Merkato Jorente: Do të largohem nga Bilbao

0
148

Një prej futbollistëve më të lakuar të merkatos së shkuar, Fernando Jorente, konfirmoi dje vendimin e tij “të panegociueshëm” për të mos rinovuar kontratën me Atheltik Bilbaon dhe për t’u larguar në muajt e dimrit apo qershor 2013. Deklarata e sulmuesit bask u bë gjatë një konference për shtyp, në të cilën 27-vjeçari i dha përfundimisht fund spekulimeve për të ardhmen e tij. “Oferta e Bilbaos për të rinovuar kontratën ishte e parefuzueshme në aspektin ekonomik. Asnjëherë nuk jam ndierë i shantazhuar nga klubi dhe gjithmonë kam qenë i dashur. Deri tani janë thënë shumë gënjeshtra për mua, përfshi atë që kam mbajtur bisedime me klube të tjera evropiane. Kjo nuk është e vërtetë, por në fund të sezonit do të largohem, pasi kam vendosur të kërkoj diçka tjetër dhe të hedh një hap më shumë në karrierën time”, – deklaroi Jorente. Vendimi i kampionit të botës dhe Evropës me Spanjën në vitet 2010 dhe 2012, i jep krahë interesimit të Juventusit, që prej kohësh është duke ndjekur më vëmendje situatën e Jorentes, por që u tërhoq në verë përpara pretendimit prej 30 milionë eurosh të Bilbaos për kartonin e tij. Në bazë të rregullores së FIFA-s, Jorente do të jetë në gjendje që të negociojë personalisht duke nisur nga janari dhe do të vendosë vetëm ai se ku do të luajë në të ardhmen. Megjithatë, në mënyrë që të mos ta humbë me parametra zero në qershor, Bilbao mund të jetë i interesuar ta shesë futbollistin nën kosto në muajin janar, taktikë që pritet të studiohet nga Juventusi, për të mos rrezikuar një konkurrencë të ashpër në muajt e verës. Sipas spekulimeve në media, përveç kampionëve të Italisë, për sulmuesin janë të interesuara edhe disa skuadra angleze.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency