Parimet e nacionalizmit shqiptar

0

Çelo Hoxha

Loading...

Nacionalizmi shqiptar ka qenë nën një dhunë të fortë dhe të vazhdueshme në interes të vendeve fqinje të Shqipërisë. Ndërgjegjësimi kombëtar i shqiptarëve është parë gjithmonë me shqetësim prej tyre, për shkak të masës së madhe të shqiptarëve që jetojnë në vendet fqinje me Shqipërinë. Ata u bënë pjesë e tyre së bashku me territoret, kur fuqitë e mëdha mendonin se kishin çelësin e zgjidhjes së halleve të botës dhe i krijonin shtetet kombëtare në Ballkan me logjikën e ndarjes së tortës.

Në vitet ‘30 ideja kombëtare pati një periudhë të begatë në diskursin kombëtar. Rrallë mund të gjesh në këtë periudhë një autor që nuk ka të paktën një artikull për kombin, nacionalizmin, idealin kombëtar e çështje lidhur me to. Ishte pikërisht infrastruktura shpirtërore dhe mendore që kishte ngritur diskursi i viteve ‘30, që iu imponua pushtuesve italianë për të bërë bashkimin kombëtar të shqiptarëve në vitet ‘40. Jetëgjatësia e këtij bashkimi ishte shumë e shkurtër, por gjurmët e kauzës së drejtë, nga këndvështrimi shqiptar, nuk u shuan kurrë. Ajo mbijetoi, pavarësisht se nacionalistët u vranë në masë e librat u dogjën në turrë.

Fuqitë evropiane që mbështetnin kauzën shqiptare përfunduan në anën humbëse të luftës. Brenda koalicionit fitues triumfoi roli ndikues i fqinjëve të Shqipërisë dhe kështu Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore jo vetëm e humbur, por me një udhëheqje politika entuziaste për ta çuar popullin shqiptar në vetëvrasje kombëtare.

Partia Komuniste Shqiptare ishte instrumenti i vetëvrasjes, e cila u ndërtua nga disa jugosllavë dhe një tufë injorantësh shqiptarë. PKSH dhe ushtria partizane e drejtuar prej saj vranë vetëm nacionalistë shqiptarë, dogjën vetëm libra me përmbajtje kombëtare, shkatërruan gjithë pasurinë e kombit shqiptar të akumuluar në shekuj dhe pastaj i kërkuan Jugosllavisë bashkimin me të. Rastësia e shpëtoi zhdukjen e shtetit shqiptar nga harta, pavarësisht nga pretendimet e kundërta që mund të kenë sot pasardhësit e kupolës komuniste, një strukturë politike me veprimtari tërësisht në kundërshtim me interesat kombëtare.

Në dy dekadat e fundit, tema e nacionalizmit, e çështjes kombëtare në përgjithësi dhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve kanë qenë në margjinat e diskursit kombëtar. Ekranet televizive zhurmëmëdha kanë qenë të hapur vetëm për kundërshtarët e nacionalizmit, të cilët vazhdojnë, me dashje apo dashje, veprën antikombëtare të etërve të tyre. Mediet shqiptare shumë pak kanë qenë të hapura për temat mbi nacionalizmin, duke humbur kështu dy dekada, të cilat mund të ishin shfrytëzuar për promovimin e natyrës paqësore së nacionalizmit shqiptar.

Greqia dhe Serbia, dy vendet kryesore fqinje me Shqipërinë dhe dy ngatërrestaret më të mëdha në fatet e saj, kanë pasur gjatë jetës së tyre platforma të mirëfillta për krijimin e Greqisë së Madhe dhe Serbisë së Madhe. Serbët kanë pasur edhe programe për mënyrën e pastrimit të territoreve nga shqiptarët, kurse grekët i kanë pastruar territoret edhe më mirë se serbët. Pikërisht këto dy vende janë krijueset e idesë së Shqipërisë së madhe. Shqiptarët nuk kanë pretenduar asnjëherë një gjë të tillë. Shqiptarët kanë krijuar krijimin e Shqipërisë etnike, gjë që është në përputhje me parimin e krijimit të shteteve ballkanike pas rënies së Perandorisë Osmane. Komisioni i përcaktimit të kufijve bënte një gjë: vizitonte terrenin në Ballkan, përcaktonte se cilës etni i përkiste popullsia e banimeve dhe sipas rastit i kalonte vendbanimet nën kufirin e Shqipërisë, Serbisë ose Greqisë. Në shumicën e rasteve, siç e vërejmë dhe sot, vendbanimet shqiptare iu lanë fqinjëve. Duke iu lënë vendeve fqinje territore dhe popullsi shqiptare, kjo tregon se gjatë përcaktimit të kufijve nuk është respektuar e drejta bazë: etnia. Dikush mund të thotë sot se jetojmë në një realitet tjetër, “të shikojmë 100 vjet para dhe jo 100 vjet mbrapa”, siç shpreh politika greke këto ditë, por thirrja e tyre përkthehet: “Mos i denonconi krimet që ne kemi bërë ndaj jush.” Shqiptarët janë të hapur, le të rishikohet politika e përcaktimit të kufijve, le të shikohen dokumentet e regjistrimit të popullsisë dhe territoreve dhe popullsisë të perandorisë osmane, të Greqisë dhe të shteteve të tjera, dhe mbi to të gjykohet e drejta apo padrejtësitë e komisioneve të kufijve. Ai vend që nuk ka asgjë për të fshehur në të shkuarën e tij s’ka përse të ketë frikë nga rikthimi i kokës mbrapa.

Nacionalizmi shqiptar është paqësor. Dëshmia më e mirë për këtë është platforma e tij parimore. Kjo platformë është krijuar nga Balli Kombëtar në 1939. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste nacionalistët shqiptarë panë si rrezikun kryesor shpërbërjen e ndërgjegjes kombëtare që pushtimi do t’i impononte kombit shqiptar me anë të epërsisë ekonomike, arsimore, ushtarake të Italisë, dhe për këtë ata u organizuan e hartuan platformën “Nacionalizma Shqiptare”. Parimet e kësaj platforme janë:

  1. Të ketë një Shqipëri të lirë dhe indipendente.
  2. Të sigurojë një Shqipëri të përparuar, të zonjën për të jetuar, të nderuar e të vëllazëruar.
  3. Të ruajë kufijtë e saj etnikë, të mbështjellë në një Atdhe djemtë e saj.
  4. Të jenë gati djemtë e kombi për çdo sakrificë për të arritur qëllimin e përbashkët.
  5. Për të arritur këtë qëllim, duhet që gjithë shpresën ta kemi më përpara te vetja jonë. Veten tonë do ta shpëtojmë ne vetë, me sakrificat tona, me përpjekjen tonë, me dëshirën tonë. Dhe Zoti ka për të na ndihmuar.
  6. Nacionalizma shqiptare dëshiron që dhe kombet me shtetet fqinjë të ketë marrëdhënie miqësore, të rrojë në harmoni me ta. Kjo miqësi lypset të jetë e themeluar mbi respektin e të drejtave të të dy palëve.
  7. Nacionalizma shqiptare nuk qëllon t’i bëjë keq kurrkujt, por edhe don që as kurkush të mos i bëjë të keqe kombit shqiptar: do që të mbrojë vetëveten.
  8. Nacionalizma shqiptare nuk bën asnjë luftim ideologjik. Parimet e saj janë patriotike dhe mundohet ta shtojë e te forcojë këtë patriotizmë.

Mid’hat Frashëri, sipas historianit Uran Butka, është bashkautor i programit të nacionalizmit shqiptar. Kush e njeh veprën e Mid’hat Frashërit, e shquan përmbajtjen e saj të shkrirë në të gjitha pikat e kësaj platforme. Pika 5, për shembull, është thelbi i librit të tij “Plagët tona”. Kjo platformë është krijuar në kushte të tjera, por është një bazë e mirë për t’u pasur si busull në zhvillimet e politike të ditëve të sotme.

Ajo që Kryeministri Sali Berisha ka bërë me deklaratat e tij të ditëve të fundit për bashkimin e shqiptarëve është kjo: ai e solli temën e nacionalizmit në qendër të kuvendimit kombëtar. Tashmë mund të shprehin mendimet e tyre edhe nacionalistët që deri javën e kaluar kanë qëndruar të tërhequr për shkak të presionit politik ndaj tyre.

 

 

 

 

Loading...