Botërori i Klubeve FIFA do të zbatojë teknologjinë në fushë

0

Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, përshëndeti futjen e teknologjisë në futboll, gjë që, sipas tij, do të sjellë një revolucion në këtë sport, por njëkohësisht do të ndihmojnë gjyqtarët për shmangien e golave fantazmë. Teknologjia e vijës së portës do të aplikohet për herë të parë në Kupën e Botës për Klube në Japoni dhe ky është rasti i parë kur në një aktivitet zyrtar përfshihet një teknologji e tillë. 51-vjeçari francez, i cili është në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s që prej muajit qershor të vitit 2007, mbajti një konferencë për shtyp në kryeqytetin japonez, ku konfirmoi pikërisht përdorimin e këtyre metodave të reja, në këtë kompeticion. Në stadiumin e Jokohamës do të përdoret mbi vijën e portës një sistem i bazuar në fushën magnetike, ndërsa “Toyota Stadium” është pajisur me kamera sipas modelit “Hawk-Eye”, që të dy këto sisteme janë provuar dhe testuar me rigorozitet deri në detaje e tashmë janë miratuar plotësisht nga FIFA. Pas Kupës së Botës për Klube, FIFA do të analizojë raportin përfundimtar dhe do të vendosë përfundimisht nëse për Kupën e Konfederatave që do të mbahet në Brazil vitin e ardhshëm do të zgjedhë sistemin “Hawk-Eye” apo atë “GoalRef”, sidoqoftë mendohet që e njëjta teknologji që do të përdoret gjatë vitit të ardhshëm, më pas do të vihet në jetë edhe gjatë finaleve të Botërorit, që do të mbahen në Brazil, në vitin 2014. Zherom Valke deklaroi se Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, nuk duhet të jetë kundër përdorimit të teknologjisë, sepse një risi e tillë nuk e ndryshon aspak shpirtin, frymën, shpejtësinë apo dhe vlerat që kjo lojë përcjell në masat e gjera. Kostoja e instalimit, për të dy sistemet të marra së bashku, sipas Valkes përafrohet me vlerën 1 milionë dollarë, i cili gjithashtu shtoi se pavarësisht se për momentin përdorimi i kësaj teknologjie duket se ka një kosto tepër të lartë, ai pret që çmimi të bjerë ndjeshëm në të ardhmen. Si afat i fundit për zgjedhjen përfundimtare që do të përdoret në Brazil është përcaktuar muaji mars i vitit 2013.

Loading...

 

 

Loading...