Dekreti i Presidentit Adriatik Llalla emërohet prokuror i Përgjithshëm

0
281

Florenc Drizari

Nishani dekretoi një ditë më parë kreun e ILDKP-së në krye të organit të akuzës, pritet votimi në Kuvend

Adriatik Llalla emërohet në postin e prokurorit të përgjithshëm. Presidenti Bujar Nishani dekretoi një ditë më parë emrin e kryetarit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, si kryeprokuror në Republikën e Shqipërisë. Zyra e shtypit e Presidencës publikoi njoftimin zyrtar, ndërkohë që në dekretin e kreut të shtetit thuhet se vendimi hyn në fuqi menjëherë. “Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 149.1 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7, pika 1, të ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, dekretoj: Zoti Adriatik Llalla, emërohet prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë. Nr. i dekretit 7840”, – thuhet në dekretin e Presidentit. Në relacionin shpjegues, kreu i shtetit thotë gjithashtu se përzgjedhja e z. Llalla u bë pas shqyrtimit të disa kandidaturave dhe për marrjen e këtij vendimi u mor parasysh përvoja e tij në strukturat e prokurorisë dhe konsensusi i dhënë nga Kuvendi i Shqipërisë. Aktualisht, postin e kreut të akuzës e mban Ina Rama dhe me dekretin e ri, në krye të organit të akuzës pritet të vijë Adriatik Llalla, por pasi kandidatura e tij të votohet në Parlament. Nga ana e tij, zoti Llalla ka qenë një kritik i drejtpërdrejtë i mosveprimit të drejtësisë, i prokurorisë edhe gjykatës në luftën kundër korrupsionit.

Vendimi për kryeprokurorin

Presidenti në relacionin shoqërues të dekretit argumenton se ka përzgjedhur për funksionin e prokurorit të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla, duke vlerësuar përvojën e gjatë në strukturat e prokurorisë, konsensusin e dhënë për zgjedhjen e tij nga Kuvendi në krye të ILDKP-së dhe vlerësimet që ai ka marrë institucioni që ai drejton nga faktorët ndërkombëtarë. “Me dekretin nr. 7840, datë 3.12.2012, kam vendosur të emëroj si prokuror të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla. Ndërmjet disa kandidaturave, përzgjodha për funksionin e prokurorit të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla, pasi vlerësova eksperiencën e gjatë në strukturat e prokurorisë, institucion në të cilin ka kryer funksione të ndryshme. Vlerësova gjithashtu zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP, institucion i cili nga partnerët tanë ndërkombëtarë është vlerësuar si i konsoliduar dhe i pavarur. Kam bindjen se kjo kandidaturë gjen gjithashtu vlerësimin dhe pranimin jo vetëm të faktorit politik, por edhe të opinionit publik”, – thuhet në relacionin e kreut të shtetit. Ndërkaq, sipas burimeve nga grupi parlamentar i PD-së, mësohet se edhe Kryeministri Berisha ka vlerësuar figurën e kreut të ri të akuzës të propozuar nga Presidenti Nishani. Në mbledhjen e grupit të djeshëm parlamentar demokrat, mësohet se Kryeministri ka thënë se shpreson që kandidatura e tij të votohet me konsensus edhe nga opozita, ashtu si u zgjodh në krye të ILDKP-së.

Më 14 tetor 2008, Adriatik Llalla mori zyrtarisht detyrën e inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, post të cilin e gëzon edhe aktualisht.

Tryeza e konsultave

Dy ditë para datës 22 nëntor, datë sipas të cilës mazhoranca ka thënë se skadon edhe mandati i kryeprokurorit, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nisi një tryezë konsultash me krerët e grupeve parlamentare lidhur me kriteret e përzgjedhjes për figurën e numrit një të akuzës. Në atë tryezë kreu i Shtetit kërkoi të shkëmbeheshin mendime rreth vlerave më të mira që duhet të përfaqësojë prokurori i Përgjithshëm i Republikës. Sipas njoftimit që zyra e shtypit e Presidencës publikoi në faqen zyrtare të saj, “të gjithë përfaqësuesit e forcave politike vlerësuan pozitivisht procesin e konsultimeve si një mundësi dhe hapësirë për të prezantuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me çështjen e objektit të takimit. Në tërësi, përfaqësuesit e forcave politike shprehën pritshmëritë e tyre për një nivel të lartë profesionalizmi, integriteti dhe pavarësie institucionale nga figura e prokurorit të Përgjithshëm”, – thuhej një njoftimin e zyrës së shtypit. Përpos kësaj, në tryezën e zhvilluara nga Presidenti për kriteret e përzgjedhjet së kryeprokurorit të ri, opozita e kundërshtoi atë iniciativë duke argumentuar se mandati i numrit një të akuzës përfundon më 23 maj të 2008-ës, datë kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

 

Llalla: Pozicionin e shoh si sfidë dhe përgjegjësi, kam marrë urime edhe nga opozita

Pas shpalljes së dekretit nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, për prokurorin e ri, reagoi edhe kryetari i ILDKP-së, Adriatik Llalla, i cili vlerësoi vendimin e marrë nga kreu i shtetit. Kandidati për prokuror të Përgjithshëm e vlerësoi propozimin e ri si sfidë dhe përgjegjësi njëherësh. Në një prononcim për mediat, Llalla shprehet se do të vijojë në krye të ILDKP-së deri në momentin që dekreti i Presidentit Bujar Nishani të votohet. Adriatik Llalla bën me dije se ka marrë telefonata urimi edhe nga opozita. “Pa diskutim që kam pasur telefonata urimi, familja, dashamirës edhe nga opozita, nga të gjithë. Nuk është ende momenti për të diskutuar, janë disa procese të tjera që duhen kaluar”, – deklaroi Llalla.

 

Karriera e kryeprokurorit të ri

Adriatik Llalla është zgjedhur inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 9.10.2008 nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dekret datë 14.7.2008. Zoti Llalla ka kryer studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, titulli “Jurist”. Në muajin janar të vitit 1998, ka filluar karrierën profesionale si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë. Më pas u emërua prokuror në këtë prokurori, detyrë në të cilën punoi nga viti 1999 – 2002. Nga viti 2002 – 2003 ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Në vitin 2003 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, detyrë në të cilën ka punuar deri në vitin 2005. Nga viti 2005 deri në 2008 ka punuar si zv.drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në vitin 2006 zgjidhet anëtar i Këshillit të Prokurorisë dhe nga viti 2007 – 2008 ka qenë kryetar i Këshillit të Prokurorisë. Më datë 4 maj të vitit 2010 zgjidhet kryetar i Rrjetit të Ekspertëve të Integritetit, pjesë e të cilit janë institucionet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesave dhe deklarimit të pasurive për shtetet e Evropës Juglindore dhe disa vende të tjera të Evropës. Në vitin 2011 ka përfunduar masterin për Të Drejtë Penale, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Zoti Llalla ka njohuri shumë të mira në gjuhën angleze.

Takimi i fundit Nishani – Llalla

Takimi i fundit që Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar me kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, ka qenë ai i datës 9 tetor 2012. Kreu i shtetit, në kuadër të shkëmbimit të mendimeve me krerët e institucioneve të pavarura kushtetuese është takuar edhe me kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Presidenti Nishani në atë kohë vlerësoi punën e ILDKP-së ndaj hetimit dhe luftës kundër korrupsionit si dhe përpjekjet e bëra për ngritjen e infrastrukturës në këtë fushë. Gjatë atij takimi kreu i shtetit e garantoi zotin Llalla për mbështetjen maksimale që Presidenti i Republikës i jep këtij institucioni dhe drejtuesve të tij në përmbushjen me sukses të misionit kushtetues dhe transparencës për qytetarët. Sipas njoftimit që ka publikuar zyra e shtypit, Nishani dhe Llalla kanë diskutuar mbi amendimet e ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i dekretuar po ashtu nga Presidenti i Republikës. Pas atij takimi dhe konsultave që zhvilloi me krerët e grupeve parlamentare për kriteret e përzgjedhjes së kryeprokurorit, presidenti Nishani vendosi një ditë më parë të dekretonte kandidaturën e z. Llalla në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.

 

FRD: Mirëpresim kandidaturën e Llallës

Pas shpalljes së dekretit nga Presidenti Nishani, FRD, me anë të një deklarate për median, vlerësoi figurën e Adriatik Llallës, edhe pse shprehu pakënaqësitë e saj lidhur me procesin e ndërmarrë. Fryma e Re Demokratike vlerëson figurën e Llallës, si drejtues me integritet të lartë dhe zyrtar korrekt, që do të garantojë pavarësinë e institucionit të prokurorisë. “Njëherësh Fryma e Re Demokratike vlerëson se, në dallim nga procesi dhe debati kushtetues, mirëpret dhe përshëndet kandidaturën e zotit Adriatik Llalla për prokuror të Përgjithshëm. Zoti Llalla përfaqëson një zyrtar korrekt, person me integritet profesional, drejtues të suksesshëm të ILDKP-së dhe një emër që ka të gjitha potencialet për të vijuar ta mbajë institucionin e akuzës jashtë ndikimeve partiake, si dhe përmes profesionalizmit dhe vullnetit pozitiv, për t’i dhënë dinjitetin e duhur postit të prokurorit të Përgjithshëm”, – theksohet më tej në njoftimin e FRD-së. Adriatik Llalla u emërua në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në vitin 2008, kohë kur kreu i FRD-së, Bamir Topi, ishte në krye të Presidencës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency