Qëndrimi, Berisha: Projekti i qeverisë, bashkimi i shqiptarëve në Evropë

0
145

Gëzim Saliu

Abstenimi për Palestinën, Kryeministri: Nuk mund të anashkalonim SHBA-në

Buxheti, Berisha: Akuzat e opozitës për vota, vendi ynë la pas 104 vende, me një borxh 59.7%

 

Kryeministri i vendit, Berisha, ka sqaruar të gjitha mosmarrëveshjet e lindura nga keqkuptimet e deklaratave të tij me rastin e festës së 100-vjetorit të pavarësisë, duke theksuar se projekti më madhor i qeverisë që ai drejton mbetet bashkimi i shqiptarëve në Evropë. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i mazhorancës theksoi se ky proces bashkimi do të konsolidojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan. “Kurrë në histori, kombi shqiptar nuk është ndier më i bashkuar se në kremtimet e këtij 100-vjetori. Ndaj, i garantoj shqiptarët se mesazhi i tyre do të jetë projekti i ardhshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo që janë, nën moton “Të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi në Evropë”, proces ky që do të konsolidojë më tej paqen, stabilitetin, prosperitetin jo vetëm për shqiptarët, por në tërësi në Ballkan. Kështu që, le të vazhdojmë në projektin tonë të madh, të rëndësishëm, projekt që është hartuar në mënyrën më gjeniale nga Sami Frashëri dhe që shkon duke u bërë gjithnjë e më shumë realitet”, – deklaroi Berisha.

 

“Palestina”

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, kreu i mazhorancës qeverisëse komentoi edhe votën abstenuese të Shqipërisë në OKB ndaj rezolutës për Palestinën. Sipas Berishës, vota nuk mund të përkthehet si qëndrim kundra Palestinës për disa arsye dhe se kjo nuk do të dëmtojë as marrëdhëniet e shkëlqyera me Turqinë. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se Shqipëria ka qenë ndër vendet e pakta që e ka njohur shtetin palestinez. “Qëndrimin tonë ndaj rezolutës së paraqitur nga një grup i gjerë vendesh, si Kryeministër i vendit, e kam shprehur publikisht në shtator të 2011-ës në sesionin e OKB-së. Shqipëria mbështet zgjidhjen e 2 shteteve të pavarura, është ndër vendet e pakta që ka njohur shtetin palestinez, por në vitin 2011, në shtator, kam shprehur qëndrimin negativ ndaj kësaj rezolute, sepse, së pari, ne besojmë se kjo çështje, ndoshta çështja më komplekse dhe më e vështirë në planet, nuk mund të zgjidhet nëpërmjet përpjekjeve për të anashkaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – pohoi kreu i ekzekutivit. Më tej, ai nënvizoi se ekziston në mënyrë evidente një vullnet i shprehur nga Presidenti Obama dhe administrata e tij për të zgjidhur problemin me nocionin e dy shteteve të pavarura. “Natyrisht, një problem kaq i komplikuar kërkon edhe përpjekje më të mëdha, por gjykoj se roli i SHBA-së në zgjidhjen e këtij problemi është i pazëvendësueshëm. Sikundër për Shqipërinë, palestinezët dhe shteti i tyre është një vend mik, por edhe Izraeli është një vend mik gjithashtu, me të cilin ne kemi disa lidhje historike dhe jemi pa diskutim të ndjeshëm ndaj çdo lloj faktori dhe zhvillimi në rajon”, – u shpreh Berisha.

Projektbuxheti i 2013-ës

Duke u ndalur në diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2013, i cili po diskutohet në komisionet parlamentare, Kryeministri Berisha evidentoi faktin se, sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria renditet në një nga vendet me borxh jo të lartë. “Nga renditja e 145 vendeve të planetit, sipas madhësisë së borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto apo GDP-së, nisur nga vlera më e madhe tek më e vogla, Shqipëria renditet vendi i 41-të. Vendi ynë lë pas në këtë raport 104 vende, me një borxh 59.7 për qind, ndërkohë që ekonomitë më të fuqishme të botës kanë një borxh shumë më të lartë se Shqipëria”, – tha ai. Më tej, lidhur me këtë çështje, kreu i qeverisë foli edhe rreth akuzave të opozitës për rritjen e nivelit të borxhit, të cilat i cilësoi si qëndrime qëllimkeqe dhe me synime elektorale. “Përpjekja e eksponentëve të caktuara të opozitës për të dramatizuar problemin e rritjes së nivelit të borxhit është qesharake, qëllimkeqe dhe kërkon të pengojë mazhorancën dhe qeverinë që të garantojë rritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Ata duan që kjo t’u konvertohet në vota, por kjo nuk mund të pranohet”, – u shpreh Kryeministri Berisha.

 Berisha: Hetim për Carla Del Ponten

Qeveria shqiptare ka kërkuar një hetim të pavarur për Carla Del Ponten. Referuar këtij vendimi, Kryeministri Berisha theksoi se Del Ponte duhet të pranojë hetimin e pavarur. “Akuza ndaj Haradinajt ishte një pazar midis prokurores Del Ponte dhe Beogradit. Kjo ishte e programuar, nuk përfilli asnjë vendim. Akuzat ishin të gatuara nga shërbimet sekrete të Beogradit. Uroj që ajo të mos i njohë vetes asnjë imunitet dhe, siç bëri Dick Marty. I bëj thirrje ta pranojë hetimin në të mirë të saj”, – theksoi Kryeministri Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency