Vizita në Francë Topalli: Shqiptarët meritojnë integrimin, nuk duhet të dëmtohen për shkak të Ramës

0
156

Florenc Drizari

Kryetarja e Kuvendit zhvilloi takime pune në Senatin francez, nga ku kërkoi mbështetje për procesin e integrimit

 

Kur mbeten edhe pak ditë nga vendimi që pritet të marrë Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian në datat 10 dhe 11 dhjetor për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi takime me personalitete të larta drejtuese në Francë, duke u kërkuar atyre mbështetje për integrimin. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi takime pune në Senatin dhe Asamblenë Parlamentare të Francës, ku u prit nga nënkryetarja e Senatit francez, Bariza Khiari, dhe nënkryetarja e Parlamentit të Francës, Laurence Dumont. Në këto takime ishin të pranishëm edhe kryetarët e grupeve të miqësisë mes dy vendeve. Në bisedime me zyrtarë të lartë francezë, Topalli foli edhe për ngërçin e krijuar për tri ligjet, duke akuzuar opozitën dhe kreun e saj për bllokimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë.

Topalli

Kryeparlamentarja Topalli gjatë takimeve që zhvilloi me përfaqësuesit e lartë të Senatit francez u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe se shqiptarët e meritojnë statusin pavarësisht qëndrimit të opozitës. “E vetëdijshme se tri ligjet e kërkuara nga Brukseli ende nuk janë votuar në Parlament nga opozita, Kryetarja e Kuvendit u kërkoi autoriteteve franceze të mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo tha se për shkak të një vendimi të pasens, bllokues të kryetarit të Partisë Socialiste, nuk duhet të dëmtohen shqiptarët dhe Shqipëria. Kryetarja e Kuvendit tha se pavarësisht mosvotimit nga opozita të tre ligjeve të integrimit, shqiptarët meritojnë t’i bashkohen familjes evropiane sepse janë një popull me vokacion perëndimor, janë një popull evropian, me rrënjë të thella në histori e që meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Për këtë, mbështetja e miqve si Franca është shumë e rëndësishme”, – thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit.

Takimi

Në këto takime pune, nënkryetarja e Parlamentit të Francës, Laurence Dumont, ashtu si edhe nënkryetarja e Senatit francez, Bariza Khiari, shprehën mbështetjen e Francës për aspiratën integruese të Shqipërisë. Nga ana e saj, Jozefina Topalli falënderoi për ardhjen e delegacionit të Senatit francez në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, duke e quajtur këtë një shenjë domethënëse e pranisë së Francës në momentet historike të gëzimit ashtu si edhe të vështirësive të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit i ftoi nënkryetaret Khiari dhe Dumount të vijnë në Shqipëri, ftesë e cila u pranua nga zyrtarët e lartë francez. Në bisedat shumë miqësore u vlerësua bashkëpunimi mes dy legjislativëve dhe projekti i binjakëzimit në kuadër të IPA-s. Në këto takime u theksuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë mes Francës dhe Shqipërisë të cilat sipas bashkëbiseduesve do të thellohen edhe më tej në vitet që vijnë.

Ngërçi

Mosvotimi i tri ligjeve të integrimit brenda afatit të përcaktuar nga Komisioni Evropian duket se ka rritur tensionin politik mes mazhorancës dhe opozitës të cilat vazhdojnë të kenë qëndrime të ndara për sa i përket miratimit të reformave dhe zgjidhjet së ngërçit të krijuar në Qarkun e Fierit. Nga ana e tyre krerët e mazhorancës vazhdojnë ti bëjnë apel homologëve të tyre të majtë që të votojnë tri nismat ligjorë që kërkohen nga KE-ja, ndërsa përfaqësues të opozitës vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për ngërçin e krijuar në Qarkun e Fierit. Pak ditë më parë opozita nga vota kundër projektligjit për statusin e nëpunësit civil dhe rregullorja e parlamentit duke thënë se këto dy nisma nuk kanë lidhje me “Fierin”. Sipas lidershipit të majtë mazhoranca nuk i ka ende gati këto dy nisma ligjore për t’i votuar në Kuvend, ndërkohë që e kundërta pohohet nga e djathta, e cila pres disa javësh kërkon votën për votimin e tyre. E ndërsa palët ende vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndara lidhur me votimin e tri ligjeve, nuk mund të përjashtohet mundësia për një konsensus në minutat e fundit, po të rikujtojmë axhendën e Kuvendit ku paraditen e së premtes do të mbahet seanca plenare e radhës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency