Themelimi i qeverisë së Ismail Qemalit, sot ekzekutivi në Vlorë, detajet e mbledhjes

0
135

“Mbledhja do të zhvillohet në katin e dytë të ndërtesës së Muzeut të Vlorës, në dhomën e Këshillit të Ministrave, ku Kryeministri Berisha do të jetë në vendin e Ismail Qemalit”

Gjika: Do ta pres Kryeministrin, flamurin e ngritur në 28 nëntor 1912-ës do ta dorëzoj në muze

Ditën e sotme, në kujtim të 4 dhjetorit, e cila është dita e themelimit të qeverisë së parë shqiptare, me Kryeministër Ismail Qemalin, kabineti i ministrave pritet të mblidhet në qytetin e Vlorës për të zhvilluar punimet e tij. Në Muzeun e Vlorës, pikërisht në vendin ku 100 vite më parë Ismail Qemali mbante mbledhjen me kabinetin e tij qeveritar, do të zhvillohet edhe mbledhja e qeverisë “Berisha”. Drejtori i Muzeut të Vlorës, Agron Shehu, bëri të ditur disa nga detajet e mbledhjes së sotme, duke theksuar se kjo mbledhje do të zhvillohet në katin e dytë të ndërtesës, në dhomën e Këshillit të Ministrave, ku Kryeministri Berisha do të jetë në vendin e Ismail Qemalit. “Të gjitha masat janë marrë që mbledhja të zhvillohet pikërisht tek ajo që quhet salla e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Kjo do të jetë një mbledhje e radhës e Këshillit të Ministrave siç ka qenë dikur, 100 vjet më parë, pikërisht mbledhja e 4 dhjetorit, e cila konsiderohet si ajo që konfirmoi plotësisht qeverinë”, – u shpreh Shehu. Përgatitjet për mbledhjen e sotme të qeverisë kanë nisur që dje në mbrëmje, ku kanë mbërritur në Vlorë grupi i sigurisë së Kryeministrisë, të cilët së bashku me policinë e Vlorës po krijojnë planin e masave të sigurisë. Muzeu që prej ditës së djeshme deri në përfundim të mbledhjes do të qëndrojë i mbyllur për publikun, ndërsa masat e sigurisë në ndërtesë do të jenë të larta.

Gjika

Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, një ditë para se në Vlorë të shkojë kabineti qeveritar me në krye Kryeministrin Berisha, deklaroi se do ta presë atë, por, sipas tij, kjo qeveri nuk ka asgjë të përbashkët me atë të Ismail Qemalit para 100 vitesh. “Në atë shtëpi më 4 dhjetor 1912 është bërë me të vërtetë mbledhja e parë e qeverisë së Ismail Qemalit, kanë qenë 12 ministra, por përpara se të kishin portofola ministrorë ishin 12 patriotë shqiptarë që sakrifikuan gjithçka nga jeta, nga benefitet për ta bërë Shqipërinë. Ndërsa nesër në atë vend, për fat të keq, do të ulen vetëm 16 a 17 portofola qeverisës që s’kanë asgjë të përbashkët me kontributet që ka dhënë qeveria e Ismail Qemalit”, – tha Gjika. Më tej, në deklaratën e tij, kryebashkiaku i Vlorës nënvizoi se Kryeministri duhet t’u kërkojë fale vlonjatëve për investimet e munguara në tetë vite, por edhe lidhur me festimet e pavarësisë. “Ashtu sikurse kam ditur ta pres Kryeministrin që në vitin 2005 në Vlorë, se vinte me një projekt serioz siç ishte rehabilitimi dhe përmirësimi i infrastrukturës së rrugës transballkanike, unë do ta pres edhe nesër, në rast se në këtë mbledhje do t’u kërkojë falje qytetarëve të Vlorës për investimet e munguara në qytet në 8 vite. Do ta pres, në rast se do t’u kërkojë falje qytetarëve dhe historisë në lidhje me dëshirën e tij të errët për të spostuar vendin dhe rëndësinë e Vlorës në 100-vjetorin e pavarësisë. Do ta përshëndesja, nëse nesër ai dhe qeveria që përfaqëson do deklarojë investime për qytetin dhe qytetarët”, – tha Gjika. Gjika shtoi se flamurin e ngritur në Vlorë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë ai do ta dorëzojë në Muzeun e Pavarësisë. “Ky është flamuri që është ngritur në Vlorë më 28 nëntor me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Do ta dorëzoj në Muzeun e Pavarësisë që 1 mijë vite më pas qytetarët të kenë mundësi ta shohin dhe ta prekin”, – pohoi kryebashkiaku i qytetit të Vlorës, Shpëtim Gjika.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency