Vendimi Basha nuk i reziston tundimit: Do të luaj për Zvicrën

0
198

Migjen Basha po bëhet gati që të luajë për Zvicrën. Mesfushori kosovar i Torinos, në pritje prej shumë kohësh të lejes nga FIFA për t’u aktivizuar me kombëtaren shqiptare, duket se nuk do të presë më dhe do të kthehet te kombëtarja zvicerane. Basha po shkëlqen në këtë sezon në Serinë A dhe nuk është rastësi që në derbin e Torinos kundër Juventusit, në tribunë ka qenë i pranishëm edhe Mikael Bont, asistenti i trajnerit të përfaqësueses zvicerane, Otmar Hicfeld. Mesfushori kosovar ka edhe pasaportën zvicerane, edhe atë shqiptare, ndërsa prej dy vitesh ka qenë i gatshëm të veshë fanellën kuqezi. Por problemet e lindura për shkak të aktivizimit të tij me U-21 të Zvicrës disa vite më parë, kanë bërë që debutimi i tij të shtyhej pambarimisht, me Zvicrën që bëri të qartë se nuk do t’i jepte leje atij të kalonte te Shqipëria, pasi për një gjë të tillë duhej marrëveshje dypalëshe. Në këtë situatë, duket se Basha ka vendosur të mos presë më dhe të kthehet te Zvicra. “Pas ndeshjes Juventus–Torino kam takuar asistentin e trajnerit të Zvicrës, Mikael Bont, i cili kishte qenë në ndeshje për të më vëzhguar. Gjatë bisedës ai më tha se janë të interesuar për mua, por më porositi që të vazhdoj të luaj me këtë ritëm për të marrë ftesë nga Otmar Hitzfeld”, – deklaroi futbollisti për mediat kosovare, duke konfirmuar në këtë mënyrë se tashmë mund të luajë për Zvicrën. “Jam lodhur duke pritur një përgjigje nga FIFA nëse do të ma lejojë të luaj me Shqipërinë apo jo. Nëse ftohem nga Hicfeld, duhet ta pranoj ftesën, edhe pse dëshira ime është që ta vesh fanellën kuqezi”, tregoi Basha. Çështja Basha ka përfunduar prej disa muajsh në zyrat e FIFA-s dhe pret një zgjidhje, po vonesa në marrjen e vendimit po bën që përfaqësuesja shqiptare të humbasë një tjetër futbollist të cilësisë së lartë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency