Pështjellimet e djaloshit TorleB

0

Ne i zhvlerësojmë gjërat në mënyrë të çuditshme posa i shprehim ato. Na duket sikur jemi zhytur në thellësi të humnerës dhe kur dalim rish në sipërfaqe, pika e ujit majë gishtërinjve tanë të zbehtë nuk i ngjan më detit, prej nga erdhi. Kujtojmë se kemi zbuluar një shpellë me thesare të çmuar, por në dritën e diellit shohim se kemi sjellë veç gurë kallpë e copëra qelqi; dhe prapëseprapë thesari vazhdon të vezullojë në terr, i pandryshuar”

Loading...

Maeter Linck

 

 

Robert Musil

Një stacion i vogël treni në linjën e largët hekurudhore për në Rusi.

Katër binarë paralelë të çeliktë zgjateshin pambarimisht në të dy drejtimet, përmes zhavorrit të verdhë të trasesë së gjerë; pranë çdonjërit, rripi i errët stampuar mbi tokë si një hije e ndotur prej tymi e avulli.

Pas godinës së ulët të stacionit, lyer me bojë vaji, një xhade e gjerë, fort e rrahur të shpinte sipër te platforma e trenit. Skajet e saj humbnin në truallin e shkelur rreth e përqark dhe dalloheshin vetëm nga dy radhët e akacieve që qëndronin të trishtuara me gjethet e etura, nga pluhuri dhe bloza të fishkura.

Mbase nga këto ngjyra të trishtuara, mbase nga drita e zbehtë e pafuqishme e diellit të pasdites, e lodhur nga pluhuri: objektet dhe njerëzit kishin diçka mospërfillëse, të pajetë dhe mekanike sikur të ishin marrë nga skena e një teatri kukullash. Kohë pas kohe, në intervale të rregullta, shefi i stacionit dilte nga zyra e tij dhe shihte përherë me të njëjtin kthim koke, pas kutisë sinjalistike, shinat e gjata që ende nuk donin të tregonin afrimin e trenit ekspres, i cili ishte vonuar shumë në kufi; dhe po me të njëjtën lëvizje të krahut, nxirrte qostekun nga xhepi dhe duke tundur kokën zhdukej sërish; si figurat në sahat-kullat e vjetra që shkojnë e vijnë, kur bie ora e plotë.

Në atë copë rruge të gjerë mes shinave të trenit dhe godinës së stacionit, një grup i hareshëm djemsh të rinj shkonte tutje-tëhu, në të majtë dhe në të djathtë të një çifti të vjetër që formonte qendrën e kuvendimit të tyre disi të zhurmshëm. Por as gëzimi i këtij grupi nuk se tingëllonte i vërtetë; të qeshurit e hareshëm fashitej veç pak hapa më tej, si të pengohej pas diçkaje të fortë, të padukshme dhe të shembej përtokë.

Frau Hofrat TorleB, një zonjë rreth të dyzetave, mbante një vel të dendur për të fshehur sytë e saj të trishtuar, skuqur paksa nga të qarit. Ishte çasti i ndarjes. Dhe ajo e kish të vështirë ta linte fëmijën e saj të vetëm, për një kohë kaq të gjatë sërish mes njerëzve të huaj, pa mundur të vigjilonte e përkujdesej vetë për të shtrenjtin e saj.

Sepse qyteza ndodhej mjaft larg kryeqendrës, në lindje të perandorisë, në një tokë të thatë bujqësore dhe pak të banuar.

Arsyeja përse zonja TorleB duhej ta linte të birin në një vend kaq të largët e të izoluar lidhej me internatin e famshëm të këtij qyteti, themeluar një shekull më parë nga një institucion religjioz dhe kish mbetur kasten aty, pa dyshim për t’i mbrojtur të rinjtë në rritje e sipër, nga ndikimet e këqija të qytetit të madh.

Bash këtu edukoheshin djemtë e familjeve më në zë të vendit, për të shkuar më pas në universitet, në radhët e ushtrisë apo në shërbim të perandorisë; në të gjitha këto raste, njëherazi dhe për përkatësinë në shoqërinë e lartë, edukimi në Ë. përbënte avantazh të madh.

Kjo e kishte shtrënguar çiftin TorleB, katër vjet më parë, t‘i binte pas ambicieve të të birit dhe duke e regjistruar atë në këtë institut.

Ky vendim kishte kushtuar më vonë shumë lot. Pse qysh në çastin kur porta e shkollës qe mbyllur pakthyeshmërisht pas shpinës së tij, TorleB-i i vogël vuante nga malli tmerr i thekshëm për vendlindjen. As orët e mësimit, as lojërat në lëndinat e mëdha të bollshme të parkut, as argëtimet e tjera që shkolla u ofronte nxënësve nuk ia hiqnin mendjen; gati nuk merrte pjesë në to. Gjithçka e shihte si përmes një veli; gjatë ditës madje, me zor mundej ta gëlltiste një dënesë të thellë; kurse mbrëmjeve e zinte gjumi duke qarë.

Gati përditë u shkruante letra prindërve, dhe jetonte veç në këto letra; gjithçka tjetër i ngjante si një varg ngjarjesh të pakuptimta, të përhijuara, stacione mospërfillëse në rrugë të tij, si shifrat mbi fushën e një ore. Vetëm kur shkruante e ndjente veten disi ndryshe, veçan të tjerëve; diç brenda tij ngjitej lart si një ishull plot ngjyra dhe diej të mrekullueshëm prej detit të ndjesive të përhime që shtrëngoheshin rreth tij, ftohtë dhe mospërfillës, ditë pas dite. Dhe kur ditën, në lojë e sipër ose gjatë mësimit, kujtohej se do të shkruante letrën në mbrëmje, i dukej sikur mbante varur fshehurazi në një zinxhir të padukshëm një çelës të artë, me të cilin, kur nuk e shihte njeri, do të hapte portën e kopshtijeve të mrekullueshme.

Por habia këtu qëndronte në faktin se ky mallëngjim i vrullshëm dhe brejtës për prindërit edhe për atë vetë ishte diçka e re dhe e huaj. Këtë nuk do ta kishte përfytyruar kurrë dikur, pat shkuar në internat me dëshirën dhe vullnetin e tij, madje kishte qeshur, kur nëna nuk i kish përmbajtur dot lotët, gjatë përcjelljes së parë; dhe vetëm më vonë, pasi i kish kaluar ditët e para i vetëm duke u ndjerë përgjithësisht mirë, papritmas kjo ndjenjë kishte shpërthyer brenda tij, me një forcë gati elementare.

Ai e quante këtë mall për shtëpinë dhe mungesë të prindërve. Në të vërtetë ama ishte diçka shumë më e papërcaktuar dhe komplekse. Sepse “objekti i këtij malli”, imazhi i prindërve të tij as që gjendej fare aty. E kam fjalën për atë lloj kujtimi plastik, fizik për një person të dashur, jo thjesht kujtesor, por që u flet gjitha shqisave dhe ruhet po në të gjitha shqisat, aq sa nuk mund të bësh tjetër, pos ta ndjesh personin në heshtje dhe padukshëm krah teje. Kjo u shua shpejt, si rezonanca që dridhmon veç për hop. Me një fjalë, atëkohë TorleB nuk mund ta thërriste më para syve imazhin e “prindërve të tij të dashur, të dashur” – siç i quante zakonisht në mendimet e veta. — Dhe nëse përpiqej ta bënte, në vend të kësaj i rritej një dhembje e pakufishme dhe malli që e torturonte dhe e mbante mbërthyer, pse flakët e tij të nxehta i shkaktonin dhembje dhe kënaqësi njëherazi. Kësisoj të menduarit për prindërit iu kthye pak nga pak më tepër si një pretekst, një shkak rastësor për të prodhuar brenda vetes këtë dhembje egoiste që e mbyllte në krenarinë e tij epshore si në oshënarinë e një faltoreje, ku rrethuar nga qindra qirinj flakëritës dhe qindra sy që vështrojnë nga imazhet e shenjta, temjani shpërndahet mes dhembjeve të të vetë-ndëshkuarve….

Më vonë, kur “malli për shtëpinë” erdh’ e u lehtësua dhe dikur u tret fare, kjo veçori e tij e vërtetë, nisi të shfaqej akoma më qartë. Zhdukja e mallit nuk solli me vete kënaqësinë që pritej; përkundrazi la një zbrazëti në shpirtin e TorleB-it të ri. Dhe kjo Asgjë, kjo pambushulli brenda vetes e bëri të kuptonte se nuk kish humbur thjesht mallin, porse diçka pozitive, një forcë shpirtërore, diçka që kishte lulëzuar brenda tij nën pretekstin e dhimbjes.

Por ja që kishte kaluar dhe ky burim i sublimimit të tij të parë ishte bërë i dukshëm për të vetëm përmes shterimit të tij.

Gjatë kësaj kohe, gjurmët pasionante të shpirtit në zgjim e sipër u zhdukën sërish nga letrat e tij dhe vendin e tyre e zunë përshkrimet e detajuara mbi jetën në internat dhe shokët e rinj që kish zënë.

Ai vetë e ndjente veten mjeran nga ky ndryshim dhe të zhvoshkur, si ajo pema e vogël që ka përjetuar dimrin e parë, pas lules ende pa fryt.

Por prindërit ndiheshin të kënaqur. E donin të birin me një ndjenjë të fuqishme, kafshërore, pa vramendje. Sa herë vinte në shtëpi me pushime dhe kthehej mandej sërish në internat, zonjës TorleB i dukej shtëpia e zbrazët dhe e braktisur, dhe ditë të tëra pas çdonjërës nga vizitat kalonte me lot në sy mes përmes dhomave, duke prekur aty- këtu me dashuri ndonjë send, ku ishte prehur syri i djaloshit apo qe prekur nga gishtërinjtë e tij. Dhe të dy prindët do të qenë ndarë copash për hir të tij.

Mallëngjimi i tepruar dhe brenga e zjarrtë kokëforte në letrat e tij i pikëllonte fort dhe i mbante në një gjendje ndjeshmërie të tensionuar; lehtësimi i hareshëm e i kënaqur që pasonte mandej, i gëzonte sërish dhe me ndjesinë se qe kapërcyer një krizë, bënin ç‘ishte e mundur ta inkurajonin atë.

As në njërën fazë dhe as në tjetrën ata nuk mundën të dallonin simptomën e një zhvillimi të caktuar shpirtëror; përkundrazi, si dhembjen dhe lehtësimin e saj i kishin pranuar gati si një pasojë e natyrshme e gjendjes aktuale. U shpëtoi fakti se një djalë i ri kish bërë përpjekjen e parë vetmevete, të pasuksesshme, për të shpalosur fuqitë e tij të brendshme.

TorleB, sidoqoftë tani ndihej shumë i pakënaqur dhe kërkonte më kot aty-këtu, diçka të re që mund t‘i shërbente si mbështetje.

 

***

Në këtë periudhë, një ngjarje ishte veçanërisht domethënëse për të kuptuar zhvillimin e mëvonshëm të djaloshit TorleB.

Një ditë, në internat kishte ardhur princi i ri H., pinjoll i një prej familjeve fisnike më të vjetra, më konservative dhe më me ndikim në perandori.

Për gjithë të tjerët princi ishte një njeri i mërzitshëm dhe me vështrim të fjetur, gati fals; mënyrën si rrinte më këmbë, njërën ijë nxjerrë lehtë përpara, apo si luante ngadalë me gishtërinjtë teksa fliste, e tallnin si femërore. Por çka ua rriste më tepër shpotinë lidhej me atë që nuk e patën sjellë në internat prindërit, por kujdestari i tij i atëhershëm, një doktor në teologji, pjesëtar i një urdhri fetar.

Porse djaloshit TorleB kjo i kishte lënë një përshtypje të fortë qysh në çastin e parë. Mbase këtu ndikonte fakti se ai ishte një princ i vërtetë oborri, dhe natyrisht një tjetër lloj njeriu që TorleB kish rastin të njihte.

Heshtja dhe qetësia e një kështjelle të vjetër fisnikësh, si dhe ushtrimesh të devotshme dukej sikur ende rrinte e ngjitur fort sipër tij. Kur ecte, këtë e bënte me lëvizje të buta, të hijshme, me atë kontraktim disi të ndrojtur e të ngrirë të trupit, shprehi e mbetur nga procesionet përmes sallave të shkreta e zbrazëta, ku dikush tjetër me siguri do kish rendur të zinte qoshet e padukshme të dhomës së zbrazët.

Shoqërimi me princin u kthye për djaloshin TorleB në burim të një kënaqësie të hollë psikologjike. Ai hodhi brenda tij bazat për atë lloj dije njerëzore, e cila të mëson ta njohësh dhe vlerësosh tjetrin pas timbrit të zërit, pas mënyrës si merr dhe mban diçka në dorë, madje, edhe pas timbrit të heshtjes dhe qëndrimit trupor, me të cilin ky futet në një dhomë, — shkurt, në atë mënyrë të luhatshme, paksa të prekshme, ani pse thelbësore për të qenë një krijesë e vërtetë njerëzore, një shpirt, rreth thelbit të tij, e dukshmja dhe e debatueshmja është qarkuar si rreth një grushti eshtrash, — për të dalluar dhe shijuar paraprakisht aspektin mendor të personalitetit të tij.

Gjatë kësaj kohe të shkurtër, TorleB jetonte si në një idil. Nuk shqetësohej as për devotshmërinë besimtare të mikut të tij të ri, megjithëse ai vetë, duke ardhur nga një familje qytetare e mendimit të lirë, kjo i dukej vërtet krejt e huaj. E pranonte këtë pa u menduar dhe arriti gjer aty, sa kjo t‘i dukej vërtet si një tipar veçanërisht i admirueshëm te princi, sepse ai e lartësonte edhe më tej qenien këtij njeriu, në lidhje me të cilin, ai ndihej tërësisht i ndryshëm, po aq sa dhe krejt i pakrahasueshëm.

 

Në shoqërinë e princit ai ndihej gati si në një faltore, larg rrugës kryesore, aq sa mendimi se në të vërtetë ai nuk përkiste fare aty, gati u tret para kënaqësisë që ta shihte një herë dritën e diellit përmes dritareve të kishës dhe ta linte vështrimin e tij të rrëshqiste përmbi ornamentet e praruara, pa ndonjë funksion, të mbledhura në shpirtin e këtij njeriu, gjersa nga ky vetë të përftonte një pamje sado të paqartë, bash, sikur pa e vrarë mendjen, të kalonte gishtin mbi një arabeskë të bukur, lakuar në bazë ligjesh të çuditshme.

Pastaj papritur miqësia e tyre mori fund.

Për shkak të një budallallëku, siç do ta pranonte TorleB më vonë.

Një herë qëlloi të debatonin vërtet mbi një çështje fetare. Dhe brenda atij çasti, gjithçka kishte marrë fund. Sepse, si të ishte krejt i pavarur nga i zoti, gjykimi i TorleB-it iu turr pandalshëm princit të ndjeshëm; i përplasi atij qesëndinë e një njeriu racional duke e shkatërruar barbarisht ndërtesën filigrane, ku strehohej shpirti i tij. Dhe kështu u ndanë të zemëruar.

Që nga ajo kohë nuk shkëmbyen më asnjë fjalë me njëri-tjetrin. TorleB e kuptonte qartë se veprimi i tij kish qenë pa kuptim dhe një ndjesi e turbullt instinktive i tregonte se ky kut matës i arsyes kishte shkatërruar në një kohë krejt të papërshtatshme diçka të rrallë e të mrekullueshme. Por mbi këtë diçka ai nuk kishte kurrfarë kontrolli. Me gjasë i la përgjithmonë një lloj malli për të shkuarën; por tashmë dukej sikur qe hedhur në një rrjedhë tjetër, e cila po e shpinte atë larg e më larg, dhe në një drejtim krejt të ndryshëm. Pas një farë kohe Princi nuk qe ndjerë mirë në internat dhe u largua.

 

***

Për TorleB tani gjithçka ishte e zbrazët dhe e mërzitshme. Por ndërkohë qe rritur dhe me shpërthimin e adoleshencës diçka nisi të rritej ndër të, e errët dhe graduale. Në përputhje me këtë fazë zhvillimi dhe interesat e moshës, ai lidhi miqësi të reja, të cilat do të kishin rëndësi të madhe për të në të ardhmen. U bë shok me Beineberg dhe Reiting, me Motë dhe Hofmeier, pra me djemtë, në shoqërinë e tyre kishte përcjellë sot prindërit në stacionin e trenit.

Shkëputur nga romani me të njëjtin titull, fragment marrë nga revista “Aleph”

Përktheu: Jonila Godole

Loading...