Kërkohej për trafik prostitucioni, arrestohet moldavja

0

Sonja Caka

Loading...

Shtirej si shtetase maqedonase, kërkohej nga Interpoli prej 2007-ës

Bashkëshorti kosovar i tronditur, e dinte gruan maqedonase, jo moldave

 

I befasuar ka mbetur një banor i kryeqytetit me origjinë nga Kosova kur policia ia ka behur në banesën e tij dy ditë më parë dhe i ka shoqëruar bashkëshorten për një verifikim. Por, më tej, pas zbulimit të identitetit të vërtetë të saj, kosovari Skënder B. ka mbetur i tronditur kur ka mësuar se gruaja me të cilën jetonte nuk ishte një shtetase maqedonase siç kishte deklaruar, por ishte moldave. Por jo vetëm kaq, gruaja e tij kërkohej prej 5 vitesh nga Interpoli për veprën penale të trafikut të prostitucionit, ndërsa kishte mundur t’i shpëtonte arrestimit duke ndryshuar identitet. Tashmë, gruaja 30-vjeçare Tatjana Neka, nënë e një fëmije, ndodhet e izoluar në qelitë e paraburgimit të komisariatit nr. 1, në pritje të kryerjes së procedurave të ekstradimit drejt shtetit moldav, vendim që do të merret nga gjykata.

Operacioni

Pas marrjes së informacionit se një shtetase moldave në kërkim strehohej në Tiranë prej disa vitesh, policia ka organizuar operacionin dhe ka bërë ndalimin e saj në banesën ku jetonte, në zonën e ish-Bllokut. Sipas policisë, 30-vjeçarja Tatjana Neka jetonte në Tiranë me bashkëshortin Skënder B., nga Kosova. Burimet policore thanë se Tatjana i ishte prezantuar si maqedonase shtetasit kosovar, dhe deri në mbrëmjen e të premtes kur ajo është arrestuar, i shoqi nuk e dinte se gruaja me të cilën ishte martuar dhe kishte një fëmijë ishte moldave. Madje, bashkëshorti nuk dinte as faktin se gruaja e tij ishte e kërkuar nga autoritet moldave për “trafik prostitucioni”. Gruaja është dërguar për ekspertizën e gjurmëve dhe verifikime të tjera në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe nga verifikimi rezultoi se ishte personi që kërkohej nga Moldavia. Policia bëri me dije se Tatjana Neka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2007. 30-vjeçarja ndodhet e siguruar në ambjentet e Komisariatit numër 1 dhe pritet që gjykata e Tiranës të shprehet për ekstradimin e saj drejt Modavisë.

Reagimi

Bashkëshorti i saj kosovar Skënder. B ka mbetur i shokuar kur i ka shkuar policia në derë. Policia deklaron se nuk ka të dhëna nëse bashkëshorti i saj kishte dijeni apo jo për identitetin e vërtetë të gruas së tij, por nga reagimi i tij, dyshon që ai ta ketë ditur një gjë të tillë. Ndërkohë që ky arrestim është filmuar edhe nga kamera, gruaja ka folur se po i prishnin familjen me këtë ndalim dhe filmime. Sipas burimeve policore, gruaja kishte kohë që jetonte në Tiranë dhe e njihte mjaft mirë gjuhën shqipe, ndërsa fliste me aksent kosovar. Ndoshta e folura e gjuhës shqipe dhe njohja e gjuhës maqedonase duhet t’ia kenë bindur kosovarin Skënder B., që gruaja e tij ishte maqedonase. Ata kishin krijuar familje prej disa vitesh dhe nga martesa kishin edhe një fëmijë. Tashmë do të jetë Gjykata e Tiranës ajo që do të vendosë mbi ekstradimin ose jo drejt Moldavisë për 30-vjeçaren, ndërsa nuk bëhet me dije se sa vite dënimi do të duhet të kryejë në burgjet moldave.

 

Burimet policore thanë se Tatjana i ishte prezantuar si maqedonase shtetasit kosovar dhe deri në mbrëmjen e të premtes kur ajo është arrestuar, i shoqi nuk e dinte se gruaja me të cilën ishte martuar dhe kishte një fëmijë ishte moldave

Loading...