Tre ministra, nderim dhe homazhe ministrit të parë të Mbrojtjes, Mehmet pashë Dëralla

0

Akademia Përkujtimore zhvillohet në Tetovë, nderime ministrit të parë të Mbrojtjes në qeverinë e Ismail Qemalit

Loading...

Maqedoni

Në qytetin e Tetovës, dy ditë më parë, shoqata e historianëve shqiptarë të Maqedonisë ka zhvilluar një Akademi Përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së patriotit të shquar Mehmet pashë Dëralla, i cili me shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 dhe krijimin e Qeverisë së Përkohshme nën kryesinë e Ismail Qemalit u zgjodh në postin e lartë të ministrit të Luftës. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm zv.kryeministri i Republikës së Maqedonisë, z. Musa Xhaferi, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, z. Arben Imami, ministri i FSK-së, z. Agim Çeku, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Fatmir Besimi, si dhe shumë të ftuar të tjerë. Fjalën e nderit në këtë konferencë e mbajti ministri i Mbrojtjes Imami, i cili ka evidentuar kontributin dhe meritat historike të gjeneral Mehmet pashë Dërallës. “Medalja e parë që kam firmosur si ministër i Mbrojtjes është pikërisht për Mehmet pashë Dërallën. I kam propozuar Presidentit të Republikës që t’i japë medaljen më të lartë të shtetit shqiptar. Këtë e kam bërë, jo vetëm për faktin se ai ishte ministri i parë i Mbrojtjes, por për shkak të kontributeve të pamatshme që ai pati për çështjen kombëtare. Kontributet e tij nuk lidhen vetëm me pozicionin si Ministër i Luftës, por e gjithë jeta e tij është luftë e përpjekje për një Shqipëri të lirë, të pavarur e sovrane”, – është shprehur që në fillim të fjalës së tij ministri Imami. Jeta dhe vepra e Mehmet pashë Dërallës, ka theksuar më pas ministri Imami, është ajo e një personaliteti të shquar të kombit shqiptar. Ai ishte pjesëmarrës në të gjitha ngjarjet kulmore të historisë shqiptare që paraprinë Pavarësinë dhe u kulmuan me hedhjen e themeleve për ndërtimin e një shteti modern shqiptar. Me një personalitet të realizuar që në moshë të re e me një karrierë të plotë politike e ushtarake, shkëlqeu në të gjitha pozicionet e larta drejtuese që mbajti në krye të xhandarmërisë osmane në disa vende të Lindjes së Afërt, e po ashtu edhe në drejtimin e komandave ushtarake në Selanik, Shkup e Prizren. Pavarësisht se në majën e hierarkisë ushtarake të perandorisë, ai braktisi gjithçka të lidhur me interesin e karrierën profesionale, për t’ia përkushtuar veten dhe kapacitetet e tij çështjes kombëtare. Një model i jashtëzakonshëm për të gjithë, një shembull për t’u ndjekur, ka nënvizuar ministri i Mbrojtjes Imami.

Aktiviteti i Dërallës

Fjala e ministrit Imami ka vijuar me një ekspoze të aktivitetit të Dërallës në shërbim të çështjes kombëtare, duke u shprehur se “gjeneral Dëralla iu përkushtua qeverisë së dalë nga Lidhja e Prizrenit duke luajtur një rol të rëndësishëm në veprimtarinë e saj. Edhe pas shpërndarjes së dhunshme të Lidhjes nga ana e Perandorisë Osmane, Dëralla iu bashkua Lidhjes së Pejës duke treguar papajtueshmërinë e faktorit shqiptar me politikat antishqiptare të Portës së Lartë. Pikërisht për shkak të kësaj veprimtarie intensive, ai u internua për një kohë të gjatë në shkretëtirat e Lindjes së Afërt. I rikthyer në vitin 1908, ai vazhdon të luaj një rol tashmë edhe më të rëndësishëm në organizimin e kryengritjeve të mëdha të Veriut përgjatë viteve 1910-1912 kundër hordhive serbe në Kosovë e Maqedoni, madje duke hyrë triumfues edhe në Shkup, në qendrën e vilajetit të Kosovës”. Rezultantja e gjithë kësaj veprimtarie patriotike të Mehmet Dërallës, sipas ministrit Imami, ishte pjesëmarrja e tij në Kuvendin e Vlorës dhe nënshkrimi deklaratës së Pavarësisë përkrah burrit të shquar Ismail Qemali e 40 etërve themelues të shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, emërimi i tij Ministër i Luftës, ishte produkt i veprimtarisë së tij, i një jete të tërë kushtuar çështjes kombëtare. Ndërsa duke folur për periudhën që shërbeu si Ministër Lufte, z. Imami u shpreh se, gjeneral Dëralla pati arritje të mëdha, si në drejtim të shtrirjes së sovranitetit të qeverisë, mbrojtjes së territoreve shqiptare, e veçanërisht në institucionalizimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Ai shtroi bazat e parë të një ushtrie moderne shqiptare duke hartuar rregulloret e para e duke ndërtuar njësitë e para ushtarake të Ushtrisë Kombëtare. Pavarësisht se në një kontekst politik aspak të favorshëm për qeverinë e përkohshme shqiptare, gjeneral Dërralla mban vulën e themeleve të ushtrisë moderne shqiptare, asaj ushtrie që sot është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Ceremonia

Konferenca u përshëndet edhe nga ministri i FSK-së, Agim Çeku, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Fatmir Besimi dhe zv.kryeministri i Maqedonisë, z. Musa Xhaferri, të cilët pasi dhanë vlerësime të larta për figurën e gjeneral Dërallës, shprehën vlerësime edhe për paradën madhështore që FA Shqiptare bashkë me FSK organizuan për nder të 100- vjetorit të Pavarësisë. Po dy ditë më parë, në Gradec të Maqedonisë, shoqata e historianëve shqiptar, në bashkëpunim me komunën e Vrapcishtit, organizuan një ceremoni me rastin e 100-vjetorit të emërimit të Mehmet pashë Dërallës në detyrën e ministrit të parë të Mbrojtjes të qeverisë së Ismail bej Qemalit. Me këtë rast, përmes një ceremonie simbolike pranë bustit të tij u vendosën kurora në nderim të figurës së Mehmet Pashë Dërallës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: ministri i FSK-së, z. Agim Çeku, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Fatmir Besimi, komandanti i FSK gjeneral lejtnant Kadri Kastrati, ambasadori i Kosovës në Shkup, z. Ylber Hysa, ambasadori i Shqipërisë, z. Arben Çejku, si dhe pjesëtarë të tjerë të delegacioneve nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Gjithashtu në ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të familjes së patriotëve të shquar, Hasan Prishtinës dhe Mehmet pashë Dërallës.

Kush është Mehmet pashë Dëralla

Mehmet pashë Dëralla lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit, Maqedoni. Ai është regjistruar në memorien historike të popullit tonë si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare dhe ministri i Luftës në Qeverinë e Përkohshme të Shqipërisë, të drejtuar nga Ismail bej Vlora. Pas shkollimit në vendlindje, ai ndoqi studimet e larta në Akademitë Ushtarake të Stambollit dhe më pas bëri një karrierë të shkëlqyer në ushtrinë e osmane, duke arritur që në moshën 35-vjeçare të merrte titullin “Pasha”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. Më pas ai do t’i jepte fund karrierës si oficer i ushtrisë osmane dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Mehmet Pashë Dëralla u caktua këshilltar i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Një kontribut të veçantë ai do te jepte edhe në Lidhjen e Pejës. Pas një internimi të gjatë në shkretëtirat e Irakut ai u kthye në vitin 1908, falë një amnistie të përgjithshme, që u dha pas kryengritjes xhonturke. Roli i Mehmet pashë Dërallës në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912 ishte shumë i madh, si një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore. Me shpalljen e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, Kuvendi i Vlorës shpalli edhe krijimin e Qeverisë së Përkohshme nën kryesinë e Ismail Qemalit dhe Mehmet pashë Dëralla u zgjodh në postin e lartë të ministrit të Luftës. Dita e festës kombëtare të ushtrisë, 4 dhjetor 1912, lidhet ngushtësisht edhe me emrin e kontributin e gjeneral Dërallës.

 

 

Loading...