Shkurtohet buxheti i shëndetësisë, 22 miliardë lekë borxh për ilaçet

0
146

Blerta Mrishaj

Buxheti u votua në parim në Komisionin e Shëndetësisë vetëm me votat e deputetëve të djathtë, ndërsa javën e ardhshme pritet të diskutohet më me detaje

 

Buxheti 29 miliardë:

-përmirësim i ofrimit të shërbimit parësor nëpërmjet zgjerimit të skemës së medikamenteve nga 430 në vitin 2012 në 435 në vitin 2013

-zvogëlim të vdekshmërisë foshnjore në vitin 2013 me 0.4 për 1000 krahasuar me vitin 2012

-zvogëlim i vdekshmërisë amtare me 1/100000 në vitin 2013 krahasuar me 19 për 100000 në vitin 2012 rritja e vizitave/kontakteve të pacientëve me kujdesin parësor në 11 vizita /mjek në vitin 2013 nga 10 në vitin 2012

-mbulim 84 për qind i nevojës për shërbim spitalore në vitin 2013 krahasuar me 84 për qind që janë plotësuar në 2012

-mbulim 85 për qind i nevojës për shërbim spitalor në vitin 2013 krahasuar me 84 për qind që janë plotësuar në 2012

-plotësim 75 për qind i nevojave të spitaleve të distriktit me pajisjet e domosdoshme për shërbimin e imazherisë në vitin 2012, referuar 70 për qind që plotësohen aktualisht

-sigurimi i qëndrueshmërisë së mbulesës vaksinale për vaksinat e kalendarit të vaksinimit në masën 95 për qind

-13 miliardë lekë të shkojnë për sistemin spitalor, 9 miliardë lekë për sistemin shëndetësor parësor dhe pjesa tjetër për investime dhe vaksiminin e fëmijëve

 

Viti i ardhshëm pritet të jetë i vështirë për shëndetësinë, ku përveç shkurtimit të buxhetit, sektorit më jetik do t’i duhet të përballet edhe me shlyerjen e borxhit, akumuluar ndër vite për blerjen e medikamenteve. 29 miliardë lekë në total është buxheti i përcaktuar për shëndetësinë, duke përfaqësues 2.1 për qind të PBB-së, 22 miliardë janë borxhe që prej vitit 2000. Vështirësi të tjera priten t’i shtohen edhe për shkak se organizatat e huaja shëndetësore kanë ndërprerë furnizimin e tyre me vaksina në Shqipëri, financimi për vaksina nga shteti do të rritet në 371 milionë lekë nga 252 që ishte në 2012. Për opozitën, deputeti i majtë Eltar Deda, tha se ky është borxhi më i madh marrë ndonjëherë për ilaçe, në një kohë që në spitale ka mungesa të theksuara dhe se ky buxhet shkon vetëm për shlyerjen e borxheve. Ndërsa sipas drejtorit të Planifikimit të buxhetit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Sajmir Kadiu borxhi nuk do të paguhet brenda vitit dhe ai nuk do të pengojë investimet në shëndetësi. Veç këtij buxheti Kadiu tha se afro 9 miliardë lekë do t’i shtohen këtij buxheti nga të ardhurat dytësore të sigurimeve shëndetësore. Me gjithë diskutimet mes deputetëve të majtë dhe të djathtë, buxheti u votua në parim në Komisionin e Shëndetësisë vetëm me votat e deputetëve të djathtë, ndërsa javën e ardhshme pritet të diskutohet më me detaje.

2013 për shëndetësinë

Deputetët e majtë thanë se 28 miliardë lekët e këtij buxheti do të shkojnë vetëm për larjen e borxheve të institucioneve shëndetësore, borxh që kap vlerën e rreth 22 miliardë lekëve.  “Ky është një buxhet që punon vetëm për borxhet. Shifra 22 miliardë e borxheve që kemi ne, që keni ju si ministri ndaj palëve të treta do të thotë që gjithë ky buxhet është i adresuar vetëm për atë pjesë. Është pjesa më e korruptuar që ka sistemi i shëndetësor. Spitalet, bëhen prokurimet, por sot e kësaj dite janë pa ilaçe”, – tha Deda. Drejtori i planifikimit të buxhetit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Sajmir Kadiu tha: “Borxhet janë kryesisht për medikamentet. Kjo nuk është ndonjë shenjë pozitive, por kjo lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ligjin e prokurimeve. Është një situatë që ka nisur rreth vitit 2000. Ne duam të bëjmë një prokurorim total të gjërave. Nuk është që mund të shlyhet brenda një viti. Kjo do një bashkëpunim me institucione të tjerë. Kam përshtypjen që shëndetësia ka shumë më pak detyrime”- tha Kadiu. Në buxhetin për shëndetësinë, parashikohet që rreth 13 miliardë lekë të shkojnë për sistemin spitalor, 9 miliardë lekë për sistemin shëndetësor parësor dhe pjesa tjetër për investime dhe vaksinimin e fëmijëve.

Planifikimi

Në total, në 2013-ën shëndetësia do të ketë një buxhet prej 29 miliardë lekësh, të cilat priten të shkojnë për përmirësimin e ofrimit të shërbimit parësor nëpërmjet zgjerimit të skemës së medikamenteve nga 430 në vitin 2012 në 435 në vitin 2013. Për zvogëlim të vdekshmërisë foshnjore në vitin 2013 me 0.4 për 1000 krahasuar me vitin 2012 si dhe zvogëlim i vdekshmërisë amtare me 1/100000 në vitin 2013 krahasuar me 19 për 100000 në vitin 2012 rritja e vizitave /kontakteve të pacientëve me kujdesin parësor në 11 vizita /mjek në vitin 2013 nga 10 në vitin 2012. Gjithashtu për vitin e ardhshëm do të ketë një plotësim prej 75 për qind të nevojave të spitaleve të distriktit me pajisjet e domosdoshme për shërbimin e imazherisë në vitin 2012, referuar 70 për qind që plotësohen aktualisht. Ndërsa 13 miliardë lekë të shkojnë për sistemin spitalor, 9 miliardë lekë për sistemin shëndetësor parësor dhe pjesa tjetër për investime dhe vaksinimin e fëmijëve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency