Euro 2014 Përfaqësuesja U-19 njeh rivalët

0

Kombëtarja Shqiptare e 19-vjeçarëve ka njohur kundërshtarët për raundin e parë eliminator të Evropianit të vitit 2014, finalet e të cilës do të luhen në Hungari. Në Nion të Zvicrës skuadra që do të drejtohet nga Foto Strakosha ka njohur kundërshtarët e saj në grupin e 6-të. Greqia, Sllovakia dhe Bullgaria do të jenë kundërshtarët e kuqezinjve të moshës 19-vjeçarëve. Turneu eliminator do të zhvillohet në Bullgari nga data 12-17 nëntor të 2013-ës. Sipas rregullit të UEFA-s, në “elite round” kualifikohen dy të parat e çdo grupi si dhe skuadra e tretë më e mirë në 13 grupet eliminatore. Në këtë raund këtyre skuadrave do ti shtohet edhe Spanja, për të formuar 7 grupet me nga 4 skuadra, ku fituesja e secilës prej tyre kalon në fazën finale, aty ku luhet për të fituar titullin kampion Evrope për këtë moshë. Gjithashtu 7 skuadrat pjesëmarrëse plus Hungaria si vendi organizator do të fitojnë të drejtën për të luajtur në kampionatin botëror të 20-vjeçarëve në 2015, kompeticion që do të organizohet në Zelandën e Re. Edhe 17-vjeçarët e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç kanë njohur kundërshtarët e tyre, teksa janë shortuar në grupin e parë me Bjellorusinë, Rumaninë dhe Finlandën. Turneu i kësaj grupmoshe do të mbahet në Shqipëri nga data 18-23 tetor të 2013. Edhe skema për kampionatin evropian të kësaj moshe është e njëjtë me atë të 19-vjeçarëve, ku dy të parat e çdo grupi dhe e treta më e mirë kalojnë në elite raund dhe më pas do të dalin 7 finalistet që do t’i bashkohen Maltës në fazën finale.

Loading...