S’ka relativizim të viktimave

0

Petrit Selimi

Loading...

“Express”

 

Carla Del Ponte ishte ulur me ekipin e vet dhe kërkonte “rezultate”. Kishte mbledhur avokatë, hulumtues dhe prokurorë, me qëllim që të gjente mënyra të inicionte procesin kundër Haradinajt, si peshkut më të madh politik nga Kosova që do të duhej të shkonte në Hagë.

Del Ponte për shumë dekada ishte marrë me shqiptarë. Në të nëntëdhjetat e hershme kishte ndjekur edhe Pacollin për akuza të shpëlarjeve të parave në Moskë së bashku me vajzën e Jelcinit. Mund të besohet se kishte paragjykime për shqiptarët siç rëndom edhe kanë prokurorë e policë në Zvicër e Gjermani, që kanë pasur punë me struktura të ndryshme shqiptarësh. Në këtë rast mund vetëm të spekulojmë nëse Del Ponte kishte rënë pre e paragjykimeve të saja për shqiptarët, por ajo që dihet është se urdhri për sulmin frontal ndaj Haradinajt ishte iniciuar pas vizitave të saj në Beograd. Atje me ditë dhe javë të tëra kishte negociuar për dorëzimin e Milosevicit, Karadzicit dhe Mladicit. Këto ishin skalpe me të cilat Carla Del Ponte, e cila disi u mësua me gazetarë, me luks, me truproje dhe me stil të jetës të paguar nga tatim-paguesit zviceranë, donte ta kurorëzonte karrierën. Dëshironte të njihej si ajo që e dënoi Milosevicin, jo se ishte edhe aq e bindur në rrëfimin e luftërave të ish-Jugosllavisë, por sepse dëshironte t’i vente vulë karrierës së saj prej juristes. Mary Robinson, pasardhëse, ishte bërë ikonë e drejtësisë ndërkombëtare, Richard Goldstone i Republikës Jugafrikane, po ashtu kishte fituar respekt ndërkombëtar.

Problemi më i madh i Del Pontes ishte se në Hagë, asnjë jurist i vetëm, asnjë – nuk besonte se ka dëshmi për liderët shqiptarë të UÇK-së se ishin të implikuar në “ndërmarrje të përbashkët kriminele”. Po – në Kosovë kishte pasur krime ndaj civilëve serbë. Kishte pasur krime edhe ndaj shqiptarëve të akuzuar për bashkëpunim me regjimin fashist serb. Megjithatë, asnjë jurist i vetëm, prokuror, avokat apo specialist që punonte për Carla Del Ponten nuk besonte se shqiptarët mund të dënohen.

Kjo nuk e pengoi zonjën Del Ponte. Me serbët e qeverisë së Kostunicës Del Ponte kishte bërë një “pakt me dreqin”, sipas fjalëve të atyre që i njohin rrethanat e këtyre rasteve.

Sir Geoffrey Nice, që ka punuar për Hagë me vite të tëra duke ndjekur edhe Milosevicin, gjithmonë ka besuar se Del Ponte ka pasur agjendë të veten. Në një ligjëratë këtë verë, Sir Geoffrey deklaroi: “Dy apo tri ekipe të avokatëve kemi pyetur Carla Del Ponten se pse komandantët e UÇK-së po akuzohen fillimisht sepse nuk ka pasur asnjë dëshmi e vetme”. Ky jurist shumë i njohur britanik beson se aktakuza është iniciuar “për arsye mundësisht politike, sepse Serbia ankohej se nuk ka numër të mjaftueshëm të kosovarëve në Hagë”.

Sir Geoffrey vazhdon se ndjekja e liderëve të UÇK-së është bërë për arsye të “kënaqjes së publicitetit personal, në kundërshti me standarde normale”.

Edhe dëshmitarë tjerë të këtyre proceseve thonë se Haga filloi proceset kundër liderëve të UÇK-së për nevoja të pazarllëqeve me Beogradin. Si një quid pro quo, “ja ne po jua dorëzojmë ca shqiptarë”, ndërsa ju neve na dorëzoni Milosevicin me friends.

Këso lloj marrëveshjesh janë ato që edhe e goditën më së shumti Hagën. Shumë liderë serbe po ankohen këto ditë se vendimi për Gjeneral Gotovina dhe Gjeneral Haradinaj e pengojnë pajtimin në ish-Jugosllavi. Të gjitha dëshmitë dhe të gjitha verdiktet flasin se dëmtimi më i madh është bërë mu nga Del Ponte, e cila e dëmtoi narracionin e njohur për luftën. Për ata që filluan dhe ata që ishin viktima të luftës. Për ata që propaguan nacionalizëm, vrasje dhe gjenocid dhe ata që u deshën të mbrohen në toka të vetat.

A ka pasur krime edhe nga ana e shqiptarëve? Po. Me siguri se po. Ka pasur edhe krime nga Aleatët kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por Nurembergu nuk ka akuzuar oficerë të Aleatëve për të “balancuar”. Të akuzuar dhe dënuar ishin ata që propaguan, filluan dhe kryen krimet më të mëdha në histori moderne të njerëzimit.

Prandaj, vendimi për Haradinajn është i rëndësishëm për te dhe familjen e tij, por më shumë se gjithçka është i rëndësishëm edhe për të vërtetën historike rreth asaj se kush dhe pse shkatërroi jetët e dhjetëra dhe qindra mijërave familjeve në Ballkan.

Ishte shteti i Serbisë, lidershipi i tërë i Serbisë ata që hynë bashkërisht në “ndërmarrjen e përbashkët kriminele”.

Ky rrëfim nuk ka marrë ende epilogun përfundimtar juridik. Reparacionet e luftës do të hapen si temë në mes Serbisë dhe Kosovës dhe vendimi i djeshëm në Hagë do të ndihmojë që të gjitha viktimat e luftës në Kosovë të prehen në rehati.

Relativizim të krimit nuk ka.

 

Loading...