhani, ku vetëm në një tërheqje të vetme ai ka marrë prej andej shumën prej 900 euro, ndërsa në raste të përsëritura punonjësi i sigurisë fizike ka mundur ti marrë kësaj shtetase nga llogaria bankare shumën prej 1950 euro. Ndërkohë që viktima të kësaj veprimtarie kanë rënë dhe persona të tjerë, por që në fakt asnjëri nuk ka kuptuar se kush mund t’ia kishte vjedhur lekët. Ka qenë vetëm një ankesë me shkrim e shtetases Ballkyz Buzhani, e cila është ankuar lidhur me paratë e vjedhura brenda sistemit bankar, që të zbulohet më pas personi grabitës.

Hetimi i prokurorisë

Nga aktet e hetimit dhe kallëzimi përkatës ka rezultuar se shtetasi Kujtim Vata ka qenë i punësuar pranë Intesa Sanpaolo Bank Albania sh.a. që nga viti 1998, me detyrën e punonjësit të sigurisë fizike. Në muajin shtator të vitit 2012 është bërë një ankesë prej klientes Ballkyz Buzhani. Sipas kësaj shtetase, në llogarinë e saj ishin bërë shtatë tërheqje, për të cilat nuk kishte dijeni. Lidhur me këtë pretendim ajo ka bërë edhe një kërkesë me shkrim. Nga hetimi administrativ i kryer prej departamentit të Kontrollit të Brendshëm të Bankës, është konstatuar se dy nga veprimet ishin kryer tek një arkëtare, punonjëse e përhershme e degës së bankës, kurse debitimet e tjera ishin bërë tek arkëtaret e tjera të bankës, që punonin me rotacion në të njëjtën degë, ditëve të shtuna. Sipas thënieve të arkëtareve të kësaj dege, shtetasi Kujtim Vata kishte kërkuar të bënte tërheqje nga llogaria e një klienti me datë 22 shtator 2012, pa praninë e klientit, me debitin e plotësuar prej tij. Departamenti i Kontrollit të Brendshëm të Bankës ka ndërmarrë një hetim më të plotë, duke kontrolluar transaksionet e kryera nga të gjitha arkëtaret që kishin punuar me rotacion në këtë degë, gjatë ditëve të shtuna të vitit 2012. Kontrolli i të gjitha transaksioneve të kryera në këtë degë nga klientët e dëmtuar përgjatë vitit nëntor 2011-shtator 2012; – kontrolluar përmbledhjen e veprimeve të ditës në këtë degë për periudhën gusht-shtator 2012; verifikuar regjistrimet video të vlefshme për periudhën 21 gusht-shtator 2012si dhe pyetur arkëtaret e përfshira në këto veprime. Sipas konkluzioneve të kontrollit, shtetasi Kujtim Vata kishte përvetësuar në mënyrë të paligjshme, nga llogaritë e tetëmbëdhjetë klientëve të ndryshëm të bankës, me anë të shpërdorimit të besimit të arkëtareve (pasi kishte mundësi të vepronte dhe hynte lirisht në marrëdhënie me arkëtaret për shkak të detyrës së tij), përgjithësisht staf i ri që punonin me radhë ditëve të shtuna, shumën ekuivalente prej 19,970 euro.

 

Lista e klientëve

  1. Klienti Haki Alizoti dhe Fatbardha Alizoti
  2. Klienti Erion Nikolli
  3. Kompania Cara sh.p.k
  4. Klienti Albert Arapi
  5. Klienti Kleton Musha
  6. Klienti Ilir Shabani
  7. Klienti Hekuran Torba
  8. Klienti Ballkyz Buzhani
  9. Klienti Age Gjoni

10. Klienti Adriana Hashimi

11. Kompania Star Engineering sh.p.k

12. Klienti Alkion Dizdari

13. Klineti Sazan Sejdo

14. Klineti Lazer Marku

15. Kompania APG sh.p.k

16. Klienti Qemal Hija

17. Ilir Lika

18. Remzi Elezi

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency