Lindita na iku

0
248

Violeta Murati

Në rrugën për Yzberisht, aty ku blloqet e pallateve nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra, ku as rrugët nuk kanë emër e rrugicat janë pa asfaltuar, baltë e gropa, përpara një pallati jeshil me gri, grumbuj njerëzish, banorë pallati, lagjeje e shumica mësues nga shkolla aty afër, “Kongresi i Manastirit”, dhe më tutje “Vasil Shanto” i bënë homazhet e fundit banores, koleges e mikes së tyre, Lindita Aguridhi.

Marrim ashensorin për katin e tetë, që mezi zë tre veta, dhe pothuaj i pasigurt, ndonëse pallat i ri i kësaj dekade… Pra, në këtë korridor komshinjtë kanë hapur dyert; në një shtëpi priten burrat e në tjetrën është vendosur trupi i pajetë i Linditës, mbyllur në arkëmort.

“Ç’më plagose jetën, Lindita ime”, – dëgjojmë vetëm zërin e mekur të nënës, që del i thellë dhe heshtja e njësojtë. Gulçon sa herë e përqafojnë për ta takuar e dhënë forcë!

Në kokë të arkëmortit kurora me lule mban fashën: Koleges, e mikes – nga shkolla “Vasil Shanto”. Lindita ka qenë drejtuese për ca kohë në këtë shkollë. Koleget e saj qarkullonin një copë letër ku ishin shkruar disa vargje e që mbante titullin: Lindita na iku! Vargje zemre, dhimbjeje dhe ndarjeje e që mbylleshin me shënimin: Në nderim të koleges dhe shoqes sonë shumë të dashur, Linditës! Ndërsa në këto vite të fundit ajo drejtonte shkollën nëntëvjeçare “Kongresi i Manastirit”. Më pak se një vit kisha takuar Linditën në ceremoninë që kishin organizuar për daljen në pension të kolegut të tyre, mësuesit të matematikës, Gjergjit. Kolektivi i kësaj shkolle ishte impresionues; të gjitha mësuese!

Lindita, me fonde të veta, të mbledhur nga kolektivi i mësueseve, për çdo rast të tillë bënin një medaljon për mësuesit që linin punën e një dhuratë simbolike të kornizuar.

“Kështu i bëjmë të ndihen mirë dhe t’i kenë kujtim vitet e punës”, – më pati thënë Lindita. Të gjitha mësueset ishin veshur si rrallë, bukur, lyer dhe rregulluar si zonja! Ishte e vështirë të dalloje se jeta e tyre ishte aq mundimshme, jo vetëm si profesion. Por si gra e nëna. Ndaj Gjergji, i vetmi që shoqëronte ato zonja, na pat thënë se ishte një rast takim i tyre për të dalë nga rutina, mundimi i të përditshmes.

Pamë se Lindita i kënaqej kësaj atmosfere. Rrinte në këmbë, dhe shoqëronte të gjitha koleget në ndjesinë e përjetimit të momenteve. Ndonëse ishte krejt rastësi, pashë që të gjithë mësueset donin të më linin përshtypje, të më nxisnin për të shkruar diçka për shkollën e tyre, për marrëdhëniet, për punën e sakrificat, se trishtimi i tyre ishte pikërisht ndarja, si vitet iknin. Lindita kishte ftuar dhe disa kolegë të tjerë, mësues të vjetër të asaj shkolle, duke i çmuar e vlerësuar për kontributin. Pra, ai staf e kishte marrë në meritë, fjalën nderim sa Lindita qe gjallë! Në pamundësi për të pasur më shumë zhurmë, si gratë e sotme kur i sheh “aktiviste të shoqërisë”, që s’lënë televizion pa tërhequr vëmendjen, pa realizuar egon e famës e pushtetit. “Ishte njeri i mrekullueshëm, dhe nuk besojmë se do kemi mësues e drejtues të tillë si ajo në shkollat tona”, – thotë një prej kolegeve të saj, që prêt dhe përcjell si në shtëpi të saj njerëzit që hyjnë grupe-grupe e së shumti gra e vajza.

Është e vështirë të kuptohet jeta e gruas sot, si kontribuuese sociale e si nënë. Është kaq komplekse jeta e saj, sa nuk mjaftojnë flamujt që valëviten nga dy-tre emra grash që përveç ekranit zënë dhe mikrofonat e politikës, në anë krejt të gabuar të shoqërisë. E sidomos të lirisë së gruas. Nuk ka mbaruar në shoqërinë tonë të njollës dhe nderit, frustrimi dhe ndrydhja e grave. Nuk është çështje emancipimi, por në vëzhgimin e thellë, aty ku syri nuk depërton dot në heshtjen dhe mbifuqinë që duhet të vishen gratë. Lindita është një prej rasteve që jeta nuk e ka përkëdhelur, por e ka detyruar “të heshtë” duke iu përkushtuar një devocioni më të lartë përpara Zotit; jetës së të tjerëve. Në kryeqytetin shqiptar ka rrallë gra që përballen me jetën e ashpër me ndershmëri e moral e që na japin modele të qëndresës njerëzore dhe humanizmit shoqëror.

Janë gra që nuk flasin, nuk kanë megafona, por japin kontribut të heshtur, si në rastin e Linditës pa zhurmë, duke ushqyer me dashuri jetë nga e vetja. Kryeqyteti 1 milion banorë të mbyt, ta merr frymën, po aq sa të shet e të ngre si tapë shisheje në piedestal të rremë.

Të përgatitësh e të edukosh breza sot është një nga detyrat më të vështira, ku sakrifica nuk është çështje klisheje, por shumë shpejt shndërrohet në kauzë sublime. E të humbësh apo mbijetosh në këtë përpjekje është sikur të marrësh gurin e Sizifit mbi shpinë e ta rikthesh kohën në të kundërtën tënde. Të gjithë presim radhën për të vdekur, por kur ajo vjen papritur, ne flasim për gjurmët që lë njeriu – ky ndoshta është i vetmi ngushëllim, për fuqi e për të mos lënë pas dore dhënien e dashurisë.

Ja për këto të jep shkak të flasësh Lindita, ikja e saj nga jeta në moshën 41-vjeçare, ardhur më shumë se 10 vjet më parë nga Fieri për të jetuar e për të ndjekur karrierën në Tiranë. Ajo ka mbaruar Fakultetin Filologjik, Gjuhë-Letërsi në Shkodër, me studime pasuniversitare në master e doktoraturë në gjuhësi, bashkëpunëtore në hartimin e teksteve gjuhësore për shkollat nëntëvjeçare pa u shkëputur nga të qenët edukatore dhe mësuese, një lloj shërbëtoreje në besimin që i është dhënë në drejtimin e dy prej shkollave më kryesore në kryeqytet.

Për njerëz të tillë ndarja është fjalë e rëndë, duke u ngushëlluar me modelin që la: dinjitet, dashuri dhe besimin se jeta është plot njerëz të mirë, që e ndërtojnë shoqërinë në rrugë të paimagjinueshme! Për këto fashat e lamtumirës, plot lule, shkruanin: Iku kolegia, mikja dhe shoqja më e dashur – Mësuese Lindita! Njerëzve të tillë u përket nderimi i lartë hyjnor, pasi në këtë botën tonë kjo fjalë është bërë pis tashmë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency