Haradinaj synon “ta udhëheqë sërish vendin”

0
149

Ed Vulliamy

“The Guardian”

 

Ramush Haradinaj i kaloi tetë vjet si i akuzuar për krime lufte, para se të shpallej i pafajshëm. Por, tani në Ballkan pritet që të ketë një krizë të re lidhur me disa dyshime për një marrëveshje të Beogradit për ndjekjen penale të tij.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj – i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata për Krime të Luftës në Hagë, të enjten, më 29 nëntor, pasi kishte qenë i akuzuar për tetë vite dhe pasi që ishte gjykuar – tha të shtunën se synon “ta udhëheq sërish vendin tim”. Kryeministri aktual tani është tërhequr, për të lënë hapësirë që Haradinaj të kthehet në detyrë në fillim të janarit.
Për akuzën shumë të rëndë, Haradinaj tha se besonte se akuzimi i tij kishte qenë “rezultat i marrëveshjes në mes të Hagës dhe qeverisë së Serbisë, në të cilën unë isha monedhë për kusuritje”. Akuza e paralajmëruar kundër ish-kryeprokurores Carla Del Ponte – e cila për momentin është hetuese e OKB-së për të drejtat e njeriut për Sirinë – pritet të shkaktojë një tronditje të madhe.
Haradinaj është pritur në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nga një turmë prej mbi 100.000 vetash. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë vitit të shpalljes së pavarësisë i kishte thënë gazetës “Observer” në një intervistë ekskluzive, se “kjo ishte edhe një fazë tjetër në përvojën time të gjatë dhe të vendit dhe popullit tim”. “Po tani kjo ka marrë fund. Populli ynë ka kaluar nëpër vuajtje të mëdha dhe plani im tani është që të bëhem kryeministër i Kosovës dhe të ndërtoj shoqërinë dhe ekonominë tonë për të gjithë kosovarët – shqiptarët, serbët, romët, për të gjithë”.
Haradinaj ka qenë udhëheqës i luftës së armatosur në fund të viteve ‘90, por shpejt kaloi në politikë. Ai ishte akuzuar pas 100 ditësh si kryeministër, duke dhënë dorëheqje, për t’iu dorëzuar gjykatës. “Gjatë tërë kohës e kam ndjerë se kjo ishte padrejtësi”, – thotë ai. “Gjithë këto vite jam ndjerë se kam qenë monedhë për kusuritje në marrëveshjen e bërë në Beograd”. Ai thotë se ishte akuzuar si rezultat i “kompromisit që disa kishin bërë me qeverinë serbe në Beograd, për të siguruar që ata të ekstradonin të dyshuarit e rangut të lartë serbë për krime lufte”.
Shpallja e pafajësisë, po ashtu, shënon një moment potencial shpërthyes në tërë Ballkanin. Duke iu drejtuar masës, Haradinaj e vuri shpalljen e tij si të pafajshëm në kontekst politik, duke deklaruar se ajo nënkuptonte se “lufta jonë ishte e drejtë dhe e pastër”.
Megjithatë, drejtori i zyrës së Serbisë për Kosovën në Beograd, Aleksandër Vulin, tha se lirimi do të mund të fundoste negociatat për Kosovën. “Si mund të diskutojmë për personat e zhdukur, për viktimat dhe për pronën e uzurpuar nëse përballë nesh do të jetë i ulur dikush i cili me të drejtë ishte akuzuar për kidnapime dhe vrasje?”, – pyeti ai.
Por, kryeministri serb, Ivica Daçiq, këshilloi: “Përkundër të gjithave, është në interes të Serbisë që të vazhdojnë bisedimet me Prishtinën, për shkak të integrimit në BE”.
Haradinaj insistoi në “Observer”: “Dialogu është pa dyshim e vetmja rrugë drejt stabilitetit dhe demokracisë në rajon dhe në vendin tonë. Absolutisht, bisedimet duhet të vazhdojnë”.
Lirimi i Haradinajt vjen pas lirimit të Naser Oriçit të Bosnjës – komandant i Srebrenicës së shkatërruar – dhe pas lirimit të kohëve të fundit të gjeneralit kroat, Ante Gotovina, duke i dhënë kështu fund strategjisë së tribunalit për ndjekjen e ‘balancuar’ të të gjitha palëve në konflikte.

Haradinaj ishte akuzuar në mars të vitit 2005, për shkak të gjoja lidhjes me trupat e hedhur afër një liqeni dhe për shkak të rolit që supozohej se kishte pasur në tortura dhe vrasje në kampin e UÇK-së në Jabllanicë. Ai ishte pas gjykimit të parë, ku rasti i prokurorisë ishte hedhur poshtë për një varg arsyesh, përfshirë edhe për shkak të dëshmisë se tetë nga të vdekurit për herë të fundit ishin parë se kishin qenë të burgosur nga forcat serbe. Megjithatë, gjykata urdhëroi që të bëhet rigjykimi, duke pranuar ankesën se dëshmitarët mund të kenë qenë të frikësuar dhe për të paraqitur dëshmitarë të tjerë. “Dëshmitë” e reja më vonë u dëshmuan si të fabrikuara dhe të pabazuara.
Tani pyetja e rëndësishme se pse u akuzua Haradinaj është shumë kundërthënëse. Një prej ish-prokurorëve të lartë të Del Pontes, Sir Geoffrey Nice – prokuror kryesor në Gjykimin e ish-kryetarit të Serbisë Sllobodan Milosheviq – pajtohet me shprehjen e Haradinajt për “monedhën për kusuritje. Ishte e qartë se prokurorja ishte e vendosur ta ndiqte penalisht Haradinajn”, – tha ai. “Mund të ndodhë që ajo po u përgjigjej ankesave për numrin jo të mjaftueshëm të kosovarëve që po ndiqeshin penalisht.
“Ishte shumë e qartë se ajo do të bënte çmos për të kapur Karaxhiqin dhe Mlladiqin”, – shtoi ai. “Dhe kur ndaleni tani dhe i shikon të gjitha këto, duhet të pyesësh: “A janë këto gjëra të ndërlidhura në mënyrë të rafinuar?” Një gjë është të thuhet se dikush do të ndjek penalisht persona nga të gjitha palët në konflikt; por testimi i dëshmive të mjaftueshme për të arsyetuar ndjekjen penale të dikujt duhet gjithmonë të mbetet i njëjtë. Prokurorët nuk munden që thjesht të ndjekin dikë penalisht vetëm pse me duan çdo kusht ta shohin atë të akuzuar – ose sepse ketë e dëshiron dikush tjetër”.
Në autobiografinë e saj, Del Ponte përkujton se si Beogradi e ndërlidhte dorëzimin e Mlladiqit me qëndrimin e Serbisë për Kosovën – “duke mos e arrestuar Mlladiqin”, shkruan Del Ponte, “sepse Beogradi do të bënte dorëzimin e tij në këmbim të garancive nga bashkësia ndërkombëtare se Kosova do të mbetej pjesë e Serbisë”. Del Ponte tregonte se si i ishte përgjigjur ajo presionit të kryeministrit të Serbisë Vojisllav Kostunica duke i premtuar atij “një akuzë deri në fund të vitit (2004) kundër një komandanti të lartë”.
Komandanti që do të mund ta bënte Kosovën e pavarur ishte Haradinaj, i mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare si person për të udhëhequr shtetin e ri.
Kur Haradinaj dha dorëheqje, burrat e shteteve u rreshtuan për të lavdëruar atë që nënkryetari i SHBA-së Joseph Biden e përshkroi si “largim të tij të dinjitetshëm”. Biden kishte thënë: “Udhëheqësit serbë në Beograd privatisht ia kishin pranuar se nga të gjithë udhëheqësit politikë kosovarë, ishte Haradinaj ai me të cilin ata do të mund të negocionin me nivelin më të lartë të besimit”.
Sekretari i jashtëm britanik, Robin Cook, shprehu keqardhjen për humbjen e një “avokuesi të tolerancës”, siç bëri edhe ish-përfaqësuesi special i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, në kohën kur “Kosova është më afër se kurrë ndonjëherë më parë që të realizojë aspiratat e saj”.
Megjithatë, “janë pikërisht këto kualifikime që e bënë Haradinajn njeriun që serbët donin ta hiqnin qafe në përpjekjet e tyre për ta penguar funksionimin e pavarësisë së Kosovës”, – thotë avokati i tij, Ben Emmerson.
Rasti i ishte caktuar njërit prej avokatëve më të shquar të Hagës, Andreë T Cayley. “Ishte një rast shumë shumë i vështirë për t’u hetuar në terren”, – i kishte thënë Cayley gazetës Observer, “më vështirë se në çdo vend tjetër të ish Jugosllavisë”. Por, në vitin 2004, Cayley theksoi se ndihej “nën një presion gjithnjë e më të madh për të dalë me diçka… pothuaj sikur të isha duke e vënë në dyshim një rezultat të paracaktuar”.
“Pas shqyrtimit të hollësishëm të dëshmive që ishin në dispozicion, unë e shkrova një raport të gjerë për prokurorin, duke theksuar se në atë fazë ne nuk mund të ngrinim padi në bazë të dëshmive që kishim”.
Megjithatë, raporti “u ndryshua menjëherë në zyrë. Pati një hidhërim të madh për qëndrimin tim dhe unë u qortova. Por, unë thashë: ‘Kam përgjegjësi etike, ligjore dhe morale këtu”. Cayley shton: “Po të kishte qenë kjo ndjekje penale në ndonjë shtet, do të duhet të zhvilloheshin hetime publike për të”.
Në të vërtetë, ish-drejtori i Prokurorisë Publike, Lord Madonald of River Glaven, tha dje se: “Kjo ndjekje penale ishte një përpjekje e marrë për të barazuar rezistencën me agresionin. Ky ishte turp për bashkësinë ndërkombëtare”.
Ndrydhja e raportit të Cayley shkaktoi rebelim. Dy prokurorë të lartë në zyrën e Del Pontes, Sir Geoffrey dhe Mark Harmon – amerikan i cili kishte siguruar dënime të rëndësishme kundër kryesve të masakrës së Srebrenicës – i shkroi Del Pontes, duke kërkuar që akuza është dashur të shqyrtohej nga ekspertët.
Këta dy persona theksuan se ishin të vetëdijshëm për dënimet që iu kanoseshin “atyre që kishin konstatuar se nuk kishte rast”; ata konsideronin se padia do të kishte “pasoja të rënda në rajon” dhe do t’i përkeqësonte atë që ata e quanin “atmosferë vazhdimisht të pakëndshme” në zyrën e prokurores.
Ekzistonte edhe shqetësimi ndërkombëtar për dëshmitë. Sipas një biografie tjetër nga zëdhënësja e Del Pontes, Florence Hartmann, e ngarkuara e departamentit të shtetit të SHBA-së për Evropën, Kathleen Stevens, kishte pyetur: “A ua ka dhënë Beogradi dëshmitë tuaja?” Burimet e tjera e kishin vënë në pah dyshim se dëshmitë ishin “fabrikuar nga shërbimet informative serbe”.
Ben Emmerson pyet: “Si ka mundur prokuroria të bazohet aq shumë në dosjen me dëshmi të mbledhura nga shërbimi famëkeq informativ serb… dhe pastaj të vazhdohet në bazë të këtyre akuzave përkundër këshillave nga prokurorët e vet të lartë se kundër z. Haradinaj nuk kishte rast për ta gjykuar?”
Për gjykimin e dytë ishin dy dëshmitarë: Dëshmitari ’80’ dhe ’81’. Dëshmitari ‘80’ e përshkroi një incident të tmerrshëm, por e ndryshoi rrëfimin e tij duke thënë se Haradinaj nuk kishte qenë aty. Por, Cayley thotë se e kishte “këshilluar prokurorin, në vitin 2004, që dëshmitari ‘80’ nuk ishte aspak i besueshëm”.
Dëshmitë që dëshmitari ‘80’ ia kishte dhënë pjesëtarit të shërbimit informativ serb, po ashtu ishin hedhur poshtë. “Dosja i ishte dorëzuar Hagës nga serbët”, thotë Emmerson. “Pyetja është: kush e ka vënë atë aty dhe pse?”
Del Ponte nuk i është përgjigjur gazetës “Observer” lidhur me pretendimin se ka pasur marrëveshje, por i ka thënë agjencisë Tanjug në Beograd se nuk e kishte “befasuar” vendimi i së enjtes.

 

(Marrë nga “Koha ditore”)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency