Standard.al

Tiranë Ministri Imami pret kryetarin e Komisionit të Mbrojtjes së Dhomës së Deputetëve të Italisë

Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, ka pritur dje në një takim të veçantë kryetarin e Komisionit të Mbrojtjes së Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Edmund Cirielli, i cili shoqërohej nga zëvendës ambasadori italian në Tiranë, z. Joseph Berlendi dhe atasheu ushtarak, gjeneral brigade  Vito Dell’Edera. Ministri Imami, pasi i uroi mirëseardhjen në Tiranë kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes së Dhomës së Deputetëve të Italisë, z. Edmund Cirielli dhe delegacionit që ai kryeson, i shprehu  mirënjohjen për mbështetjen që ka dhënë dhe jep Qeveria Italiane për integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë Ministri Imami ka vlerësuar mbështetjen dhe ndihmën që Forcat e Armatosura të Italisë kanë dhënë për transformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, për bashkëpunimin midis trupave tona paqeruajtëse në misionin në Afganistan, duke theksuar se, në se sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka një zhvillim dhe modernizim të FA, përveç kontributit të të gjithë vendeve anëtare të kësaj Aleance, padyshim që Italia ka luajtur një rol veçantë. Ministri Imami ka theksuar se, eksperienca e fituar gjatë bashkëpunimit në operacionet paqeruajtëse në misionin në Afganistan, ku trupat shqiptare kanë vepruar në përbërje të një batalioni italian, duhet të shërbejë si një pikë referimi me qëllim që të vazhdojë edhe në të ardhmen. Një drejtim tjetër i bashkëpunimit midis FA Italiane dhe FA Shqiptare, ka theksuar ministri Imami, është ndihma që ju keni dhënë për ngritjen dhe modernizimin e Policinë Ushtarake, për të cilën mirëpresim forcimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Nga ana e tij, z. Edmund Cirielli, ka falënderuar ministrin Imami për pritjen që i ka rezervuar, si dhe ka vlerësuar arritjet e Forcave të Armatosura Shqiptare në këto vitet e fundit. Ne jemi dy popuj miq, ka theksuar z. Cirielli, dhe këtë e ka forcuar akoma dhe më shumë fakti që në Itali jetojnë dhe punojnë mbi 500 mijë shqiptarë. Më tej ai ka nënvizuar ndryshimet e mëdha që ka pësuar vendi ynë gjatë këtyre viteve, si dhe është ndalur në fushën e bashkëpunimit ushtarak, sidomos në ngritjen e një batalioni të këmbësorisë së motorizuar, në nevojën e një bashkëpunimi në fushën e industrisë ushtarake etj. Më pas dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për mjaft çështje të tjera me interes të përbashkët.

Comments are closed.