Shkenca dhe Wikipedia/ Quo vadis shkenca shqipe?

0

Lisandri Kola

Loading...

Shtrohet pyetja, ç’nevojë paska studenti ynë të blejë këtë cikël leksionesh të mendimit estetik, kur fare thjesht i drejtohet vetë Wikipedia-s? Madje me nji kosto të naltë, në krahasim me cilësinë e shtypit e me koston e nji ekzepmlari që del nga shtypshkroja. Mund të jetë mbase nji udhëzim apo metodë pune, e ndërtuar mbi vjedhjen e kontributit të dikujt tjetër sado i dyshimtë qoftë ai kontribut! Se si të bahemi të aftë për të kompilue materiale të ndryshme dhe t’i paraqesim si të tonat! Me anë plagjiaturash divulgative do e ndërtojmë shkencën shqipe?

Në këtë atmosferë kremtimesh për njiqindvjetorin e Pavarësisë sonë asht e udhës, që përveç anës gazmuese që sjell kjo datë e shënueme, të shohim në ç’nivele po paraqitet shkenca jonë, ecunia e saj, sidomos kur ajo asht pjesë e institucioneve të randësishme siç asht universiteti shqiptar. Në këtë artikull, ku vërehet lehtë huazimi i nëntitullit prej titujve të kritikës së viteve ’40 (khs. V. Kokonën – pseud. Hekuran Lumi – apo ndonji tjetër), ne si qytetarë i shtrojmë një pyetje vetes se ku po shkon shkenca shqipe mbas njiqind vjetësh rrugëtimi të pavarun?

Fillimisht kur mësova se kursi i leksioneve të Estetikës, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, hartue e përgatitë nga Prof. As. Dr. Ledri Kurti kishte trajtën e nji dispence për qarkullim të brendshëm universitar u gëzova pa masë, sepse mendova se kishte sosë ora e munuscriptus-ve të erës së internetit. Të paktën brezi i tashëm do kishte një përmbledhje leksionesh në dorë! Ndryshe nga ne që merrnim leksione me shkrim apo kishim nji grusht leksionesh të pandehuna se ishin marrë nga prof. A. Plasari, por që në të vërtetë mund të ishin riprodhime keqinterpretuese nga nji student anonim dhe fati e kishte pru që të vinin në Shkodër prej s’dihet se kujt, kur dhe kush. Tue shfletue dispencën ndër të tjera, – ku vihen re 184 faqe me nji format 23 cm x 15 cm pa kurrfarë të dhane të dejë për nji paraqitje dispence, pa bibliografi, pa pasqyrë lande, futnota të çorodituna, ndonji w që asht kthye automatikisht në ë, padyshim dhe me gabime të theksueme drejtshkrimore në çdo faqe, emna autorësh që nuk ruejnë trajtën e duhun, nji sintaksë shqipe që arratiset në ato të huejat etj., – ve re për fat të keq në f. 74 nji çëshjte të titullueme saktësisht kështu: Longin? & Autorësia e veprës, shoqnue na nji futnotë përkatëse (46), në të cilën shpjegohej burimi. Dhe burimi ishte, i cituem tekstualisht nga dispenca: “Paternità dell’opera, Il Trattato del Sublime, W”. Ma së pari baj habi për mungesën e shquesisë tek emni i Pseudo-Longinit, plus edhe ajo pikëpyetje nuk asht se na dëfton shumë. Së dyti nuk njihem si duhet me burimin der atëkohë kur kuptoj shndërrimin automatik të ë-ve dhe për shkak të disa tasteve që s’i kanë kapë gishtat. Mandej sidoqoftë më rezulton, tue ba punë dekoduese në tekst, se burimi ishte marrë nga Wikipedia. Sikundërse ndodh edhe në f. 15 kap. “Historia. Greqia dhe Helenizmi” (ku futnota 5 ka një Ë nënkupto W(ikipedia) por e shënueme thjesht me nji ë të shndërrueme); e njejta në f. 87 për kategorinë e kryesore estetike E bukura (khs. http://it.wikipedia.org/wiki/Bello), po ashtu edhe për shpjegimin e shkencës së Estetikës në f. 51 (shën. W), për Poetikën e Aristotelit, përveç se i shton edhe disa të dhana të tjera padyshim jo korrekte, si: “W, Poetika, përg. Diego, Lanza”, f. 58. Shembuj të uikipedizimit shkencor teksti ka edhe ma. Shembulli ma i parë në dispencën Kurs i mendimit estetik. Njohuri mbi historinë dhe zhvillimin e mendimit estetik, pra sa hapim faqet e librit – po e quejmë të tillë, asht tek përckatimi dhe objekti i fushës, disiplinës së estetikës që asht nji copy paste e f. 51. Dhe burimi, natyrisht, asht nga Wikipedia.

Në këtë kurs leksionesh, i cili vjen i pshtjelluem frazash e pa përgjegjësinë e duhun shkencore, autorja sa i takon çështjes së autorësisë së traktatit E madhërishmja, e ka pasë të kthjelluem problemin, meqenëse Pseudo-Longini ka ardhë në shqip përpara se të përpilohej kjo dispencë. E për ma tepër autorja ka qenë nji ndër rishikuesit e përkthimit, realizue nga autori i këtij artikulli dhe lektori i letërsisë greko-latine në USH, Vinçens Marku, në Enti botues “Gjergj Fishta”, 2009. Tek Çështja e autorësisë, botimi gjegjës, f. 18-26 mendojmë se ka pasë të dhana të mjaftueshme përpos kandidatëve të autorësisë të mbajtun nga kritika botënore dhe burimet dinjitoze (G. Guidorizzi, Il Sublime; F. Donadi, Del Sublime; R. Cantarella, Letteratura greca Letteratura greca; Albini-Bornmann-Naldini, Manuale della Letteratura greca; L. E. Rossi, Letteratura greca; S. Hornblower; A. Spawforth, The Oxford Classical Dictionary, Oxford University Press, 1996, 2000 etj), por edhe mbi çëshjte të caktueme estetike mbi traktatin. Natyrisht hyrja dhe shënimet e bame nga bashkëpërkthyesi e kryejnë ma së miri gjykimin mbi veprën dhe me kërkesa të duhuna shkencore. Kështu, që faqja e Wikipedia-s asht lexue në variantin italisht, u mor vesh edhe nga futnotat e autores, por po të bajmë nji krahasim të kësaj faqeje: “http://it.wikipedia.org/wiki/Trattato_del_Sublime” vërejmë, se emnat e autorëve të pandehun për përkatësinë e autorësisë janë në italisht: Dionisio d’Alicarnasso, Cassio Longino, Ermagora, Elio Teone, Pompeo Gemino etj. Puna po kuptohet, se ka qenë krejt e thjeshtë: autorja ka përkthye nga kopjimi që i asht ba asaj faqeje, ku ka heq e ku ka shtue, tue ndërtue trajtimin respektiv në lidhje me autorin, me të cilin nis edhe origjina e konceptit të madhërishmes, nji ndër kategoritë bazë të shkencës së estetikës. Mirëpo edhe përkthimi nga italishtja, del i errët, i pakuptueshëm, që nuk i kumunikon gjë studentit, si p.sh. nëse do marrim nji rast, po nga trajtesa mbi Pseudo-Longinin: “Vepra, në fakt, përfundon me një dizertacion mbi të korruptuarit e elokuencës” (f. 74) khs. “L’opera, infine, si conclude con una dissertazione sulla corruzione dell’eloquenza” Pjesa e nënvizueme, nuk na qartëson gjë, madje na ngatërron, prandej mund të përkthehej: “mbi damtimin/prishjen e gojëtarisë”, sepse kemi dekadencë/ramje të nivelit të gojëtarisë, ligjërimit që s’prodhon efektin e madhërishëm në sajë të mungesës së lirisë, demokracisë – mendon autori i shekullit të parë mbas K. në kapitullin 44. Por le t’i lamë këto analiza, sepse e kanë vendin në një tjetër rast ma të detajshëm sa i takon uikipedizimit shkencor. Prapë këtu, duhet thanë, se nuk asht problemi që referimi nuk asht krye në variantin shqip të së Madhërishmes, por që referimi asht krye në burime divulgative, të pakonsultueshëm shkencërisht. Shtrohet pyetja, ç’nevojë paska studenti ynë të blejë këtë cikël leksionesh të mendimit estetik, kur fare thjesht i drejtohet vetë Wikipedia-s? Madje me nji kosto të naltë, në krahasim me cilësinë e shtypit e me koston e nji ekzepmlari që del nga shtypshkroja. Mund të jetë mbase nji udhëzim apo metodë pune, e ndërtuar mbi vjedhjen e kontributit të dikujt tjetër sado i dyshimtë qoftë ai kontribut! Se si të bahemi të aftë për të kompilue materiale të ndryshme dhe t’i paraqesim si të tonat! Me anë plagjiaturash divulgative do e ndërtojmë shkencën shqipe?

Sikur të mos mjaftonte kjo, tue pa në këtë dispencë, mbërrij me hetue se disa trajtesa, vijojnë të jenë të marra gjetkë. E ku? Pikërisht tek ato leksione anonime, thjesht nji sasi fletësh pa kurrfarë sqarimi, shënimi, që qarkullojnë kushedi qysh kur. Rrjedhimisht, shohim se kompilimi i atyne leksione asht i përhapun kudo në dispencë, i pajisun dhe me materiale shtesë. Kështu, të njejtë me leksionet e dikurshme të supozueme se janë të prof. Plasarit (por që themi sërish që s’kemi siguri, prej faktit të paraqitjes së padejë për mjediset e Universitetit) kemi në dispencën e pedagoges së USH: paragrafi II, f. 18, 19; Platoni, f. 38, 39, 40; Aristoteli, f. 56, 57; Filozofë klasikë të mëpasshëm (Stoicizmi, Epikurizmi) f. 72, 73; Shën Tomas Akuini, f. 83; Interpretatorët, f. 84, 85; Mendimi estetik i Rilindjes, f. 85, 86; Racionalizmi Kartezian (Metoda Karteziane), f. 98; po ashtu edhe gjykimet estetike lidhun me I. Kanti-n, A. Schopenhauer-in, F. Nietzsche-n, estetikën marksiste-leniniste etj., të “ripunueme” në krahasim me variantin e dispencës vjet e parëvjet. Sigurisht, hartimi i leksioneve të estetikës nga autorja ruen atë vështrim të leksioneve të dikurshme të brezit tonë, që kanë mbajtë nji titull Historia e mendimit estetik dhe që fare thjesht janë zevendësue me atë titull që kemi përmendë ma sipër, me shtesa të reja drejtue interenetit tue sjellë kësomënyre nji kaotizëm tektesh, me probleme të dukshme në përputhje me kërkesat që duhet të kenë leksionet universitare.

Përvetësimi i materialit të huej nga nji profesoreshë universiteti, dhe konkretisht i nji prej landëve ma kyçe të degës Gjuhë shqipe dhe Letërsi Estetikës, kishte me qenë regresi i kunorëzuem i universitetit shqiptar në këta 100 vjet shtet të pavarun për kombin, shkencën etj. Por tue mendue, nisun nga Dante, se kjo shifër asht simbol i përsosmënisë, të paktën uikipedizmi shkencor e ka arritë në mënyrë të hijshme atë tue ecë paralelisht dhe me kompilimin nga burime të kontestueshme.

Loading...