Katër fëmijë me SIDA, dy u infektuan nga operacionet në QSUT e Ushtarak

0
167

Blerta Mrishaj

Ministria e Shëndetësisë bojkoton komisionin, asnjë përfaqësues në debat

Përplasje QSUT-Shoqata për mungesën e ilaçeve, spitali mohon

 

Një fëmijë 3 vjeç e gjysmë rezulton të jetë infektuar me virusin HIV/AIDS pas një operacioni të kryer në pediatrinë e QSUT-së, ndërsa dyshohet se një tjetër fëmijë është infektuar në Spitalin Ushtarak. Nga katër raste të reja të fëmijëve të hetuar me sëmundjen e shekullit, vetëm në Tiranë dy prej fëmijëve e kanë marrë virusin nga prindërit, ndërsa në dy rastet e tjera, prindërit rezultojnë të jenë të shëndetshëm. Pas kryerjes së analizave mbi prindërit e këtyre fëmijëve, që kanë rezultuar negativë, specialistët e shëndetit kanë kontrolluar kartelat shëndetësore. Njëri prej fëmijëve është shtruar 7 herë në spital, duke konfirmuar dyshimet se virusin HIV e ka marrë në spitalin terciar më të madh në vend, ndërsa për rastin tjetër vijojnë hetimet. Raportimi i skandalit në fjalë është bërë dje në seancën dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, ku mjekë epidemiologë, përfaqësues të Shoqatës së të Sëmurëve me HIV/AIDS, drejtori i ISHP-së dhe nëndrejtori i QSUT-së parashtruan situatën e kësaj sëmundjeje në vendin tonë. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, pohoi se rastet kanë dy muaj që po hetohen, për të zbardhur më tej edhe mënyrën e infektimit të tyre. Ndërsa doktoreshë Eli Foto, shefe e pavijonit të infektivit në pediatri, deklaroi se situata është alarmante, pasi në QSUT mungojnë ngarkesa virale, nuk bëhen analizat, gjithashtu mungojnë ilaçet dhe fëmijëve u ndahet doza, pasi ka vetëm ilaçe të të rriturve. E gjithë mbledhja e komisionit u shoqërua me debat mes përfaqësuesve të shëndetësisë, Shoqatës së të Prekurve me HIV/AIDS dhe deputetëve të majtë, të cilët e quajtën situatën skandaloze. Sakaq, mbledhja u bojkotua nga Ministria e Shëndetësisë, e cila në komision nuk kishte asnjë përfaqësues të saj. Në lidhje me mungesat e ilaçeve, reagentëve për kryerjen e analizave shëndetësore për fëmijët, nëndrejtori i QSUT-së, Ariel Çomo, mohoi kategorikisht, teksa gjatë debatit, ai pranoi se ka mungesa të herëpashershme të terapisë antiretrovirale dhe shurupit për fëmijët.

Specialistët

Specialistët e shëndetit deklarojnë se sëmundja tek këta dy fëmijë është bërë vetëm dy muajt e fundit. Sipas Marjeta Dervishit, epidemiologe, në programin HIV-AIDS thotë: “Në një prej kartelave thuhet se ka bërë një intervent kirurgjikal për një hernie urinare. Rasti i parë është në shërbimin pediatrik në QSUT dhe rasti tjetër gjithashtu ka bërë ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak”. Ariel Çomo, nëndrejtor i QSUT-së, mohoi në mënyrë kategorike mungesën e ilaçeve antiretrovirale, duke theksuar se mungesa ka vetëm për shurupin për fëmijët, por që jepen ilaçe sipas dozave të përcaktuara nga mjekët. Eltar Deda, deputet i majtë, dhe Eglantina Gjermeni debatuan në lidhje me situatën, duke e quajtur alarmante dhe kërkuan marrjen e masave të menjëhershme për pajisjen e spitaleve me ilaçe. Sakaq, Deda mungesën e përfaqësueseve të Ministrisë së Shëndetësisë e quajti akt të papërgjegjshëm dhe kërkoi që të bëhet i mundur zbatimi i ligjit.

Debati

Enver Roshi, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik

Sa u takon rasteve të identifikuara me sëmundjen HIV/AIDS, tregon për një trend në rritje. Sipas Roshit, në vendin tonë rezultojnë të jenë gjithsej 28 fëmijë, prej të cilëve 20 janë me transmetim vertikal, nga nëna te fëmijët, ndërkohë që për 2012 janë zbuluar 4 raste të rinj të fëmijëve, dy me transmetim vertikal dhe 2 fëmijë të tjerë, prindërit e të cilëve edhe pas analizave kanë rezultuar negativ. Për këto dy raste të hetuar këto dy muajt e fundit është ngritur grupi i punës dhe po hetohet. Kreu i ISHP-së tha se mbetet ende për t’u bërë shumë, ndërsa kërkoi që t’u jepet ndihma sociale. Gjithashtu, në mbështetje të kësaj kategorie, Roshi deklaroi se duhen ndryshuar protokollet, në mënyrë që të bëhet i mundur diagnostikimi i rasteve qysh në barkun e nënës. Deri tani në vendin tonë mungojnë reagentët që bëjnë të mundur diagnostikimin e rasteve nga nëna te fëmijët. Sipas të dhënave të ISHP-së, rezulton se 5 për qind e rasteve në total janë fëmijë.

Marjeta Dervishi, mjeke epidemiologe, në programin e HIV/AIDS

Këtë vit janë katër raste të reja të fëmijëve pozitivë me HIV/AIDS. Dy prej këtyre fëmijëve vijnë nga prindër të infektuar, ndërsa dy fëmijët e tjerë, ndonëse të infektuar, nuk kanë kryer asnjëherë transfuzion gjaku apo plazmë. Njëri prej fëmijëve është 3 vjeç e gjysmë nga një fshat i Tiranës, sipas historikut shëndetësor, rezulton të jetë shtruar 7 herë në spital, madje ka kryer një operacion në pediatrinë e QSUT-së. Ndërsa fëmija tjetër, edhe ky me prindër të shëndetshëm, rezulton të jetë i prekur me virusin HIV/AIDS, edhe ky ka kryer një operacion në Spitalin Ushtarak, pas një ndërhyrjeje për një hernie urinare. Rrugët nga të cilët janë infektuar këta të vegjël, janë ende të pazbardhura, ndërsa ekspertë të shëndetit kanë kërkuar hetim të çështjes.

Liliana Dango, Qendra Kombëtare për Shërbimin Komunitar

Sa i takon studimit të kryer nga kjo qendër, rezulton se HIV/AIDS ka përhapje të gjerë gjeografike, nga Tropoja në Lushnjë. Deri tani, në vendin tonë kanë vdekur 5 fëmijë, prej të cilëve dy vajza përkatësisht me moshë 14-15 vjeç nga Dibra dhe Tropoja dhe një tjetër 21-vjeçare nga Tiranë. Të tjerat janë raste të cilat e kanë zbuluar shumë vonë sëmundjen. Ndërkohë, prindërit e këtyre fëmijëve të sëmurë rrinë korridoreve dhe lulishteve të spitalit, pasi nuk kanë mundësi financiare të ndjekin trajtimin mjekësor. Gjithashtu, konstatohet se ka shumë mangësi, duke nisur që nga fakti se ka mungesë dhe vështirësi të diagnostikimit të rasteve. Mund të përmendet një rast, kur një fëmijë i lindur në janar të 2012-ës, mungon hetimi i këtij rasti për shkak të mungesës së një kiti prej 12 mijë lekësh për diagnostikimin e rastit nëse është mbartës i sëmundjes apo jo.

Eli Foto, shefe e shërbimit të Infektivit në Pediatrinë e QSUT-së

Kemi shumë vështirësi, pasi ngarkesa virale nuk bëhet. Për këtë ne kërkojmë që të bëhen testet e HIV dhe ngarkesa virale. Duhet thënë se kemi mungesa të antiretroviralëve, kjo herë pas here. Duhet diagnostikim i mirë i këtyre rasteve dhe ndjekje protokollare. Ndërkohë, kërkohet të bëhet një takim i mjekëve pediatër për hetimin e rasteve me HIV/AIDS si dhe ajo që ne kërkojmë, është që të ngrihet një shërbim ambulator në Qendrën Spitalore Universitare për fëmijët me HIV/AIDS. Ndërkohë, deri tani ne bëjmë ndjekjen e 15 fëmijëve.

 

Olimbi Hoxha, kryetare e Shoqatës Shqiptare në Mbrojtje të Personave me HIV/AIDS

Keqmenaxhohen antiretroviralet dhe mund të them se ka tre muaj që s’ka ilaçe për fëmijët në pediatri. Fëmijëve po u jepen ilaçet e të rriturve, ndërkohë që dihet se ka një buxhet të veçantë për këtë kategori. Sakaq, duhet të dini se ka një vit e gjysmë që s’bëhen analizat. Për 24 fëmijë akoma nuk jepet ndihma shoqërore. Kërkojmë të shikohet ligji dhe të zbatohet ajo çka është miratuar në këtë komision vite më parë, duke u bërë e mundur dhënia e ilaçeve, ndihma shoqërore dhe kryerja e analizave. Sa u takon të dhënave, duhet thënë se në raport me vendet e rajonit, si Kosova dhe Maqedonia, do thosha se aq raste sa zbulohen në vendin tonë në një muaj, aq zbulohen në një vit në vendet e sipërpërmendura.

Irena Qendro, drejtore e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut

Sa u takon rasteve për identifikimin e atyre rasteve që kanë HIV/AIDS, qendra jonë i gjurmon, pasi merret gjaku, analiza kryhet në ISHP, aty ku bëhet edhe konfirmimi. Nga aty ne arrijmë të marrim të gjitha të dhënat e dhuruesit. Do shtoja se kemi avancuar me zvogëlimin e dhuruesve me pagesë, pasi ne mbajmë një kontigjent të tillë, vetëm 3 për qind janë dhurues të rregullt me pagesë, të cilët i mbajmë për të siguruar gjak në kohë krize, siç është periudha e janarit dhe e gushtit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency