Shqipëri, urime njëqindvjetorin e pavarësisë!

0
127

Nehat Hyseni

“Bota sot”

Derisa Shqipëria feston jubileun njëshekullor të pavarësisë, e shoqëruar me Kosovën shtet sovran dhe të pavarur gati gjysmë dekade, shqiptarët e Luginës së Preshevës shënojnë një shekull të plotë nga ato ditë të ftohta nëntori të para një shekulli, të terrorizuar dhe masakruar, duke ia mësyrë dyndjeve dhe shpërnguljes e degdisjes “nga sytë këmbët”, për të shpëtuar “lëkurën”.
Persekutimet dhe tmerri i para një shekulli vazhdoi gjatë tërë kësaj periudhe të gjatë kohore, duke u shfaqur herë me intensitet më të madh, me rrezik të shfarosjes fizike nga faqja e dheut të “farës” shqiptare në këto troje e herë-herë dhuna dhe terrori merrnin forma më “të buta”. Mirëpo, zullumi kurrën e kurrës nuk iu ndal shqiptarëve të pambrojtur, duke krijuar kolona të gjata të shpërnguljes në pa kthim.
Mjerisht, edhe sot e kësaj dite, kjo pjesë e gjeografisë shqiptare ka mbetur nën thundrat barbare serbe, që as eshtrat e dëshmorëve të kombit nuk na lejon që në mënyrë dinjitoze t’i përkujtojmë dhe nderojmë ashtu si e meritojnë, duke na përkujtuar se “kjo është tokë serbe” dhe se ajo “dhunohet” edhe nga nderimi i të vdekurve dhe martirëve shqiptarë.
Furtunat dhe stuhitë, nga më të ndryshmet që i kaloi kjo popullatë gjatë këtij shekulli, edhe pse e dobësuan dhe e sfilitën deri në përmasa të rrezikimit të ekzistencës së saj fizike, megjithatë ringjallej dhe qëndroi stoike, duke u forcuar kështu dhe duke u ngritur çdoherë edhe më e fortë dhe më e vendosur për t’i bërë ballë stuhive të pamëshirshme dhe barbarive të kohës.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës e kremtojnë këtë shekull të pavarësisë së shtetit shqiptar me vullnetin e deklaruar politik të tyre për autonomi politike e territoriale, si rrugë dhe mënyrë institucionale e ruajtjes, kultivimit dhe të avancimit të qenies së vet kombëtare në këto troje të veta stërgjyshore, duke kërkuar vendin e merituar që të bëhen përgjegjës për fatin e vet historik dhe kontribuues të stabilitetit dhe paqes në rajon.
Ky jubile i kremtimit të 100-vjetorit të krijimit të një shteti të vetëm shqiptar, tani kremtohet me dy shtete shqiptare: me Kosovën shtet i pavarur dhe sovran, duke rritur kështu kapacitetet politike e shtetërore të tyre në nivelet më të larta në historinë e tyre.
Ky fakt fatlum i fillimshekullit XXI na gëzon edhe neve shqiptarët e Luginës, duke na bërë edhe neve, ashtu si dhe të gjithë shqiptarë kudo janë, optimist për të ardhmen tonë më të sigurt dhe më të lumtur.
Njëkohësisht, ky fakt fatlum që po e përjetojmë sot të gjithë ne, na obligon për një qasje më këmbëngulëse për mbrojtjen e qenies kombëtare të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, duke i trajtuar edhe ata si pjesë të pandarë të kombit shqiptar, ashtu si i trajton Serbia bashkëkombësit e vet serb në Kosovë.
Sepse, ashtu sikur që Serbia synon që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet, edhe ne shqiptarët atë dëshirë kemi. Pra, që edhe ne shqiptarët një ditë të jetojmë në një shtet të fortë dhe të përparuar shqiptar në Ballkan që do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon. Pikërisht nga ky fakt, edhe ne shqiptarët e Luginës së Preshevës deklaruam në pjesën e dytë të referendumit të vitit 1992 vullnetin tonë politik për bashkim me Kosovën.
Duke i uruar nga zemra të gjithë shqiptarëve kudo janë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, uroj që aspiratat kombëtare të shqiptarëve të Luginës të realizohen sa më parë!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency