SHBA: Keqardhje që miratimi i tri ligjeve nuk pati mbështetje në Parlament

0

Ina Jano

Loading...

Takimi me drejtorin e DASH, Berisha: Zgjedhja e prokurorit të ri të Përgjithshëm do të hapë një kapitull të ri dhe cilësor në luftën kundër korrupsionit, nga organi i prokurorisë

Moore: Shqipëria përkrah NATO-s dhe SHBA-së, aleat besnik dhe i angazhuar për kauzën e lirisë, demokracisë dhe luftën kundër terrorizmit në botë

 

Kryeministri i vendit Berisha u takua dje me drejtorin për Çështjet e Evropës Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Jonathan Moore, i cili është duke zhvilluar një vizitë zyrtare disaditore në Shqipëri. Zëri zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit i shprehu kreut të mazhorancës keqardhjen e tij që miratimi i tri ligjeve, njëkohësisht i tri rekomandimeve të Komisionit Evropian, nuk pati mbështetje në Parlament dhe nuk arriti që të votohej brenda afatit të përcaktuar. Megjithatë, drejtori Moore inkurajoi që votimi të zhvillohet edhe në ditët dhe muajt në vijim, pasi kjo është një fazë që vendi duhet ta kalojë dhe nga ana tjetër rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për procesin e integrimit të vendit. “Zoti Moore vlerësoi përpjekjet, lidershipin dhe angazhimin e Kryeministrit Berisha në procesin e integrimit evropian të vendit. Duke e siguruar Kryeministrin për mbështetjen e plotë të SHBA-së për këtë proces, ai shprehu keqardhjen që miratimi i tre ligjeve nuk pati mbështetjen e nevojshme në Parlamentin e Shqipërisë dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve në këtë drejtim”, – mësohet nga burime zyrtare. Ndërsa nga ana e tij, kryetari i ekzekutivit nënvizoi faktin se qeveria ka besim të plotë tek prokurori i ri i Përgjithshëm që u emërua pak ditë më parë nga Presidenti Nishani. Berisha u shpreh se kreu i ri i organit të akuzës do të hapë një kapitull të ri në punën e këtij institucioni, duke luftuar korrupsionin. Kryeministri çmoi cilësitë profesionale dhe integritetin e kandidaturës së dekretuar nga Presidenti i Republikës për këtë post, si një kandidaturë e cila do t’i japë tonin e duhur këtij organi, për një luftë pa kompromis dhe në mënyrë të paanshme dhe të pavarur ndaj korrupsionit dhe krimit. Zoti Moore, i shoqëruar edhe nga ambasadori Arvizu, tha se Shqipëria mbetet një aleate besnike e SHBA-së dhe NATO-s në kauzën e drejtë të lirisë, demokracisë dhe luftën kundër terrorizmit në botë. Gjithashtu ai falënderoi numrin një të qeverisë për pritjen e shkëlqyer dhe të jashtëzakonshme që vendi i ofroi Sekretares së Shtetit zonjës Clinton, e uroi për jubileun e pavarësisë, ndërsa mori falënderimin e zotit Berisha për vizitën e saj në këtë 100-vjetor të shtetit. Zoti Moore përcolli vlerësimet për votimin e Shqipërisë mbi rezolutën për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, si dhe qëndrimin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Ndërsa mori konfirmimin nga lideri i mazhorancës se Shqipëria do të vazhdojë të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Zoti Berisha, pasi i shprehu angazhimin e palëkundur të qeverisë për procesin e integrimit të Shqipërisë, bëri një rezyme të shkurtër të zhvillimeve politike në vend. Duke vlerësuar zhbllokimin e procesit politik dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, ndër të cilat Kodin Zgjedhor dhe ndryshimin e Kushtetutës për imunitetet, Kryeministri shprehu keqardhjen për vendimin e liderit të opozitës për bllokimin e paarsyeshëm te tre ligjeve të kërkuara nga Komisioni Evropian. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit është themelore për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe suksesin e reformave të qeverisë. Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme, data e të cilave vetëm para katër ditësh u dekretua nga kreu i shtetit, Berisha tha se ato do të jenë të ndershme dhe shprehu besimin se, si qeveria, edhe opozita, kanë interes të përbashkët në arritjen e standardeve më të larta ndërkombëtare dhe ftoi që SHBA të dërgojnë numrin më të madh të vëzhguesve. Gjithashtu edhe ministri Imami pati takim me drejtorin Moore.

Loading...