Buxheti i bashkisë, Basha: Fond të veçantë për të rinjtë që hapin biznes

0
175

Blerta Mrishaj

Nisin konsultimet në njësinë bashkiake numër 2. Basha, prezantim të buxhetit afatmesëm 2013-2015, investimet kapin 80 milionë dollarë

 

Buxheti afatmesëm 2013-2015

Shërbimet publike

•   Rehabilitim e rikonstruksion të 73.2 km rrugë, nëpër blloqe banimi;

•   Ndërtimi dhe përmirësimi i rreth 128,250 m2 sipërfaqe të gjelbra dhe ambiente çlodhëse;

•   Ndërtimi i 10 këndeve të reja sportive;

•   Krijimi i rreth 10,000 m2 hapësira për parking automjetesh;

•   Ndërtimi i kolektorit të ujërave të zeza me gjatësi 3.5 km;

•   Mbjellja e rreth 24.640 pemëve në lulishte dhe përgjatë rrugëve të reja;

•   Ndërtimi i rreth 65 km rrjete inxhinierike (kanalizime të ujërave të bardha e të zeza);

•   Sigurimi i një ndriçimi sipas standardeve bashkëkohore, për rreth 300 ha blloqe banimi;

•   Shtimi i sipërfaqeve të varrezave publike me 2 ha

 

Rrugët

•   Rehabilitimin e 96 km (479,025 m2) të rrjetit rrugor urban kryesor, dytësor dhe tretësor;

•   Rikonstruksionin e 69 km (345,315m2) të rrjetit rrugor urban dytësor, dhe tretësor

•   Ndërtimin dhe përmirësimin e rreth 162 km (323,470 m2) trotuare në të gjithë rrjetin rrugor;

•   Sistemim – asfaltime të 79,000 m2 të rrjetit rrugor;

•   Ndërtimi i rreth 69 km rrjete inxhinierike në rrugët e reja; (nëse në programin e mëparshëm bëhej fjalë për ndërtimin e kanalizimeve në rrugë ekzistuese);

•   Ndërtimi i rrjetit të ndriçimit rrugor sipas standardeve bashkëkohore, për rreth 100 km rrugë

•   Krijimi i korsive të dedikuara për transportin publik dhe biçikletat

•   Përmirësimi i kapaciteteve të kryqëzimeve gjë që do të sjellë lehtësimin e menjëhershëm të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave nëpër nyjat e rrjetit rrugor dhe ulje të kostos së lëvizjes së tyre

•   Rritja e sigurisë rrugore nëpërmjet sinjalistikës vertikale si dhe duke riorganizuar qarkullimin e trafikut dhe ndërtimit të mbikalimeve për këmbësorë, në pjesë të veçanta të qytetit

 

Arsimi parauniversitar:

•   Ndërtimi i 3 çerdheve tё reja;

•   Rikonstruksioni i 5 çerdheve ekzistuese;

•   Rikonstruksioni i 4 kopshteve;

•   Ndërtimi i 5 kopshteve të rinj;

•   Rikonstruksioni i 14 shkollave 9-vjeçare;

•   Ndërtimi i 3 shkollave tё reja 9- vjeçare;

•   Rikonstruksioni i 2 shkollave të mesme;

•   Ndërtimi i 2 shkollave të mesme tё reja;

•   Rikonstruksion i shkollës speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara;

•   Ndërtimi i 4 palestrave tё reja dhe rikonstruksioni 2420 m2, palestra ekzistuese;

•   Shtimi i 34 laboratorёve tё rinj në sistemin shkollor të Tiranës;

 

Shkollat:

•   Sistemimi, rikonstruksioni apo riformulimi si dhe gjelbërimi i 52,347 m2, sipёrfaqe oborri tё shkollave të mesme dhe 9- vjeçare dhe 5,900 m2 sipёrfaqe tё territoreve tё kopshteve;

•   Instalimi i sistemit të ngrohjes në 11 objekte që do të rikonstruktohen dhe në 11 objekte të reja që do të ndërtohen, pra 22 objekte pajisen me sistem ngrohje;

•   Vënien në funksionim të plotë dhe efiçencë të sistemit të ngrohjes, në 92% të objekteve arsimore në Tiranë

 

Investimet njësia nr. 2

•           Rikualifikime urbane të bllokut 40, 41 dhe 42.

•           Rikualifikimi urban të bllokut 64, 66 dhe 69.

•           Rikualifikimin urban të bllokut që kualifikohet nga Rruga e Elbasanit, “Stavri Vinjali”, “Pjetër Budi” dhe “Ali Visha” me të gjitha rrugët dhe komponentët e tjerë publikë që ndodhen brenda lulishteve, hapësira për qytetarë të moshuar, për të rinj, rehabilitim fasadash dhe gjithçka tjetër, ndriçim dhe natyrisht punime të infrastrukturës ujësjellës kanalizime etj.

•           Rikonstruksionin e rrugës së bllokut që kufizohet me rrugët “Qemal Stafa”, rruga “Bardhyl” rruga “Hoxha Tahsim” dhe rruga “Shenasi Dishnica”.

•           Ndërtim dhe rikonstruksion të bllokut të rrugëve që kufizohen nga rrugët “Fuat Toptani”, Rruga e Elbasanit, Varrezat e Dëshmorëve.

•           Rikonstruksioni i rrugëve të bllokut që kufizohet nga rruga “Herman Majner”, Selim Braka, Unaza e Re. Rikonstruksion të rrugës “Mihal Grameno” dhe degëzimit të rrugës Budi, Depo e Ujit, faza e dytë.

•           Ndërtimin e rrugës “Gani Shifniu”.

•           Shtrim e asfaltim të një liste të rrugëve të amortizuara një njësisë bashkiake nr. 2 sipas listës së sjellë nga kryetari i njësisë bashkiake.

•           Ndërtimi i shkollës së re të mesme në Sauk pranë ambienteve të Policisë Ushtarake.

•           Rehabilitimi i një sistemi të ngrohjes në shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno”, rehabilitimi i pjesshëm i një sistemi të plotë të ngrohjes së shkollës 9-vjeçare, “Mustafa Greblleshi”.

•           Ndërtimi i shkollës së re 9-vjeçare tek Depoja e Ujit.

•           Rehabilitimi i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”.

•           Rikonstruksion dhe instalim të sistemit të ngrohjes në shkollën e mesme “Ismail Qemali”.

•           Rikonstruksionin e plotë të çerdhes nr. 54.

 

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka prezantuar dje para banorëve të njësisë nr. 2 buxhetin për vitin 2013. Një prej pikave, e cila u veçua edhe nga Basha, është stimulimi i të rinjve për t’u angazhuar në biznes. Basha tha se në bashkëpunim me bankat parashikohet të krijohet një fond i veçantë, për të stimuluar kredidhënien për biznese të reja, të hapura nga të rinj nën moshën 35 vjeç. Kjo, tha Basha, bëhet për të stimuluar të rinjtë të hyjnë në biznes, duke shtuar se ky është një rol që i takon bankave, por edhe Bashkia do të luajë rolin e vet. Basha tha se buxheti parashikon ndërtimin dhe ndërhyrjen në shumë kilometra rrugë. Është parashikuar shtimi i hapësirave të gjelbra, këndeve të reja sportive si dhe krijimi i hapësirave për parkim të automjeteve. Është parashikuar gjithashtu mbjellja e një numri të madh pemësh, si dhe ndërtimi i 65 km rrjet inxhinierik i ujërave të zeza dhe ujërave të bardha (ujit të shiut). Po ashtu një pikë tjetër e rëndësishme, që sipas Bashës është parashikuar në buxhet, është edhe shtimi i hapësirës për varrezat publike. Kreu i Bashkisë tha se deri në fund të vitit do të vihet në efiçencë 92 për qind e sistemit të ngrohjes në sistemin arsimor, si dhe brenda vitit 100 për qind në sistemin parashkollor, kopshte dhe çerdhe.

Buxheti i detajuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka theksuar se qyteti i Tiranës planifikon të shpenzojë deri në vitin 2015,240 milionë dollarë, ku për vitin 2013 parashikohet një buxhet prej 80 milionë dollarësh. Krahas investimeve në infrastrukturë, projektbuxheti parashikon politika të veçanta për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e biznesit e rritjen e punësimit. “Një qytet nuk investon vetëm për të mirëmbajtur, për të riparuar por edhe për të krijuar klimën më të mirë e më të favorshme për biznesin, ekonominë, në mënyrë që të japë sa më shumë mundësi për gjenerim të vendeve të punës, me paga të përshtatshme, që do të thotë gjenerim mirëqenieje Në këtë optikë, kemi parë edhe buxhetin 2013. Tashmë, të pajisur me përvojën e 2012 dhe me vizionin deri në 2015. Pikërisht, si pjesë e këtij vizioni, qyteti i Tiranës planifikon të shpenzojë deri në vitin 2015, 240 milionë dollarë, nga të cilat për vitin 2013, ka ndarë një buxhet prej 80 milionë dollarësh”, – u shpreh z. Basha. Në këtë buxhet do të përfshihet për herë të parë një grant i veçantë, për të mbështetur hapjen e bizneseve të reja, nga të rinjtë nën 35 vjeç. “Ky është një zë që ndahet pak nga tradita buxhetore, e mbështetjes vetëm për rrugë, kopshte, shkolla, ndriçim, gjelbërim dhe futet në një “domaine”, ku Bashkia e Tiranës është e vendosur të udhëheqë një praktikë për krijimin e vendeve të punës, për krijimin e bizneseve dhe mbështetjen e tyre, në mënyrë që të justifikojnë entuziazmin, kapacitetet profesionale dhe dëshirën e rinisë kryeqytetase, me fonde që në fund të fundit vijnë pikërisht nga taksapaguesit e Tiranës”, – u shpreh kryebashkiaku Basha.

Shkolla, çerdhe

Sa u takon investimeve për 2013-ën, veçanërisht për çerdhet, buxheti përmbyll në masën 100% sistemin e ngrohjes, e cila bëhet me një sistem që do t’u kushtojë qytetarëve të Tiranës 1/3 e asaj çka u ka kushtuar deri tani, ngrohje e cila do të bëhet jo me karburant por me peleta që është miqësore ndaj ambientit, dhe që arrin një ngrohje kalorike, më të njëjtën fuqi nxehjeje,dhe me një të tretën e çmimit që bëhet deri më sot. Nga këto ndërhyrje, do të përfitojnë 14 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare; 2,200 nxёnёs te shkollave tё mesme; 1,250 fёmijё tё kopshteve. Nga rikostruksioni i çerdheve ekzistuese përfitojnë rreth 230 fëmijë dhe shtohet kapaciteti me 900 fëmijë më shumë në qytetin e Tiranës, çka kënaq 1/3 e kërkesës aktuale për vende shtesë në çerdhe, vende shtesë që për momentin, qyteti nuk i ka. Një tjetër veçori për buxhetin e vitit që vjen ka të bëjë me një politikë stimuluese ndaj biznesit. Dy janë programet e tjera që i bashkëngjiten buxhetit, strehimi, planifikimi I territorit, për të cilin kemi folur gjerësisht gjatë prezantimit të planit, ku parashikohen edhe shpronësimet dhe sistemimet e varrezave publike të qytetit dhe evidentimi i një hapësire të re për varrezat publike. Programi i dytë është zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency