Gjurmët në thikë dhe fotografia e pasaportës zbuluan vrasësin

0
155

Elton Qyno

Sulejman Morina, u identifikua nga fotoja në sistemin e pasaportave biometrike. Policia krahasoi gjurmët e gjetura në thikë

 

Gjurmët e gishtave të fiksuar në thikën e krimit si dhe një fotografi e nxjerrë nga sistemi i të dhënave të pasaportave biometrike kanë qenë dy provat që tradhtuan njërin nga autorët e vrasjes së faturinos 17-vjeçar Juljan Çuni. Autori i këtij krimi të rëndë është shtetasi Sulejman Morina, i cili gjatë sherrit me faturinon e furgonit e ka pranuar në polici se e kishte qëlluar atë disa herë me thikë, për shkak se ai i kërkonte shumën prej 6 mijë lekësh të vjetra katër pjesëtarëve të familjes së tij. Ka qenë një hetim profesional i policisë së Tiranës dhe komisariatit të Durrësit, që ka bërë të mundur zbardhjen e kësaj vrasjeje të rëndë, ndërkohë nga sa mësohet pranë grupit hetimor identifikimi i autorit të krimit është bërë si rezultat i krahasimit të gjurmëve të gishtave të gjetura në thikë, me ato të personave që u janë marrë gjurmët gjatë procesit të pasaportizimit të tyre. Nga ballafaqimi i këtyre gjurmëve ka rezultuar se ato përputheshin plotësisht me gjurmët e gishtave të shtetasit Sulejman Morina nga fshati Shënavlash i Durrësit. Kaq ka mjaftuar që policia e Tiranës të kërkojë bashkëpunimin e komisariatit të Durrësit, duke mundësuar arrestimin e autorit të krimit dhe identifikimin e personave të tjerë.

Fotografia në Durrës

Një fotografi e Sulejman Morinës, autorit të dyshuar të vrasjes së 17-vjeçarit Juljan Çuni, i është dërguar nga ana e policisë së Tiranës komisariatit të Durrësit. Bashkë me fotografinë, janë dhënë dhe disa të dhëna lidhur me vendndodhjen e banimit të autorit të dyshuar të krimit. Kaq ka mjaftuar që forcat e policisë së qytetit bregdetar, kanë hartuar një operacion, për arrestimin në orët e natës të shtetasit Sulejman Morina. Agjentë policie kanë bërë të mundur të hyjnë në ambientet e shtëpisë gjatë natës, duke arrestuar personin që e kishin të identifikuar me anën e një fotografie, të marrë nga sistemi i pasaportave biometrike. Menjëherë pas arrestimit të Sulejman Morinës, strukturat e policisë së Durrësit kanë njoftuar homologët e tyre të Tiranës, duke bërë që në orët e para të mëngjesit të së shtunës Morina t’u dorëzohet specialistëve të sektorit të hetimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjatë marrjes në pyetje, Sulejman Morina ka marrë autorësinë e krimit, duke përjashtuar dy vëllezërit dhe babain e tij në krim. Ai ka treguar se nuk ka dashur ta qëllojë faturinon, por ai e kishte fyer rëndë dhe se i kishte qëlluar me grushte anëtarët e tjerë të familjes. Pas arrestimit të tij, në polici është dorëzuar dhe babai i Sulejmanit, shtetasi Hasan Morina, por ky i fundit pas marrjes në pyetje është lënë sërish i lirë. Aktualisht, policia e Tiranës është në kërkim të dy vëllezërve të tjerë, Behar dhe Klodian Morina, fotografia e të cilëve u është dërguar komisariateve Durrës, Has dhe Kukës.

Dëshmia e Sulejman Morinës

Sipas deklarimeve paraprake të dhëna në prani të prokurorit dhe të një oficeri të policisë së Tiranës, Sulejman Morina ka treguar se së bashku me tre anëtarët e tjerë të familjes kanë hipur në afërsi të stacionit të trenit për në banesën e tyre në Shënavlash, ndërsa në sheshin te Zogu i Zi, kanë dashur të zbresin për të blerë flamuj kombëtarë. Sipas dëshmisë së tij, kjo ka qenë pikënisja e debatit, pasi 17-vjeçari u ka kërkuar 150 lekët e biletës. Të katër, Sulejman, Hasan, Behar dhe Klodian Morina janë përleshur me faturinon, ku për pasojë ka humbur jetën i goditur me thikë Juljan Çuni. Morina ka treguar se menjëherë pas kryerjes së krimit ata janë larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes dhe më pas kanë shkuar tek rrethrrotullimi i Doganës ku kanë marrë një taksi, duke u larguar në drejtim të qytetit të Durrësit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency