Torta e “Shqipërisë etnike”

0
300

Artan Fuga

1. Pse ridoli “Shqipëria etnike” në tribunë?

Përgjatë festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, në fjalorin zyrtar shqiptar u përdorën edhe terma politiko-historikë që deri tani ishin shfaqur më shumë nga mediat, ose nga ndonjë parti politike që del me ngjyra nacionaliste, ose nga grupime politike shqiptare jashtë kufirit, apo nga intelektualë të njohur

për këndvështrimin e tyre, sipas të cilit, bashkimi i të gjitha trojeve ku jetojnë shqiptarë në hapësira të trashëguara prej shekujsh, përbën projektin politik madhor kombëtar qysh tani.
Cilët ishin këta terma? Kryeministri shqiptar, z. Sali Berisha, në Vlorë, nga tribuna e manifestimit ceremonial, përmendi se Ismail Qemali kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë nga Preveza deri në Preshevë e nga Shkupi deri në Podgoricë. Kjo solli menjëherë reagimin e autoriteteve greke, duke protestuar nëpërmjet anulimit të pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm grek në ceremonitë e shpalljes së Pavarësisë.
Nisur nga kjo deklaratë, analistë, përgjithësisht opozitarë, e kritikuan këtë pozicion, nisur nga argumente të ndryshme që të gjitha janë të mirëkuptuara. Por, nga ana tjetër, prej zëdhënësve qeveritarë, fillimisht u tha se deklarata e Kryeministrit në Vlorë kishte vetëm natyrë historike, pra kishte të bënte me të kaluarën, dhe jo me të ardhmen, aspak me të tanishmen. Me një fjalë, ata e trajtuan si një konsideratë historike, dhe jo me natyrë politike.
E pabesueshme.
Sigurisht, ky justifikim ishte relativisht i paqëndrueshëm. Konsideratë historike apo jo, ajo dëshmonte se Tirana zyrtare e ruante kujtesën kolektive të hapësirave ku shtrihen popullsitë shqiptare në Ballkan. Aq më shumë që duke rishpallur këtë të vërtetë historike, bëhej edhe një herë tjetër, në një moment solemn për kombin, me dije se kufijtë e sotëm të Shqipërisë janë një realitet i mbështetur në të drejtën formale, por jo në atë historike. Dallimi midis artificialitetit të formës institucionale dhe juridike nga njëra anë dhe i së drejtës natyrore shtetformuese nga ana tjetër, në kodin e politikës ndërkombëtare nuk është i neglizhueshëm. Kjo gjuhë lë të hapur të ardhmen kur dihet se mjaft kombe të fuqishme janë formuar vetë ata, nisur nga e drejta natyrore, në kuptimin e përputhjes sa më të gjerë mes identitetit etnik dhe atij territorial.
Sikur ta ndiente se shërbimet e zëdhënësve nuk e kishin përmbushur misionin, sikurse relaton media, Kryeministri shqiptar, në konferencën e shtypit me shtetarin slloven, deklaroi pas pyetjes së gazetarit, lidhur me faktin e reagimit grek, anulimin e vizitës të ministrit të Jashtëm grek, e trajtoi në mënyrë krejt të veçantë duke përdorur një dikton frëng, sipas të cilit miqtë shkëlqejnë me mungesën e tyre. Në fakt, me sa di, diktoni frëng nuk u atribuohet thjesht miqve, por kujtdo që është më shumë i pranishëm kur mungon sesa kur vjen diku. Me një fjalë, mund të kuptohej se për deklaruesin më shumë rëndësi kishte akti i mosardhjes, sesa vetë qenia e ministrit të Jashtëm grek në Vlorë dhe Tiranë.
E pakta, ishte një trajtim që e shmangte thelbin e problemit, përmbajtjen e deklarimit në Vlorë për Shqipërinë etnike deri në Prevezë, dhe linte të kuptohej se qëndrimi grek vinte nga një keqkuptim prej tyre i qëndrimit zyrtar shqiptar. Reagimin “armiqësor” grek Kryeministri shqiptar e trajton si një sjellje prej miqsh. Ironike. Trajtimi i ndokujt që shfaq një kundërshti si “mik” është një trajtim prej dikujt që është tolerues, pra prej një të forti. Në njëfarë mënyre, pala shqiptare tregoi forcë, duke e falur dhe nderuar palën greke që reagoi duke dëshmuar ndarje dhe mosmiratim për një deklaratë që në të drejtën e vet e konsideron se e cenon.
Në planin ligjërimor tensioni rritet.
Por, edhe çështja sqarohet, nuk kemi të bëjmë as me një lapsus, as me një rrëshqitje të retorikës politike si pasojë e emocioneve përballë madhështisë të festës kombëtare, por me një deklarim krejt të ndërgjegjshëm. Dhe si për ta vulosur këtë, dy ditë më pas, me rastin e përurimit të emërtimit të ri të një rruge të kryeqytetit, Kryeministri shqiptar shpalli edhe një herë se, në fakt, Shqipëria etnike, e cila kërkonte pavarësimin në fillimet e shekullit të kaluar, përfshinte 67 mijë km katrorë, pra një vend kryesor në Ballkan.
Përsëri rivjen ideja e Shqipërisë etnike. Nëse ndonjë përfaqësues i huaj do të ishte kritik edhe ndaj kësaj deklarate, me siguri që përgjigjja e shërbimeve të zëdhënësve qeveritarë do të kishte qenë përsëri: “Bëhet fjalë për një deklaratë me karakter historik dhe jo të politikës së ditës. Realiteti i Shqipërisë etnike dhe respektimi i kufijve të sotëm të Ballkanit janë dy çështje të ndryshme”.
Mirëpo, ndërkaq, ata që janë kritikë ndaj këtyre deklaratave, do të thoshin: “Një deklaratë historike në gojën e një lideri politik nuk është thjesht një qëndrim historik, teorik, erudit, por një pozicion politik i nënkuptuar. Ose, së paku, duhet të na bëjë vigjilentë për ta ndjekur dosjen me kujdes, se kushedi se çfarë mund të prodhojë kjo gjuhë në të ardhmen”.
Pastaj, do të thoshin se “termi “Shqipëri etnike” për këto zona do të ishte i pamjaftueshëm, meqë aty kanë jetuar edhe popullsi të tjera, si sllavë, grekë, romë, turq etj. Po qe se të gjitha shtetet e Ballkanit do të kërkonin hapësirat e tyre etnike, do të vazhdonte arsyetimi i kritikëve, atëherë e njëjta hapësirë fshati, zone apo ndonjëherë edhe lagjeje do të përfundonte brenda disa shteteve etnike.
Mirë se erdhe kaos!”
Mirëpo, gjuha zyrtare shqiptare e ka gjetur zgjidhjen, por në fakt ajo krijon dilema të tjera: “Bashkimi i shqiptarëve do të bëhet në kuadrin e një Evrope të Bashkuar, që shtrihet edhe në Ballkan!” Pra, nga njëra anë shqiptarët shohin drejt zhvillimeve evropiane, por nga ana tjetër, duke konfirmuar se shqiptarët janë objektivisht evropianistët më të thekur të Ballkanit, sepse brenda Evropës komunitare zgjidhin edhe çështjen e unifikimit de facto të tyre, krijohet shqetësimi se mos projekti i integrimit evropian çon në dëmtimin e interesave të kombeve të tjera dhe të elitave të tyre politike nacionale.
Këtu qëndron natyra estetike dhe politike e çështjes.
Në fakt, sipas meje, përmasat e gjuhës politike zyrtare në këto ditë festimesh lidhur me pavarësinë e Shqipërisë nuk janë as lapsuse, as rrëshqitje të ligjërimit zyrtar, as shprehje e emocioneve në ditë festash kombëtare, madje as konsiderata historike, por një i folur politik i mirëfilltë, pavarësisht nëse dikush është apo jo dakord me të. 2. Natyra e dyfishtë e të folurit politik aktual shqiptar

Me çfarë mund të shpjegohet?
Së pari, vështirë që një lider politik, që i bie rasti të jetë në krye të festimeve pas një shekulli pavarësie, të mos shfrytëzojë rastin për t’u pozicionuar jo me politikën e ditës, por me prirje politike shekullore, të së kaluarës apo edhe të së ardhmes. Dihet mirë se një festim i tillë nuk mund të bëhet veçse pas një shekulli, koha ecën shpejt, dhe nënkuptohet se brezat e ardhshëm, me siguri në një kontekst gjeopolitik shumë të ndryshuar, pas njëqind vjetësh të tjerë, do të hidhnin sytë njëqind vjet më pas duke pyetur: “Politikanët shqiptarë pozicionoheshin atëherë (pra, sot), vetëm në raport me shtetin kombëtar (që rrezikon të jetë transformuar si koncept krejtësisht) apo me një realitet më të gjerë, sikurse janë shqiptarët e Ballkanit?” Në këtë plan, supozohet se ata do të gjejnë deklaratat e shprehura në këtë 100-vjetor. Pra, kemi një ndërtim politik imazhi para brezave të ardhshëm.
Së dyti, pak tension ligjërimor sigurisht e bën me shumë kripë festën, e bën gëzimin dhe festimet e mbushura edhe me pak ankth e mbi të gjitha tërheq vëmendjen e publikut dhe të mediave rajonale dhe ndërkombëtare, duke çarë kështu rrugën e heshtjes para një publiku botëror që, sikurse thuhet në teoritë e komunikimit, “nuk ka kohë të ketë vëmendje në gjithçka ndodh në bote”. Nuk ka rëndësi në këto raste nëse këto media janë pozitive apo negative ndaj këtyre deklaratave. Rëndësi ka të flitet për festën e shqiptarëve.
E nëse grekët ndihen të prekur nga ajo që e konsiderojnë “nacionalizëm shqiptar”, kjo nuk u prish punë, por i ndreq punë Tiranës zyrtare, ndërkohë që ajo kishte pasur probleme me një pjesë të opinionit publik që e akuzonte se kishte harruar interesat shqiptare në negocimin me Greqinë lidhur me kufijtë detarë mes dy vendesh.
Së treti, Kryeministri shqiptar është edhe në rolin e një lideri politik në një vit elektoral. Festimet e këtij përvjetori pavarësie, sikurse edhe raste të tjera të mëparshme, kanë krijuar gjithnjë e më shumë qenien kolektive të një opinioni publik mbarëshqiptar që shtrihet virtualisht pa kufij, në një hapësirë, ku, në fakt, gjenden shqipfolësit e Ballkanit. Këtu kanë ndikuar së paku tri rrethana: rrethana e parë ka të bëjë me faktin se Rruga e Kombit dëshmoi dhe po dëshmon se krijon lidhje dhe komunikime reale mes shqiptarëve të Ballkanit. Së dyti, mediat, sidomos ato online, lejojnë krijimin e një komunikimi të thelluar informativ mes shqiptarëve përtej ndarjes së kufijve. Dhe së treti, lëvizjet e popullsisë dhe të personave janë bërë gjithnjë e më të shumta.
Në këtë mënyrë ne po ndodhemi përpara një procesi politik të ri, që nuk mund të mos vlerësohet. Liderët politikë shqiptarë aktualisht po kërkojnë një proces të dyfishtë legjitimimi. Nga njëra anë ata duhet të dalin në fushata zgjedhjesh para opinioneve publike shqiptare të fragmentuara, pra të vendeve të tyre, por nga ana tjetër, edhe të dalin si liderë politikë mbarëkombëtarë, sa kohë që ky opinion publik shqiptar mbishtetëror është tashmë formuar. Kjo shpjegon edhe gjuhën e dyfishtë, e cila, në fakt, përputhet me realitetin e dyfishtë politik të sotëm, nga njëra anë skena politike lokale ose kombëtare, nga ana tjetër skena politike shqiptare mbishtetërore.
Nuk mund të jesh te njëra pa qenë edhe te tjera reciprokisht. Realiteti politik shqiptar është i dyfishtë, pra edhe gjuha politike merr këtë natyrë.
Lideri politik demokrat llogarit të marrë kështu terren edhe ndaj partive që kanë dalë me flamurin kuqezi, duke e bërë çështjen kombëtare si flamur të fushatës elektorale.
Por, kjo anë lidhet me një anë tjetër, që ka të bëjë me integrimin evropian të Ballkanit. Nga njëra anë, Evropa e bashkuar kërkon respektimin e kufijve aktualë, por nga ana tjetër, duke ecur drejt realiteteve mbikombëtare, në kuadrin e një bashkësie të hapur, çon në një realitet mbikombëtar, çka bën që të gjitha pjesët e kombeve të mbetura jashtë territorit shtetëror të kombit mëmë të fuzionohen me këtë të fundit. Të gjitha kombet ballkanike përfitojnë nga ky proces, por nëse shumica e kombeve më shumë ndien rrezik sesa avantazhe, shqiptarët ndiejnë më shumë, shumë më tepër avantazhe sesa rrezik.
Së katërti, duke folur për shqiptarët e Ballkanit, gjithsesi si një komunitet moral, kulturor dhe politik, ka një moment adresimi edhe ndaj politikave integruese të Bashkimit Evropian dhe të gjeopolitikave botërore në përgjithësi. Etnike apo j etnike, të përbashkuar apo si grupe shoqërore më vete, nuk ka diskutim sot se stabiliteti, paqja dhe zhvillimi në Ballkan është vend më vend në dorë gjithnjë e më shumë të faktorit shqiptar. Në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk ka nevojë të flitet, por edhe stabiliteti social dhe ekonomik i Greqisë, stabiliteti ekonomik dhe politik i Maqedonisë dhe i Malit të Zi varet së tepërmi nga sjellja dhe vijësjellja e faktorit politik dhe social-ekonomik shqiptar.
Në këtë mënyrë, gjuha e “Shqipërisë etnike”, sado e shprehur në një kuadër festiv dhe kinse deklarativ historik, në fakt luan edhe një rol thërritës dhe një tërheqje vëmendjeje ndaj kërkesës së Shqipërisë për integrim evropian. Nuk është një vend i vogël dhe aq, saqë edhe mund të neglizhohet – do të nënkuptojnë, them, deklaratat e fundit të Kryeministrit shqiptar. Janë disa miliona shqiptarë në Ballkan. Është stabiliteti i Ballkanit në lojë.

3. Pyetje gjeopolitike
Të vazhdojë Shqipëria të vonohet duke i kërkuar kritere pas kriteresh? A nuk do të dëmtohet bashkë me atë të besueshmërisë së liderëve politikë shqiptarë edhe ai i Evropës së bashkuar ndër shqiptarët?
Kush do ta marrë këtë vend të zbrazur, kur dihet se besimi kolektiv është si materia, nuk e lejon boshllëkun?
Të integrojë sa më shpejt Shqipërinë që të fitojë përkrahjen morale të shqiptarëve të Ballkanit? Nuk do të frikësohen popujt e tjerë?
Kjo është mbase dilema e disa qarqeve evropianiste. Por, llogaria nuk del, veçse kur shqiptarët integrohen në proceset evropianizuese. Përndryshe, vështirë se Ballkani e gjen vendin e vet në Evropë. Shqiptarët, pra, nuk janë thjesht Shqipëria, është i gjithë stabiliteti dhe integrimi evropian i Ballkanit – kjo është gjuha e re politike që u artikulua në Vlorë dhe në Tiranë me rastin e festës.
Të mos e kuptosh do të ishte naivitet.
Ta trajtosh si “tortë” të hedhur thjesht për ta kollofitur pa përtypur nga ana e një publiku masiv, do të thotë mos ta kuptosh.
Në këtë mënyrë, “Shqipëria etnike” e Ismail Qemalit, që realisht dhe territorialisht në fillim nuk ishte veçse trekëndëshi Vlorë – Berat – Elbasan, në fakt është një instrument politik i aktualitetit dhe shpreh të gjitha sfidat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë së sotme. Si e tillë duhet analizuar:
Sa “Shqipëria etnike” si term i shërben Shqipërisë aktuale si realitet politiko-juridik?
Sa u shërben elitave politike shqiptare andej-këndej Ballkanit?
Sa ajo është pjesë e rivaliteteve dhe konkurrencës politike mes partive politike në Shqipëri e gjetiu, pra si fushatë elektorale?
Sa ajo dëshmon për sfidat e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, shqiptarëve de Ballkanit dhe “sekretet” e tij?
Sa ajo është pjesë e strategjive për të ndërtuar imazhin e politikanëve shqiptarë?
Këtyre pyetjeve synon t’u përgjigjet ky shkrim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency