Sekuestro 282 mijë USD tregtarit të Medresesë, dyshime për pastrim parash

0
169

Elton Qyno

Task-forca nis hetimet për Gang Chen, bëri transferta bankare të dyshimta. Kinezi ka biznes të falimentuar në Tiranë


Njësia hetimore task-forcë ka vendosur të bllokojë një shumë prej 282 mijë e 520 dollarë e cila i përket një shtetasi kinez që quhet Gang Chen. Hetimi për këtë çështje ka nisur dy javë më parë pasi Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë konstatuar disa transaksione bankare të kryera në bankën “Alfa Bank”, transaksione këto që nuk dihet se ku e kanë burimin e të ardhurave. Nisur nga kjo situatë, është vendosur të kryhen hetime dhe se në mesin e muajit nëntor të këtij viti të merret dhe masa e sekuestros preventive ndaj shumës së dollarëve të sipërcituar. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi kinez Gang Chen, ka ngritur një kompani në Tiranë e cila quhet “CHRM GUANG” dhe se rezulton e themeluar në datën 12 shkurt të vitit 2003. Nuk dihet me saktësi aktiviteti i kësaj kompanie, por nga informacionet e marrë në rrugë operative del se kjo kompani ushtron aktivitet tregtar në zonën e Medresesë në kryeqytetet. Shtetasi kinez, ndaj të cilit tashmë kanë filluar hetimet për pastrim parash, ka ardhur disa herë në Tiranë, ku ka bërë transfertat e parave dhe më pas është larguar menjëherë. Duke qenë se kjo sasi tepër e madhe lekësh, nuk ka një burim të ardhurash dhe se mendohet se mund të ketë rrjedhur si fitim nga aktivitete kriminale në Kinë, prokuroria ka urdhëruar ngrirjen e kësaj shume që ndodhet në llogaritë e bankës “Alfa Bank”.

Hetimi i prokurorisë

Nga verifikimet e kryera në bankë rezulton se shtetasi kinez Gang Chen ka kryer gjatë këtij viti plot 6 transaksione bankare me shuma të ndryshme parash. Të gjitha derdhjet janë bërë në dy llogari bankare dhe se valuta ka qenë në dollar dhe jo në euro. Të gjitha veprimet e mësipërme bankare, janë kryer nga shtetasi Gang Chen në bankën “Alfa Bank” me qendër në Tiranë. Shumat e depozituara nga shtetasi Gang Chen në total arrin në shumën 282 520 USD brenda vitit 2012 dhe për to është deklaruar të ardhura nga biznesi. Nga kërkimet në QKR me gjeneralitetet Guang Chen rezultoi i regjistruar subjekti, “CHRM GUANG” sh.p.k., me Nipt K31412071G, regjistruar në datë 12/02/2003, selia e ushtrimit të aktivitetit është Rruga e Dibrës, pranë Medresesë Tiranë. Objekti i veprimtarisë nuk është i plotësuar. Përfaqësuesi ligjor është Guang Chen, me status aktiv, ndërsa nga informacioni i marrë në Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve rezulton se, që nga viti 2009 ky subjekt është pasiv dhe ka kaluar tek Drejtoria e Tatimeve Tiranë. Shumat e depozituara nga shtetasi Gang Chen në total arrin në shumën 282 520 USD brenda vitit 2012 ndërkohë që ashtu siç u theksua më sipër rezulton se aktiviteti i biznesit të tij është pasiv. Pra nuk justifikohet burimi i të ardhurave të deklaruar me shumën e depozituar dhe gjendjen e aktivitetit të biznesit të deklaruara pranë tatim taksave. Këto shuma janë depozituar të gjitha në para fizike, fakt që e bën edhe më të dyshimtë për pastrim parash dhe për faktin se ka kryer transferimin e menjëhershëm të fondeve jashtë vendit në të njëjtën ditë që i ka depozituar. Mosparaqitja në bankë e asnjë dokumenti për justifikimin e kryerjes së transfertave, përveç se ka deklaruar “transfertë personale”, ç’ka e bën të pakuptueshëm qëllimin e vërtetë të destinacionit të tyre, si edhe fakti qe nuk ka paraqitur asnjë dokument justifikues për burimin e vërtetë të ligjshëm të fondeve dhe mbajtja për gati një vit e llogarisë inaktive dhe përdorimi i saj vetëm për derdhje CASH e për transferime drejt Kinës, atëherë lindin dyshime për burimin e të ardhurave të investuara dhe qarkulluara në sistemin bankar.

Hyrje-daljet në kufi

Gjithashtu nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se tek hyrjet në Shqipëri shtetasi Gang CHEN, hyrjen e fundit e ka me dokumentin, pasaportë e zakonshme kineze, me numër G51251489-CN, datë 09.09.2012, ora 17:49, me Fugon targa TR9956R, Pika Kufitare Morina. Tek daljet nga Republika e Shqipërisë rezultoi se shtetasi Gang CHEN, ka dalë nga Republika e Shqipërisë me dokumentin, pasaporte e zakonshme kineze, me numër G51251489-CN, me datën 15.09.2012 ora 19:14 me linjën ajrore TURKISH AIRLINESTK 1473/1474 STAMB, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” -Rinas. Pra rezulton se ky shtetas ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë që nga data 15.09.2012,ndërkohë që derdhja e shumës pranë “Alfa Banka” e parave në Cash figuron të jetë bërë më datë 08.11.2012 dhe rezulton se ky shtetas është paraqitur personalisht pasi ka nënshkruar emër të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency