Program festiv i jashtëzakonshëm, i denjë për një përvjetor historik

0

Xhevat Mustafa

“Bota sot”

 

100-vjetori i shpalljes së pavarësisë kombëtare dhe të shtetit shqiptar përbën një përvjetor historik. Ai u parandie një vit më parë, u përgatit për një vit të tërë dhe do të mbahet mend për shumë vjet pas, për një program festiv të jashtëzakonshëm, shumë të pasur dhe të larmishëm, me konceptim sa kombëtar aq edhe bashkëkohor, mbarevropian dhe integrues, për atmosferën festive të jashtëzakonshme në çdo qytet shqiptar apo ku banojnë shqiptarë. Programet dhe atmosfera shumë emocionuese festive në Tiranë, Vlorë, Prishtinë, Shkup etj., nëpërmjet mitingjeve, koncerteve, ekspozitave, panaireve, përurimeve të monumenteve, busteve, shtatoreve, mozaikëve, nëpërmjet ardhjes nga Vjena të shpatës dhe përkrenares së Skënderbeut dhe të “Mesharit” nga Vatikani si dhe të Rita Orës nga Londra, nëpërmjet paradës ushtarake dhe tortës gjigante në Tiranë, Kupës së Pavarësisë në futboll, në Vlorë etj., shprehnin të harmonizuar vizion, fantazi dhe dorë skenaristi, regjisori, arkitekti, piktori, dekoratori, koreografi, etnografi… ndërsa gjithçka që ndodhte në sheshe dhe rrugë ishin vepra dhe shpërthime të vetvetishme, nga zemrat e qytetarëve, që festuan duke u ndier më shumë se kurrë shqiptarë dhe të bashkuar nën një flamur. Natyrisht, programet festive janë punë kolektive, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të evidentohen disa individë, që me kujdesin e tyre të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm kanë mundësuar zbatimin e tyre në kohë dhe plotësisht të suksesshëm. Për programet festive në mbarë Shqipërinë nuk mund të kundërshtohen dhe minimizohen roli dhe kontributi i Kryeministrit Sali Berisha dhe i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Po kështu, programi festiv në Kosovë u hartua, u përgatit dhe u zbatua nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Hashim Thaçi, të Presidentes Atifete Jahjaga dhe të kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, të ndihmuar me angazhim atdhetar dhe qytetar edhe nga mijëra familje si dhe nga kryesia dhe anëtarësia e “Vetëvendosjes” e nga biznesmenë, drejtues të kompanive të fuqishme prodhuese dhe tregtare. Programi festiv në Shkup dhe qytete të tjera me shumicë shqiptare në Maqedoni u konkretizua nën kujdesin e vazhdueshëm të zv.kryeministrit Musa Xhaferi dhe të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërsa për ato në Tiranë dhe Vlorë merita ekskluzive kanë kryebashkiakët Lulzim Basha dhe Shpëtim Gjika, gjithashtu mbështetur fort vullnetarisht edhe nga kompani të fuqishme biznesi në qytetet përkatëse si dhe nga Aleanca Kuq e Zi, nga BDU etj.
Është për të theksuar se, për herë të parë, programet festive u ideuan dhe u realizuan me karakter të qartë mbarëkombëtar, duke evidentuar dhe vlerësuar rolin edhe meritat e të gjitha trevave dhe të figurave qendrore të tyre në luftërat, që çuan në ditën e shpalljes së pavarësisë dhe që e realizuan këtë akt historik. Kështu, me bindjen se shpallja e pavarësisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912, nuk ishte një akt individual dhe lokal, as vetëm shqiptar, u vlerësuan dhe u nderuan të gjithë autorët dhe firmëtarët e shpalljes së pavarësisë si dhe miqtë e pakët ndërkombëtarë, që e mbështetën atë. Në konferenca shkencore, deklarime dhe botime mediatike, në fjalimet e shtetarëve më të lartë, kanë spikatur si figura qendrore ato të Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Dom Nikoll Kaçorrit, Aqif pashë Elbasanit, Iljaz bej Vrionit, Dud (Jorgji) Karbunarës, Lef Nosit… Shprehje e respektit për të gjithë firmëtarët ishte edhe ftesa dhe pjesëmarrja në ceremonitë festive e pasardhësve të gjallë nga familjet e tyre, shumë prej të cilëve të persekutuar politikisht ose të lënë në harresë gjatë periudhës së komunizmit, me urdhër dhe kujdes të drejtpërdrejtë të diktatorit Enver Hoxha dhe me devotshmërinë dhe papërgjegjshmërinë profesionale dhe intelektuale të historianëve, që u treguan të gatshëm të plotësonin çdo tekë të tij dhe të masakronin historinë kombëtare shqiptare, duke fshirë dhe fshehur, deri në ditët e sotme, të vërtetat historike.
Ky përvjetor dhe program festiv, që i parapriu dhe i shoqëroi me kulm festimet në Vlorë dhe Tiranë, më 27 dhe 28 nëntor, në të cilat ka shumë gjasa të ishin pjesëmarrës mbi 100.000 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga diaspora, hynë në histori dhe do të kujtohen shumë gjatë për shpërthimin popullor të krenarisë së të qenit shqiptar, të dëshirës dhe kërkesës mbarëshqiptare për bashkim kombëtar. Karakteri thellësisht kombëtar i programeve dhe atmosfera madhështore, shumë emocionuese dhe mbresëlënëse festive, entuziazmi i pa përshkruar, deri në mospërmbajtjen e kalimit në çaste euforie, nxitën formulimin dhe shprehjen hapur dhe me zë të lartë, në Tiranë, Vlorë, Prishtinë, Shkup, nga kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi si dhe nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe zv.kryeministri i qeverisë së Maqedonisë, Musa Xahferi, të aspiratës shekullore mbarëshqiptare për bashkim kombëtar. Natyrisht, kjo duhet të jetë pritur dhe përjetuar me shqetësim, sidomos në Beograd, Athinë, Shkup dhe Podgoricë dhe me mosmiratim në disa kabinete të larta qeveritare dhe politike në Evropë. Por, është koha të pranohet kudo se kërkesa e shqiptarëve për bashkimin e tyre kombëtar nuk është një pretendim i tepërt dhe i padrejtë i tyre, nuk ka asnjë grimë shovinizmi dhe revanshizmi. Përkundrazi, me shqiptarët e bashkuar në trojet e tyre etnike, Evropa do të jetë përfundimisht e çliruar nga vrasja në ndërgjegje për padrejtësitë e mëdha ndaj Shqipërisë, do të jetë më e paqtuar dhe më e stabilizuar. Në fund të fundit, shqiptarët kërkojnë vetëm drejtësi, korrigjimin e padrejtësive mbi trojet e tyre dhe mbi kombin shqiptar nga Kongresi i Berlinit, më 1878 dhe nga Konferenca e Londrës, më 1913.
Për të keqen, imazhin dhe të ardhmen e vet, ashtu, si për çdo punë tjetër të mirë të qeverisë dhe personalisht të Kryeministrit Berisha dhe të kryebashkiakut të Tiranës, Basha, edhe për festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, opozita shprehu hapur dhe me nëntekst të kuptueshëm zakonin e saj, tashmë të diskretituar dhe qesharak, të paragjykimit, përgojimit, ironisë dhe baltosjes së programit festiv. Duke u përpjekur të gjente pasaktësi në krahët e shqiponjës në disa flamurë, Edi Rama “harroi” të urdhëronte një vartës të tij apo t’i kërkonte ndonjërit nga stafi aktual i bashkisë, që të vendosej, të paktën një flamur i vogël në dritaren e kabinetit të tij në selinë e PS-së në Tiranë. Kushdo që ka kaluar ditëve të fundit të nëntorit para ndërtesës së selisë së PS- së ka vënë re se ajo ishte e vetmja në qendër të kryeqytetit pa pasqyruar, të paktën së jashtmi, atmosferën festive të 100-vjetorit.
Edhe vendimi i kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, për të nderuar si “Qytetarë Nderi të Vlorës”, Rexhep Qosen, Ismail Kadarenë dhe ish ambasadorin amerikan, Withers, mund të ishte diskutuar më gjerësisht dhe pa anshmëri partiake në Këshillin Bashkiak. Nëse Gjika do të shkonte disa ditë në Kosovë dhe do të pyeste shumë qytetarë, të paktën në Prishtinë, do të kuptonte se Qosen e donin në Kosovë shumë më pak sesa në Vlorë. Po kështu, nëse dëshironte të shprehte mirënjohje të sinqertë për SHBA-në, mund të nderonte si Qytetar Nderi të Vlorës, ish-ambasadorin William Ryerson, edhe për gjithçka bëri gjatë mandatit të tij për demokracinë, për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe për fatin dhe nderin, që ishte ambasadori i parë i SHBA-së në Tiranë, pas rrëzimit të komunizmit. Por, Shpëtim Gjika, si partiak i zellshëm dhe për karshillëk ndaj Berishës, ashtu si në rastin e Qoses, zgjodhi John Withers-in, duke e falënderuar edhe një herë për tifozllëkun e hapur dhe përtej statusit të diplomatit ndaj PS-së dhe për tendenciozitetin e pambuluar as me gjethe fiku ndaj PD-së.
Festimet në Vlorë më 27 dhe 28 nëntor do të kujtohen edhe për një tjetër takim në këmbë dhe shtrëngim duarsh të ftohtë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama. Shpresën e shumë shqiptarëve se kryemesazhi i 28 nëntorit 2012 dhe i festimeve për 100-vjetorin, bashkimi, do t’i nxiste dy liderët të hiqnin dorë nga qëndrimet dhe deklaratat kundërthënëse dhe të binin dakord, për të mirën e Shqipërisë dhe të kombit, që të uleshin në tavolinën e konsensusit dhe të bashkëpunimit. Por, Edi Rama e vrau në çast këtë shpresë të vakët, duke deklaruar se nuk ishte fjala për një takim të politikës shqiptare, por thjesht për një rreshtim, nënkuptohet protokollar dhe formal.
Gjithsesi, zërat tendenciozë dhe vendimet e diskutueshme nga opozita, përqendrimi i saj kryesisht në Vlorë dhe prania e pakët në Tiranë, vonesat në orarin e fillimit të paradës ushtarake dhe ndonjë parregullsi tjetër, si rrëmuja gjatë prerjes së tortës apo ndonjë prishje e radhës protokollare, të pashmangshme në ceremoni të tilla madhështore dhe me pjesëmarrje shumë masive, nuk mund ta cenojnë aspak imazhin plotësisht të suksesshëm dhe vlerësimin e lartë të festimeve me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Vlerësimi dhe festimi dinjitoz dhe shembullor, që iu bë në kuadër shtetëror, kombëtar dhe popullor, 28 nëntorit 1912, 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, flamurit kombëtar, figurës emblematike të Ismail Qemalit dhe të të gjithë firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë, kënaqësia dhe krenaria që iu fal të gjithë shqiptarëve, mesazhet e sinqerta për fqinjësi të mirë, për zgjerim të bashkëpunimit dhe të integrimit rajonal, evropian dhe në kuadër të NATO-s etj., e bëjnë të pakritikueshme dhe të justifikueshme faturën financiare. Vërtet e lartë në kohë krize të përbotshme dhe me efekte të pashmangshme edhe në Shqipëri, por e meritonin 28 Nëntori 1912, Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij të denjë, 100-vjetori i pavarësisë. E meritonin Vlora, Shqipëria, Kosova, Çamëria…, martirët dhe të gjithë të rënët e luftërave për liri dhe pavarësi. E meritonin plotësisht të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë dhe punojnë.