Kurti, dy vëllezërve: Më jepni lekët në të kundërt nuk zbres nga makina

0
242

Elton Qyno

Autori i krimit u dha vëllezërve 200 mijë dollarë, bënë marrëveshje me mirëbesim, pa praninë e një noteri

Akuza liron të arrestuarin e policisë, Ndreka s’ka gisht në vrasje. Negociata për vetëdorëzimin e Kurtit


Një borxh prej 200 mijë dollarësh është bërë shkak i një konflikti të zgjatur mes dy biznesmenëve, ku në fund bilanci ka qenë me dy viktima dhe një person të shpallur në kërkim policor. Hetimi ka treguar se biznesmeni Eduart Kurti, nga Nikla e Krujës, disa kohë më parë u ka dhënë dy vëllezërve Sokol dhe Eglant Haxhialiu një sasi lekësh prej 200 mijë dollarësh, me qëllim ndërtimin e një hoteli në zonën e Dhërmiut. Kjo sasi lekësh është dhënë duke nënshkruar një deklaratë mes palëve, ku biznesmenët binin dakord që interesi i fitimit të ishte pesë për qind. Marrëveshja është firmosur nga të dyja palët, jo në prani të një noteri apo një avokati, por në kushtet e mirëbesimit, pasi Eduart Kurti dhe Sokol Haxhialiu njiheshin prej disa vite dhe se bënin biznes së bashku. Mirëpo siç duket, pas dhënies së shumës prej 200 mijë dollarësh, gjërat nuk kanë shkuar aq mirë mes ortakëve, pasi biznesmeni nga Nikla e Krujës, Eduart Kurti, ka filluar të shqetësohet rreth mospagimit të këstit të parave. Palët janë përfshirë në debate të një pas njëshme, pasi dy viktimat nuk kanë pranuar të japin shumën e lekëve. Nisur nga kjo situatë, mes Sokol, Eglant Haxhialiut dhe autorit të krimit Eduart Kurti, ka pasur katër ditë më parë dhe një përplasje fizike në zonën e ish-Bllokut, ku banonin dy vëllezërit. Pas këtij sherri, biznesmenët kanë rënë dakord të ritakohen sërish dy ditë më parë, ku biseda mes tyre është bërë brenda makinës tip “Mazda”, që drejtohej nga viktima Sokol Haxhialiu. Aktualisht policia është në negociata me familjarët e autorit të krimit, me qëllim vetëdorëzimin e tij, ndërkohë që shoku i tij shtetasi Ardjan Ndreka është liruar pasi nuk rezulton të jetë i implikuar në krim.

Vrasja me Miniblow

Pas një bisede që ka zgjatur rreth 30 minuta në ambientet e automjetit me targa TR 9205 S, Eduart Kurti dhe dy vëllezërit Haxhialiu janë përfshirë sërish në debat mes tyre. Sipas deklarimeve të dhëna në polici nga shoku i Kurtit, shtetasi Ardjan Ndreka, Kurti i ka kërkuar t’i marrë me çdo kusht paratë e dhëna dy vëllezërve, pasi kishte mbetur shumë keq nga ana financiare. Nisur nga kjo situatë, Kurti i ka pohuar se nëse dy vëllezërit nuk pranonin ti jepnin shumën prej 200 mijë dollarësh, atëherë ai nuk do të zbriste nga makina. Kjo, pasi, sipas dëshmisë së Ndrekës, edhe Eduart Kurti kishte probleme me disa borxhe financiare, të cilat ai ua kishte marrë disa personave të tjerë. Nisur nga kjo situatë, ai kërkonte paratë me qëllim mbylljen e borxheve të tjera. Mirëpo kërkesat e tij të vazhdueshme kanë hasur në këmbënguljen e dy vëllezërve dhe për pasojë, palët kanë filluar të ofendohen dhe përplasur fizikisht. Pikërisht në këtë situatë, Eduart Kurti ka nxjerrë nga xhepi një pistoletë “Miniblow” dhe ka qëlluar në drejtim Eglant Haxhialiun, i cili ndodhej në sediljen e pasme të makinës. Kanë qenë dy plumba që i kanë hyrë në kokë dhe në qafë, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Pas dy krismave, arma i është drejtuar vëllait tjetër Sokol Haxhialiut, i cili teksa ishte duke u larguar ka marrë dy plumba një në kokë dhe një në fyt. Megjithëse me plagë në trup, Sokoli ka mundur të ecë disa metra dhe të rrëzohet, ndërkohë që më pas ka gjetur vdekjen në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak. Autori i krimit, Eduart Kurti, është larguar me shpejtësi së bashku me shokun e tij Ardjan Ndreka, që ndodhej në sediljen e pasme të makinës. Sipas dinamikës së krimit, të ndërtuar nga ana e policisë, autori i krimit ka qenë në sediljen e parë, ndërsa shoku i tij ka qenë prapa, në shoqërinë e Eglantit, ndërsa vëllai i këtij të fundit Sokoli, ka qenë në timonin e makinës.

Lirohet Ardjan Ndreka

Teksa policia e Tiranës bëri të ditur se kishte arritur të arrestonte njërin nga autorët e krimit, shtetasin Ardjan Ndreka, që po largohej nga Mamurrasi, në orët e mesditës së djeshme është bërë lirimi i tij. Vendimi për lirimin e Ndrekës është marrë nga prokurori i çështjes Etion Kapo, i cili pasi studioi me imtësi materialet e administruara në dosjen penale, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Ndrekës. Sipas prokurorisë, implikimi i Ndrekës nuk është provuar në këtë krim, pasi autori që ka bërë qitjen është shoku i tij, shtetasi Eduart Kurti. Nga analizimi i të gjitha provave, ka rezultuar se vrasja e dy vëllezërve është bërë nga një armë e vetme dhe se këtë e ka përdorur biznesmeni nga Nikla e Krujës, Eduart Kurti. Gjatë marrjes në pyetje, shoku i tij, shtetasi Ardjan Ndreka, ka pranuar të tregojë të gjithë skemën e krimit, duke bashkëpunuar me prokurorinë dhe policinë e Tiranës. Nisur nga këto rrethana, prokuroria ka vendosur të lirojë Ardjan Ndrekën, duke u bindur se ai nuk është i implikuar në vrasjen e dyfishtë që ndodhi dy ditë më parë.

Banorët e pallatit

“Para katër ditësh, viktimat u përfshinë në

sherr me disa persona për çështje borxhi”

Banorë të pallatit, ku banonin dy vëllezërit Haxhialiu në zonën e ish-Bllokut tregojnë se para katër ditësh, vëllezërit ishin përfshirë në një debat me disa persona. Banorët, të cilët kanë qenë dëshmitarë të këtij sherri tregojnë se në konflikt kanë hyrë dy vëllezërit Sokol dhe Eglant Haxhialiu ndërsa për personat e tjerë nuk janë në gjendje të flasin pasi nuk i njihnin. Sherri ka ndodhur pikërisht në rrugën “Pjetër Bogdani”, përballë rezidencës qeveritare, ish-vila e Enver Hoxhës në Bllok. Sipas dëshmitarëve, konflikti është shoqëruar me përplasje fizike dhe se nga sa kishin dëgjuar dy vëllezërit ishin zënë pikërisht për një borxh financiar që kishin. Familja Haxhialiu kishte si origjinë qytetin e Beratit dhe prej disa vitesh jetonte në zonën e ish-Bllokut në një apartament në krye të një pallati 9-katësh. Pas vrasjes së dy djemve, tashmë familja Haxhialiu ka dhe një djalë tjetër, i cili jeton pikërisht në pallatin ku banonin dhe Sokol e Eglant Haxhialiu. Në orët e mesditës këta të fundit u përcollën në banesën e fundit në varrezat e Tufinës, ndërkohë që sipas banorëve të pallatit dy vëllezërit njiheshin si ndërtuar të vilave dhe hoteleve të personaliteteve VIP.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency