Peshkopët bashkëpunëtorë të Sigurimit

0
138

“Deutsche Welle”

Lidhjet mes klerit dhe pushtetit komunist dhe prirja e klerikëve të lartë, që me gjithë pavarësinë e tyre të shfrytëzoheshin dhe të instrumentalizoheshin prej regjimit, janë çështje që shtrohen edhe sot me forcë për diskutim, pavarësisht nga ndryshimet politike në vendet e ish-bllokut lindor.

Situata e Kishës Ortodokse të Bullgarisë (BOK) është dramatike, thotë profesor Kalin Janakiev, një ekspert i njohur në çështjet e besimit. Ai i referohet për këtë faktit se në fillim të këtij viti u zbulua që njëmbëdhjetë nga 15 peshkopët e Kishës Ortodokse të Bullgarisë kanë qenë bashkëpunëtorë të organeve të Sigurimit të Shtetit në Bullgarinë komuniste. Problemi më i madh është se pikërisht nga radhët e këtyre peshkopëve do të zgjidhet patriarku i ri i Kishës Ortodokse të Bullgarisë. Ky është absurditet mendon Janakiev, sepse në fakt njëmbëdhjetë spiunët do të duhej të përgjigjeshin për këtë para gjykatës kishtare. Teologu i referohet për këtë rregullit të 30-të apostolik, sipas të cilit marrja e një posti ipeshkvor me mbështetjen e pushtetit laik duhet të sanksionohet nga një gjykatë kishtare.

 

Ndikim i pakët shoqëror i kishës

Për shkak të afërsisë së klerikëve me regjimin komunist Kisha Ortodokse e Bullgarisë e ka humbur gjatë viteve prestigjin dhe mbështetjen. Në krahasim me vende të tilla si Serbia dhe Rusia, ndikimi shoqëror i kishës ortodokse në Bullgari është më pak i dukshëm. Edhe pse sot rreth 80 për qind e bullgarëve e quajnë veten të besimit ortodoks, si “fetarë dhe besimtarë” e konsiderojnë veten vetëm 13 për qind e tyre. Pas zbulimit të lidhjeve dhe veprimtarisë së njëmbëdhjetë peshkopëve si spiunë të Sigurimit të Shtetit besimi tek BOK-u ka rënë në mënyrë dramatike.

Nën shembullin e Moskës edhe pushtetarët komunistë në Bullgari u përpoqën ta reduktonin rolin e kishës dhe ta bënin atë të bindur ndaj regjimit. Kështu numri i priftërinjve u reduktua në mënyrë drastike, pronat e kishës pjesërisht u shtetëzuan, dhe pjesëmarrja në festimet e krishtera qe praktikisht e ndaluar. Komunistët toleronin vetëm disa rituale ortodokse të padëmshme, gjë që bëri që BOK-u të reduktohej në fakt në një “burg ritualesh”, siç shkruhet në një studim të fondacionit KAS.

Pas kthesës politike në Bullgari 1989-1990 filloi edhe një lëvizje për rigjallërimin e kishës, por kjo çoi edhe në rivalitete brenda Kishës Ortodokse të Bullgarisë.

 

Luftë për pushtet

Pas vdekjes së patriarkut të deritanishëm të Kishës Ortodokse të Bullgarisë, Maksimit, ka nisur lufta mes pretendentëve për postin. Problemi është se përveç njëmbëdhjetë peshkopëve me të kaluar si spiunë, shumë besimtarë kanë dyshime nëse kandidatët e mbetur janë të përshtatshëm për këtë post. Njëri prej tyre shquhet sidomos për dëshirën e tij për makina të shtrenjta, një i dytë spikat me fjalime plot urrejtje ndaj homoseksualëve dhe feve të tjera. Kurse dy prej peshkopëve ende nuk kanë arritur moshën e kërkuar prej 50 vitesh.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency