Zyrtarizohet data, më 23 qershor 2013 do të mbahen zgjedhjet parlamentare

0
162

E diela e datës 23 qershor do të jetë dita e zgjedhjeve për pushtetin qendror. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, dekretoi datën 23 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, vendim i cili ishte bërë i ditur edhe më parë gjatë takimeve që kreu i shtetit zhvilloi me përfaqësuesit e partive politike. Sipas njoftimit të Presidencës, “bazuar në nenin 92 shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të nenit 9, paragrafi 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e diel, më datë 23 qershor 2013”. Data e zgjedhjeve duket se ka qenë e vetmja pikë në të cilën janë bashkuar palët, pasi është shprehur edhe në takimet e forcave politike me kreun e shtetit. Rreth një muaj më parë, Presidenti zhvilloi takime me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kreun e grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi si dhe me një përfaqësi të PDDNJ-së, për caktimin e ditës së zgjedhjeve. Gjata takimeve që pati me përfaqësuesit e partive, palët u duk se ranë dakord që data e zgjedhjeve të jetë më 23 qershor. Por, edhe pse data e zgjedhjeve u caktua, procesi zgjedhor duket se ka hasur në ngërç për sa i përket ndarjes së mandateve. Mosvotimi në parim në KQZ i projektvendimit për ndarjen e mandateve rreth dy javë më parë bëri që procesi të bllokohej dhe ende nuk ka një vendim lidhur me zhbllokimin e situatës. Nga ana e saj, opozita nuk mori pjesë në votimin e projektvendimit, duke kërkuar të dhëna shtesë nga Ministria e Brendshme lidhur me lëvizjet e popullsisë në katër komuna të Qarkut të Kukësit, ndërkohë që mazhoranca ka theksuar se të dhënat e ministrisë janë zyrtare dhe komisioni më i lartë i administrimit të zgjedhjeve nuk e ka tagrin të hetojë mbi institucionet qendrore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency