Procedurat për të filluar një biznes të ri, nga regjistrimi te pagesa e kontributeve

0
1694

Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore. Mbështetur në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje

Përveç këshillave duhen ndjekur rregullisht të gjitha procedurat që duhen për të hapur një biznes të ri. Një fushë e rëndësishme janë edhe sigurimet shoqërore që duhen paguar në kohë dhe pa vonesa. Çdokush duhet të ketë parasysh se ka gjoba për mospagesën e sigurimeve shoqërore që arrijnë deri në mbyllje të aktivitetit.

Regjistrimi

Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht, ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Më pas, ju duhet të paraqisni pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, mbështetur në këtë dokument, realizon regjistrimin tuaj në organet e sigurimeve shoqërore. I vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKR, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton.

Si bëhet llogaritja e kontributeve?

Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor. Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjeç, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila duke filluar nga data 1.7.2012 e në vazhdim është 21 mijë lekë në muaj. Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23% të pagës minimale mujore prej 21 mijë lekësh, e barabartë kjo me 5 868 lekë në muaj. Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 7% të pagës minimale mujore prej 21 mijë lekësh, pra 2 577 lekë në muaj.

Cilat janë afatet e pagesës së kontributeve

Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra, jo më vonë se datat: 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, 20 janar. Kujdes, nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.

Ku dhe si mund të paguhen kontributet

Ju mund t’i paguani kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në filialet e bankave të nivelit të dytë ose të postës shqiptare. Pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju dhe pjesëtarët e familjes me të cilët ju punoni do të pajiseni nga Agjencia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Çfarë përfitohet si i vetëpunësuar nga pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Nga pjesëmarrja në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitohen të gjitha llojet e pensioneve: Pension bazë pleqërie; Pension i pjesshëm pleqërie; Pension pleqërie i reduktuar; Pension familjar; Pension invaliditeti; Pension i pjesshëm invaliditeti; Shërbim shëndetësor dhe rimbursim ilaçesh.

 

Ku dhe si mund të regjistrohesh për të filluar një veprimtari ekonomike

Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, së pari bëhet regjistrimi në Qendrën Kombëtare te Regjistrimit. Dy ditë pune pas regjistrimit në QKR, dorëzohet pranë organit tatimor lista e të punësuarve, me pagën përkatëse. Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj. Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listëpagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar. Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10 000 – 20 000 lekë për çdo rast.

Si bëhet pajisja e punëmarrësve me librezat e kontributeve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore pajis punëdhënësit me librezat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, sipas kërkesave që bëhen pranë këtyre organeve. Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore. Mbështetur në Ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje. Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekësore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës, ndërsa nga dita e 15 e raportit mjekësor punëmarrësi i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohshme nga fondet e sigurimeve shoqërore.

 

 

Konkursi, ide drejt bizneseve sociale

Të kesh ide do të thotë të kesh mundësi për ngritjen e bizneseve sociale. Gjatë një konference në Universitetin Bujqësor të Tiranës, përfaqësues të Ministrisë së Punës, pushtetit vendor, por edhe bizneseve hodhën idetë se ka ardhur koha që grupet në nevojë të integrohen në vende pune dhe prej tyre të nxjerrin të ardhura, duke mos u bërë më barrë për programet pasive apo për ndihmën ekonomike. Për drejtoren e shoqërisë “Lëvizja e Biznesit Social në Shqipëri”, Ardita Bonati, një nga fokuset kryesore të lëvizjes është bashkëpunimi me universitetet dhe të rinjtë për promovimin dhe realizimin e këtij programi, pasi janë pikërisht të rinjtë që mund të gjenerojnë ide inovative. Deri tani Ministria e Punës ka organizuar disa konferenca të tilla që kanë bërë të mundur zbulimin e të rinjve që janë të përgatitur për të hapur biznese sociale. Pas panaireve të punës këto konkurse vlerësohen si më të mirët, pasi përveçse bëjnë zbulimin e ideve, u japin mundësi të rinjve të njihen më sipërmarrës me eksperiencë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency