Kategoria e Parë Partizani i nis në mënyrën më të keqe përgatitjet për sfidën me Lushnjen

0

Lojtarëve të Partizanit u ka sosur durimi. Tri rrogat e pamarra janë një arsye më se e mirë për të ngritur zërin. Kështu, nëpërmjet bojkotit të seancës stërvitore, tetë futbollistë “të kuq” kanë kthyer në realitet premtimin e dhënë prej kohësh. Në stërvitjen që ishte parashikuar për t’u zhvilluar në orën 12:00 në ambientet e kompleksit stërvitor në Kamëz, tetë prej futbollistëve të skuadrës së kuqe nuk janë paraqitur, duke lënë të kuptohet se nuk do të jenë më prezent në ekip, për shkak se nuk janë paguar ashtu siç i ishte premtuar gjatë javës së shkuar. Kështu, Roshi, Braho, Shala, Lleshi, Hithi, Sulçe, Pashaj e Thana nuk do të jenë pjesë e skuadrës gjatë kësaj jave stërvitore si dhe në ndeshjen ndaj Lushnjës, e cila është mjaft e rëndësishme për të kuqtë drejt rrugës së tyre për ngjitjen në Superiore. Por, pavarësisht mungesës së këtyre lojtarëve, të kuqtë kanë vazhduar seancën stërvitore nën drejtimin e trajnerit Nikolin Çoçlli, i cili ka punuar me një grup të cunguar futbollistësh. Ndërkohë me mjaft interes do të shihet se me cilin formacion do të luajë Partizani në takimin e radhës, ndaj Lushnjës, pasi disa prej futbollistëve që kanë bojkotuar stërvitjen kanë qenë nga më të mirët në fushën e blertë në takimet e fundit dhe titullarë të padiskutueshëm të këtij ekipi. Por, nuk përjashtohet mundësia që disa lojtarë të vijnë nga ekipet e moshave, për të plotësuar vendet e lëna bosh. Pas bojkotit të djeshëm në radhët e futbollistëve të kuq ka pasur mjaft amulli për të ardhmen, pasi drejtuesit mund të merrnin edhe masa ndaj atyre që nuk ishin bërë pjesë e skuadrës në stërvitje. Sigurisht që pakënaqësitë në radhët e lojtarëve mes njëri-tjetrit kanë qenë të mëdha, çka ka sjellë edhe përçarje, duke qenë se pritej një bojkot masiv në stërvitje. Duhet thënë se bojkoti i djeshëm nuk ka pasur asnjë paralajmërim të një dite më parë, pasi me drejtuesit ishte rënë deri diku dakord, që shlyerja do të vinte deri në fund të kësaj jave. Një fakt të tillë e vërteton më së miri edhe reagimi i drejtuesve të kësaj skuadre. Kështu burime pranë skuadrës “së kuqe” kanë bërë me dije se presidenti i Partizanit, Lulëzim Sallaku nuk e ka pritur aspak mirë protestën e futbollistëve. Sallaku mësohet të ketë thënë se me veprimin e tyre ata i kanë prishur imazhin Partizanit dhe një gjë të tillë nuk mund ta tolerojë. “Asnjë futbollist profesionist nuk mund të sillet në këtë mënyrë dhe për këtë arsye kemi vendosur të marrin masën e pezullimit pa afat për tetë futbollistët që nuk ishin të pranishëm në stërvitjen e djeshme. Kjo masë do të qëndrojë në fuqi deri në një vendim të dytë, i cili do të merret në vazhdim”, – është shprehur Sallaku.

 

Lojtarët e pezulluar

Erind Lleshi

Indrit Hithi

Andrelis Pashaj

Salvador Sulçe

Jozef Thana

Klevis Roshi

Florian Braho

Rajmond Shala