Presidenti Rugova nuk e meritonte përjashtimin

0
166

Hafiz Gagica

“Bota sot”

Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, është duke u anashkaluar nga ana e udhëheqësve shtetërorë, por edhe nga ana e partisë së tij, dhe kjo sjellje injoruese ndaj njeriut, i cili i vuri bazat e shtetit të Kosovës që përjetësisht është i lidhur me emrin e tij.
Nuk ka dyshim se historia e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës gjithmonë do të identifikohet me emrin dhe veprën e tij, sado që dikush po bën përpjekje që këtë fakt ta mbulojë me lëkurën e leopardit, meqë i gjithë populli shqiptar rolin dhe kontributin e tij historik që ka dhënë për Kosovën e lirë e ka të arkivuar thellë në kujtesën e tij.
Të mos përmendet dhe të mos shënohet qoftë edhe simbolikisht figura e Ibrahim Rugovës në mjetet e informimit publik, përveç në “Bota sot”, dhe në asnjë axhendë të programit të festës së 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, si lideri më i merituar i popullit shqiptar në Kosovë, por edhe në Shqipëri, i cili ka kontribuuar më së shumti në rënien e komunizmit si dhe hapjen e dyerve të demokracisë në hapësirat gjithëshqiptare, madje ç’është më me rëndësi, në ruajtjen e qenies fizike të shqiptarëve, duke gjunjëzuar dhe mundur një hegjemoni të tërë ruso-sllave, është morali më i dobët njerëzor, politik dhe kombëtar për të gjithë ata, të cilët me kaq arrogancë po i shtrembërojnë faktet e historisë së re të shqiptarëve
Dr. Ibrahim Rugova njihet, respektohet dhe kujtohet nga të gjithë liderët e Evropës dhe SHBA-së, ndërsa abuzohet me kaq fodullëk nga ata, të cilët sot vazhdojnë të thirrin në emrin dhe meritat e tij, por edhe ata, të cilët po simulojnë madhështinë e tyre prej “liderësh dhe burrash shteti”, të cilët sot po mos t’ua kishte trasuar rrugën Ibrahim Rugova, vështirë se do të ngjiteshin ndonjëherë në pozitat udhëheqëse, por as nuk do ta kishin mësuar ndonjëherë se ku gjenden kancelaritë ndërkombëtare të vendosjes.
Sepse, me shumë të drejtë populli shqiptar dr. Ibrahim Rugovës ia ka dhënë meritat dhe vendin e ndritur në historinë e kombit, duke e cilësuar me plotë të drejtë; Ismail Qemail bej Vlora i dytë, për faktin se është themeluesi dhe arkitekti i shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, proces i cili është në fazë kalimtare, që do të çojë në bashkimin tonë kombëtar. Andaj, të anashkalohet dhe injorohet në festat e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar njeriu që ua ndryshoi rrjedhën ngjarjeve tragjike për shqiptarët, duke i kthyer ato në favor të çështjes shqiptare si dhe duke i bërë miq të gjithë popujt dhe qeveritë e vendeve demokratike perëndimore është një sjellje e papranueshme për secilin shqiptar që ia dinë vlerën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës…!
Me këtë rast të gjithë shqiptarëve u uroj ditën e shenjtë të shqiptarëve, ditën e ngritjes së flamurit kombëtar, ditës së pavarësisë së Shqipërisë. Gëzuar për shumë mot, le të jetë kujtimi i përhershëm për të gjithë ata që kontribuuan për lirin dhe pavarësinë e Shqipërisë, Kosovës dhe hapësirës shqiptare, me shpresë dhe besim se po i afrohemi ditës së jetësimit të idealit të gjithë atyre që kontribuuan për liri e pavarësi të shqiptarëve.

Autori është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ish-kryetar i degës së LDK-së për shumë vite në Gjermani dhe bashkëpunëtor i Presidentit Rugova.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency