Territori, frika dhe koha përmes metodologjisë gjeopolitike të G. Friedman-it

0
332

Prof. dr. Pajtim Ribaj

Studiues të vëmendshëm vlerësojnë ndikimet e teknologjisë së informacionit, cilësitë e së cilës politikëbërësit do t’i gjejnë më se bashkëkohore në shekullin e 21-të: sepse, ata duhet të kenë pikëpamje globale dhe një gatishmëri të menjëhershme për të përballuar sfidat, sepse kurrë nuk ka qenë më tepër e vërtetë se në këtë botë të re, të mbyllur, botë në të cilën “stabiliteti ynë është vetëm ekuilibër dhe urtësia gjendet në administrimin me mjeshtëri të së paparashikuarës; ata duhet gjithashtu të kenë një pushtet të kalitur për të gjykuar vlerat dhe të jenë në gjendje që me largpamësi të shikojnë kornizat politike të së ardhmes; dhe ata sigurisht, do të kenë akoma nevojë të kuptojnë momentin në të cilin që të dy, Njeriu dhe Ambienti, vijnë nga e shkuara në të tashmen” (Mackinder). Edhe vetë infrastruktura gjeopolitike e marrëdhënieve ndërkombëtare është në ndërveprim me konceptimet e botës dhe formon me to një konfigurim të sistemit ndërkombëtar për të cilin mund të thuhet se përbën njëkohësisht përmbajtjen dhe rezultanten. Konceptimet e botës nga ana e aktorëve, strategjitë e tyre, ambiciet e tyre nuk do të ishin krejtësisht indiferente ndaj kushteve strukturore dhe realiteteve faktike. Dhe kur flitet për realitete në gjeopolitikë synohet sidomos për politika territorialiteti të ngritura në kult. Territorialiteti është një nga elementet më thelbësore të ekzistencës njerëzore, sepse është pikërisht ai që na jep ndjenjën e përkatësisë, elementi bazë i të ekzistuarit në një shoqëri. Në terma të zhvillimit të mendimit, territorialiteti nuk është vetëm një shprehje e përkatësisë, por gjithashtu një mjet i fuqishëm për të kontrolluar, pasi duke qenë element bazë i ekzistencës, automatikisht bëhet dhe element bazë i pushtetit, resurseve. Në terma ndërdisiplinarë, nëse flasim për territorialitet, flasim për gjeopolitikë, pasi është një fenomen gjeografik që së bashku me politikën (e cila animon gjeografinë), japin dinamikat për këtë koncept kaq instiktiv sa dhe të përpunuar në mendjet e kohërave. Gjithsesi, nëse është e vërtetë ashtu siç është e vërtetë që gjeopolitika fokusohet në interesin e rivalitetit të pushtetit, detyra e saj nuk është ajo e shkaktimit të konfliktit, por përkundrazi ajo është e interesuar të prezantojë skenarët dhe mundësitë për të realizuar një paqësim dhe një ndërveprim mes marrëdhënieve midis subjekteve gjeopolitikë. Të dish se ku po shkohet, të përcaktosh gjurmën e një rruge për të ndjekur, për të arritur një objektiv të thjeshtë dhe të kuptueshëm, e thënë me një fjalë të kesh “një vizion gjeopolitik” të vetvetes në raport me botën mund të përfaqësojë një antikorp të fuqishëm kundër “virusit të paqartësisë dhe të frikës fluide”. Përballë kësaj sfide, kanë spikatur me punimet e tyre intelektualë, politologë e gjeopolitikanë, disa nga të cilët i kemi trajtuar në numrat e mëparshëm. Trajtesa e shkurtër e G. Friedmanit për metodologjinë e gjeopolitikës shpalos vizionin e tij parashikues përgjithësuar për territorin dhe frikën është vijim i shkrimit të mëparshëm për dashurinë, për llojin e vet, etj. George Friedman, është themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Strategic Forecasting Inc (Stratfor), një kompani private e cila është lider në çështjet e inteligjencës. Ai është autor i artikujve dhe librave të të ndryshëm mbi sigurinë kombëtare duke përfshirë “Lufta Sekrete e Amerikës” dhe “E ardhmja e Luftës”. Friedman ka marrë pjesë gjithashtu në shumë debate televizive në emër të Stratofor dhe në publikime ndërkombëtare si revista “Time”, “The Wall Street Journals” dhe “New York Times”.

Territori dhe Frika

Komunitetet – qytetet, kombet, madje dhe nomadët – ekzistojnë në një territor të caktuar. Ashtu si territoret e tyre janë të ndryshme, ashtu ndryshojnë edhe natyrat e tyre. Sigurisht që ka gjëra të tilla si për shembull kultura – gjuha, feja, mënyra e ushqimit etj. – të cilat nuk mund të kufizohen vetëm në një territor të caktuar. Në të njëjtën kohë ka karakteristika të cilat mund t’i përshtaten vetëm një territori, në kuptimin më të gjerë të fjalës. Nëse do të thoshim se ka shumë rëndësi se me çfarë ke lindur, atëherë gjeopolitika të mëson se vendi ku ke lindur është gjithashtu i rëndësishëm. Nisni që nga fakti më i thjeshtë. Një eskimez e percepton botën në mënyrë të ndryshme krahasuar me një njujorkez. Kjo nuk ka nevojë për shpjegim. Një eskimez, në jetën e tij tradicionale, përpara se të krijonte kontakt me evropianët e përballonte natyrën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ai hante ç’të gjente ose çfarë të kapte. Ajo që kapte në gjueti ishte e përcaktuar nga vendi ku ndodhej. Mënyra se si i kapte ose i gjente këto gjëra ishin të përcaktuara nga vendi ku ato ndodheshin dhe nga mjetet që ai kishte nëpër duar, nga ana tjetër janë të determinuara nga vendi. Sigurisht që kultura nuk mund të shihet thjesht si shprehje e kësaj beteje. Qeniet njerëzore janë shumë më të komplikuara se sa thjeshtëzimi i mësipërm. Në të njëjtën kohë, kush ka lindur në një vend të caktuar, me njerëz të caktuar e përjeton jetën në një mënyrë të ndryshme. Merrni si shembull një njujorkez. Shumica e njujorkezeve do të ishin po aq të çorientuar nëse do të gjendeshin në brigjet e Arktikut, sa ç’do të ishte një eskimez në Manhatan. Një njujorkez e siguron ushqimin e tij në mënyrë krejtësisht të ndryshme krahasuar me një eskimez. Qëllimi nuk është për të bërë një përshkrim të gjatë të brendësisë se jetës urbane në Amerikë, por për të evidentuar atë që është më e dukshme dhe kjo është se jeta si një njujorkez është po aq e çuditshme sa jeta në Arktik. Nuk dua të shkojmë përgjatë rrugës së mendimit se gjeografia përcakton kulturën e një kombi. Tuqididi që në kohët e hershme e bëri krahasimin mes një qyteti bregdetar dhe një qyteti në thellësi të vendit. Ai e bëri ndarjen mes qyteteve të mëdha dhe qyteteve të vogla me burime të mjaftueshme për të ndërtuar mure dhe fshatra të cilat nuk kishin burime për të ndërtuar mure dhe për pasojë nuk u bënë kurrë qytete. Është e thjeshtë për të marrë parasysh ndryshimin mes të qenit i lindur në Singapor dhe të qenit i lindur në Ulan Bator. Por është një koncept thellësisht i rëndësishëm për të ndërthurur së bashku me territorin, idenë e frikës. Kudo që të jetoni, ekziston gjithmonë frika e kombit tjetër, e komunitetit tjetër. Dy komunitete, të cilat jetojnë krahas njëri-tjetrit, jetojnë me frikën e njëri-tjetrit. Origjina e frikës buron nga padija e qëllimit të palës tjetër. Askush nuk mund të jetë në dijeni se çfarë qëllimesh ka në të vërtetë personi tjetër. Në marrëdhëniet rastësore, ku kostoja e llogaritjes së rezultateve është diçka e parëndësishme, ke lirinë për të marrë parasysh më të mirën për njerëzit. Kur bëhet fjalë për çështje jete dhe lirie, atëherë pasojat e një përllogaritjeje të gabuar duhet të mbahen mbi supe. Kur bëhet fjalë për jetët dhe liritë e fëmijëve, bashkëshortëve, prindërve dhe gjithçka të dashur, atëherë e drejta për të marrë rrezikun përsipër bie në mënyrë dramatike. Në këtë rast, nevoja për të marrë parasysh më të keqen është parësore. Lufta është shumë më shumë pasojë e frikës se sa pasojë e nevojës për pushtim apo plaçkitje. Thomas Hobes e ka shpjeguar këtë në detaj tek vepra e tij Leviatani. Është qëllimi i panjohur dhe gjithashtu kapacitetet e tyre ajo që i bën fqinjët të mos i besojnë njëri-tjetrit. Të dish se qëllimet vetjake nuk janë dashakeqe kjo nuk do të thotë asgjë për fqinjin. Dëshira e tij për pushtim është i fokusuar tek e panjohura e madhe. Kjo e çon komunitetin në mbrojtje. Kjo i çon ata në parapërgatitje. Nëse armiku dëshiron më të keqen atëherë është më mirë që të sulmojmë të parët. Në një univers pasqyrash, kur shpirti i tjetrit është vazhdimisht i mbuluar, forcat e logjikës duhet të veprojnë në mënyrë vigjilente edhe në rastin më të keq. Territori përcakton mënyrën e komunitetit. Orienton mënyrën se si njerëzit do të bëjnë jetesën e tyre, si do t’i mbajnë dhe si do t’i rrisin fëmijët e tyre, si do të plaken. Përcakton se kush do t’i bëjë luftërat, kundër kujt do të luftojnë dhe kush do të fitojë. Territori përcakton armiqtë, frikën, veprimet, dhe mbi të gjitha, limitet. Shtetarët më të mëdhenj të lindur në Islandë, do të kenë më pak impakt se sa politikani më i varfër i lindur në SHBA. Islanda është një vend i vogël dhe i izoluar ku burimet dhe mundësitë janë të kufizuara. SHBA janë një vend shumë i madh me akses në të gjithë botën. Edhe pse fuqia e tyre është e limituar, sidoqoftë mbetet e madhe. Territori përcakton jetën e fshatarëve dhe atë të presidentëve. Territori imponon kapacitetet. Gjithashtu imponon edhe dobësitë. Merrni parasysh një vend si Polonia i cili është i ngucur mes dy vendeve më të mëdha, Gjermania dhe Rusia. Polonisë i mungojnë pozicionet natyrore të mbrojtjes – lumenj, male, shkretëtira. Përgjatë historisë së saj ka qenë ose ekstremisht agresive, duke i zgjeruar territoret e saj (diçka e rrallë duke marrë parasysh burimet e saj) ose ka qenë një viktimë (gjendja e zakonshme e saj). Në një masë shumë të madhe, vendi në të cilin qëndron populli polak përcakton historinë e Polonisë. Megjithatë shkon edhe më thellë se kaq. Territori përcakton gjithashtu edhe jetën ekonomike. Gjermania ishte pothuajse tërësisht e ndërvarur nga minierat e hekurit në Francë. Në këtë mënyrë Gjermania kishte mundësi të furnizonte jetën e saj ekonomike. Japonezët ishin pothuajse tërësisht të ndërvarur nga çeliku dhe nafta amerikane në mënyrë që industria e tyre të vazhdonte të funksiononte. As Gjermania e as Japonia nuk mund të kontrollonin sjelljen e Amerikës. Edhe Franca edhe Amerika u përpoqën që të përdorin ndërvarësinë që Gjermania dhe Japonia kishin ndaj tyre për të kontrolluar sjelljen e tyre. Gjermania dhe Japonia ishin të dyja të tmerruara nga fakti se ato po asfiksoheshin. Si mund të dinin ato se cilat ishin qëllimet e palës tjetër? A kishin ata të drejtë për të lënë të ardhmen e tyre në dëshirën e mirë të vendeve me të cilat kishin mosmarrëveshje të tjera? Sikur çeliku francez të ishte në burime qindra milje më larg ose sikur Japonia të kishte naftë dhe minerale të tjera nën kontrollin e vet, historia do të ishte shumë më ndryshe. Por territori është territori dhe minierat e hekurit ishin ne perëndim të Gjermanisë kurse nafta ishte me mijëra kilometra larg Japonisë. Të dyja vendet orientoheshin nga dy gjëra. E para ishte ndërvarësia – fakti që ato nuk ishin të vetëmjaftueshme krijonte dobësi. E dyta ishte frika se vendi nga i cili po ndërvareshin do ta shfrytëzonte atë mundësi që t’i rrënonte ato. Rezultati ishte lufta. Gjermanët, si nën udhëheqjen e Bismarkut, Kaizerit apo Hitlerit u përpoqën që të transformonin situatën duke e imponuar vullnetin e tyre ndaj Francës. Rusët, të tmerruar nga një Gjermani shumë e fuqishme dhe e sigurt në kufijtë e saj perëndimorë, nuk donte të shihte Francën të mundur. Gjermania, duke e njohur frikën rusë e kuptonte se nëse Franca dhe Rusia do të sulmonin Gjermaninë në të njëjtën kohë, në një moment dhe me mjete të zgjedhura nga vetë ato, atëherë Gjermania do të mundej. Duke e pasur këtë frikë, Gjermania u përpoq në raste të zgjidhte këtë problem duke sulmuar e para. Në të gjitha rastet dështoi. Ajo që është e rëndësishme është se: Kombet dhe komunitetet e tjera ndërmarrin veprime më shumë si pasojë e frikës se sa si pasojë e dashurisë apo e grykësisë. Frika e katastrofës është ajo që orienton politikën e jashtme të fiseve nomade dhe gjithashtu të shtet-kombeve moderne. Nga ana tjetër kjo frikë e merr shtysën nga territori. Gjeografia përcakton mundësitë. Ajo përcakton gjithashtu dobësitë. Frika e ndërvarësisë dhe shkatërrimit është ajo që i vë kombet në lëvizje, një frikë e cila I ka rrënjët e saj thellë në territor.

Koha dhe rezistenca

Cilido model në lidhje me sjelljen e komuniteteve, i cili merr parasysh se komunitetet sillen sikur të ishin organizma të vetëm është sigurisht i gabuar. Një komunitet është i përbërë nga një numër i madh nën-komunitetesh të cilat janë të ndara në mënyra të ndryshme. Mund të përfshijë një gamë grupesh etnike të ndryshme, fe të ndryshme ose kasta të ndryshme shoqërore. Por dallimi kryesor dhe më i rëndësishëm është sigurisht ndryshimi mes të pasurve dhe të varfërve. Ky dallim, më shumë se çfarëdo gjëje tjetër përcakton mënyrën se si njeriu do e jetojë jetën. Ndryshimi mes jetës së një fshatari të varfër pa tokë dhe një burri të pasur është cilësisht i ndryshëm në të gjitha aspektet duke përveç fakteve bazë si lindja dhe vdekja në të cilën të gjithë janë njësoj. Ata jetojnë në mënyra të ndryshme. Mund të grupohen nga mënyra se si jetojnë dhe fitojnë të ardhurat e tyre në klasa të ndryshme shoqërore. Askush që ka menduar mbi jetën politike nuk e ka evituar dot prezencën dhe rëndësinë e klasës sociale dhe ekonomike. Në shek. e 19-të dhe shek. 20, mendimtarë si Karl Marks e ngritën rëndësinë e klasës shoqërore deri atje sa ajo konsiderohej më e rëndësishme se çdo atribut tjetër njerëzor. Kombi, familja, feja – të gjitha u bënë jo vetëm më pak të rëndësishme se sa klasa, por gjithashtu u bënë thjesht një manifestim i klasës. Kjo u bë promotori i gjithçkaje. Në të njëjtën mënyrë që liberalizmi ekonomik e ngriti individin e izoluar deri në esencën e të qenit njerëzor, socialistët ngritën klasën. Është interesante për të nënvizuar se liberalët ekonomikë dhe Marksistët, në sipërfaqe armiq të betuar të njëri-tjetrit, ndanin një pikëpamje të përbashkët se kombi kuptohet si një komunitet kompakt I cili realizonte gjithçka në rastin më të mirë ishte shumë interesant, kurse në rastin më të keq ishte një burg. Të dy këto shkolla mendimi prisnin qe kombi dhe komunitetet e tjera të kalbeshin dhe të shpërbëheshin, njëra nëpërmjet ndërkombëtarizimit të kapitalit kurse tjetri nëpërmjet ndërkombëtarizimit të klasës punëtore. Për shtresën e pasur dhe intelektualët, gjithmonë shfaqet një iluzion optik: se nacionalizmi në të vërtetë nuk ka rëndësi. Njerëzit më të pasur të botës, të cilët janë të aftë për të vendosur linja teknologjike dhe shërbëtorë mes tyre dhe natyrës, jetojnë në mënyrë shumë të ngjashme me njëri-tjetrin krahasuar me fshatarët e vendit të tyre. Territori ka për ta më pak rëndësi se sa për të tjerët. Shihni familjet mbretërore në Evropë në epokën e parë globale. Sa më të suksesshëm bëheshin ato, aq më pak të diferencuara bëheshin nga njëra-tjetra dhe aq më shumë të diferencuara bëheshin nga banorët e mbretërive të tyre. Është natyra e teknologjisë e cila jo vetëm e dominon natyrën por në të njëjtën kohë vendos linja ndarëse mes gjendjes njerëzore dhe natyrës. Ndaj, në mënyrë të qartë, sa më shumë e avancuar është teknologjia e një komuniteti aq më pak i rëndësishëm bëhet territori – ose të paktën, duket sikur. Një bankier amerikan për shembull ka shumë më shumë gjëra të përbashkëta me homologun e tij gjerman ose kinez se sa me bashkëkombësit e vet më të varfër. Mesa duket pasuria e shkrin konceptin e territorit. E njëjta gjë ndodh me shtresën intelektuale, e cila ka më shumë gjëra të përbashkëta me njëra-tjetrën se sa një bashkëqytetar i cili është kamerier dhe shërben ushqimin në restorantin e universitetit. Mund të ekzistojë mendimi se një universalizim i tillë i interesit duhet të ndodhë mes njerëzve të varfër. Karl Marx argumentonte se punëtorët nuk kanë atdhe dhe se ata ndjejnë solidarizim ndërkombëtar me të gjithë punëtorët e tjerë. Bankierët mund të mos kenë atdhe dhe intelektualët mund të imagjinojnë se punëtorët nuk kanë atdhe por megjithatë, nuk ekziston as prova më e vogël empirike se punëtorët apo fshatarët janë ndjerë të pa-atdhe, ose të paktën, janë ndjerë sikur nuk I përkasin ndonjë komuniteti. Sigurisht që shekulli i 20-të ka qenë varreza e fantazive intelektuale mbi indiferencën e klasave të ulëta lidhur me interesin kombëtar. Në dy luftëra botërore, ishte klasa e mesme dhe ajo e ulët të cilat ia shqyen gurmazin njëra-tjetrës. Në SHBA, ishte klasa e mesme dhe e ulët të cilat mbështetën luftën në Vietnam. çdo diskutim mbi gjeopolitikën duhet të nisë me një shpjegim lidhur me këtë, pasi shpjegimi standard, ai që pretendon se të varfrit janë të manipuluar nga të pasurit për të qenë luftarakë nuk duket se qëndron. Midis të tjerash, të pasurit zakonisht janë kundër luftës pasi ato janë të dëmshme për bizneset e tyre – shumë më të rëndësishme. Nga ana tjetër, të varfrit nuk janë edhe aq budallenj sa ç’mund të mendojnë të pasurit. Ata kanë arsyet e tyre se përse sillen në atë mënyrë. Le t’ia nisim me parimin e fatit të përbashkët. Mendoni dy boshte. Si fillim mendoni përmasat e një kombi apo një komuniteti. Merrni si shembull Izraelin i cili është një vend i vogël. Çfarëdo që ndodh në Izrael, i ndodh secilit prej banorëve të tij. A është Izraeli i mbingarkuar? Jo. Izraeli është imun ndaj pasojave dhe pasojat mund të jenë të thella madje katastrofike. Në kombe më të mëdha, sidomos kombe të cilët janë më të dobët, është e thjeshtë për të supozuar – ose për të pasur fantazi – rrethana në të cilat pasojat e komunitetit nuk do kenë ndikim mbi ju. Amerikanët mund të imagjinojnë se siguria kombëtare nuk ka për ta pasoja personale. Një hipotezë e tillë nuk është e mundur në vende të vogla të cilat gjenden në rrezik të drejtpërdrejtë dhe për këtë nuk ka nevojë për asnjë fantazi. Boshti i dytë është klasa. Për të pasurit është më e thjeshtë që të mbrojnë veten e tyre nga fati i përbashkët i komunitetit të tyre krahasuar me shtresën e mesme dhe të ulët. Të pasurit mund të akumulojnë dhe të ruajnë paratë në vende të tjera, të kenë aeroplanë privatë në dispozicion, mund të kenë mundësi të dërgojnë fëmijët e tyre për të jetuar në vende të tjera dhe kështu me radhë. Këto mundësi nuk ekzistojnë për ata që nuk janë të pasur. Fati i tyre është tërësisht I lidhur me fatin e vendit të tyre. Dhe ky është thelbi për çështje të cilat variojnë që nga lëvizjet e popullsisë e deri në liberalizimin e tregut. Të pasurit mund të mbrojnë veten e tyre nga pasojat – ose mund të përfitojnë nga pasojat. Pjesa tjetër e ka të pamundur. Dhe mendimi i logjikshëm është se klasat e ulëta kanë tendencën të jenë më konservatore në rreziqet që vendi i tyre duhet të ndërmarrë në arenën ndërkombëtare. Duke pasur më pak hapësirë për të manovruar, dhe më shumë për të humbur krahasuar me atë që kanë dhe kanë më shumë përfitim nga risku i suksesshëm, njeriu mesatar është hezitues ndaj rrezikut, më shumë mosbesues ndaj qëllimeve të vendeve të tjera dhe më dyshues ndaj pretendimeve ekstravagante që bëhen nga intelektualët dhe të pasurit rreth përfitimeve të tejkalimit të idesë së nacionalizmit. Nëse dashuria është emocioni i parë që njerëzit ndjenë, atëherë frika është emocioni i dytë. Dashuria për llojin e vet është e ndjekur nga frika që kemi ndaj të huajit. Sa më i dobët që të jetë njeriu, aq më pak burime ka ai, dhe aq më i ndërvarur është në komunitetin ku jeton. Sa më i ndërvarur që është, aq më i kujdesshëm do të jetë në ndërmarrjen e rreziqeve. Sa më dyshues që do të jetë ndaj rreziqeve të ndërmarra nga bashkëkombësit e tij më të pasur, aq më dyshues do të jetë ndaj gjithçkaje që e vë në rrezik komunitetin e tij ose që shpërbën autonominë e tij, dhe për pasojë do të dobësojë jetën e tij. Të pasurit dhe të fuqishmit janë të lirë për të qenë materialistë dhe grykës. Ata janë të lirë të ndërmarrin rreziqe dhe për të qenë aventurierë. Njeriu i zakonshëm e jeton jetën e tij me frikë – dhe duke vepruar kështu kjo nuk e bën atë irracional. Në një epokë demokratike, lufta e klasave nuk është si e kishte në vizionin e tij Karl Marksi. Është një betejë mes ndërkombëtaristëve të pasur dhe nacionalistëve të zakonshëm. Ndërkombëtaristët, duke pasur hapësirë për të manovruar, argumentojnë se në terma afatgjatë, nga aventurat ndërkombëtarë si FMN, OBT, BE, NAFTA ajo që do të përfitojë tërësisht do të jetë shoqëria. Bashkëkombësit e tyre të varfër nuk e mohojnë këtë, por ata nuk kanë luksin për t’i parë qetësisht gjërat në terma afatgjatë. Nëse ata humbasin punën e tyre sot, atëherë i bie që nipërit e tyre edhe mund të arrijnë të prosperojnë, ama gjithë jeta e tyre derisa ajo ditë të vijë do të jetë e shkatërruar. Termit afatgjatë janë realiste, por është një perspektivë të cilën vetëm të pasurit mund ta shijojnë. Individi me interesin e pastër personal ekziston, por nuk është edhe aq e lehtë sa ç’mendohet për ta gjetur këtë lloj. Shtetet kombe të cilat janë tërësisht të dedikuara në zhvillimin ekonomik janë gjithashtu shumë të vështira për t’u gjendur. Arsyeja e parë dhe më e logjikshme është kjo. Të jesh në ndjekje të rritjes ekonomike pa marrë parasysh rritjen në vetvete është vetëvrasëse. Sa më i pasur që je, aq më shumë të tjerët do të kenë qëllime për të vjedhur këtë pasuri. Mbrojtja e pasurisë është po aq e rëndësishme sa ta shtosh atë. Por mbrojtja e pasurisë shkon kundër ndërtimit të pasurisë në si në aspektin e shpenzimeve ashtu edhe në aspektin kulturor. Në fund, shoqëria është shumë më komplekse se sa një makineri e rritjes ekonomik dhe gjithashtu, ekziston më shumë se një arenë e klasave ekonomike. Ka një aspekt më të thellë për këtë. Rritja ekonomike e këtij lloji mundi të transformojë Shtetet e Bashkuara nga një komb agrar në një gjigant teknologjik dhe industrial por për këtë u deshën të kalonin shumë breza. Atyre brezave ju është dashur sakrificë dhe shumë ngushtim për të arritur qëllimet e tyre. Ju është dashur disiplinë shoqërore në të cilën për shembull prindërit që kishin emigruar duhet të bënin një jetë më të varfër se sa mund ta bënin në mënyrë që të fëmijët e tyre të bënin jetë më të mira. Dëshira e një prindi për të bërë sakrificë jo vetëm jetën e tij por gjithashtu rehatinë e tij, shpresat dhe aspiratat që fëmijët e tyre të ecnin përpara në jetë është jo vetëm themeli i zhvillimit ekonomik por gjithashtu edhe refuzimi i çfarëdolloj modeli i cili e sheh individin si të fiksuar pas vetvetes dhe si një instrument të historisë. Nuk funksionon kështu. Sidoqoftë, skenarë të këtij tipi nuk mund të ekzistojnë në vakum. Merrni shembullin e mëposhtëm. Supozoni se është treguar qartë se do të ishte në interes të madh të SHBA nëse Kina do të merrte përsipër gjithë prodhimin e pajisjeve elektronike. Supozoni se në 30 vjet kjo do të thoshte dyfishim të GDP dhe të standardit të jetesës në SHBA. Nga pikëpamja e shoqërisë si një e tërë, kjo do të ishte ide e mirë. Sidoqoftë, merrni dhe pikëpamjen e një inxhinieri kompjuterësh amerikan i cili është 30-vjeç, sapo është martuar dhe ka një fëmijë. Këto 30 vjet do të mbulonin jetën e tij produktive. Ai nuk do të ishte në gjendje për të praktikuar profesionin që ka zgjedhur dhe gjithashtu investimi shumë i madh që ai do të kishte bërë për shkollimin e tij nuk do të mund të shpërblehej. Mes moshës 30 deri në 60 vjeç atëherë kur do të vinte edhe shpërblimi i tij, ai do të jetonte një jetë shumë të ndryshme nga ajo që kishte shpresuar, dhe gjasat do të ishin se jeta e tij do të ishte gjithashtu aspak komode. Shoqëritë dhe njerëzit jetojnë në kohë të ndryshme. Një shoqëri matet me breza dhe shekuj. Një njeri matet me vite dhe dekada. Ajo që quhet si një fazë kalimtarë në historinë e Amerikës, në një segment të vogël të ekonomisë, për një njeri do të thotë e tërë jeta e tij. Ky është një tension themelor mes kombit dhe individit. Kombet funksionojnë me orë të ndryshme nga individët. Nën shumicën e rrethanave, kur individët e përfshirë janë të pakët dhe jo të organizuar, kombi i shemb individët. Në ato raste kur individi e kupton se fëmijët e tij mund të hedhin përpara hapa cilësorë, atëherë individi duhet ta pranojë realitetin. Por kur individët e prekur nga një bllokim thelbësor dhe kur dyfishimi i ekonomisë nuk përbën për ta as edhe një ndryshim domethënës në jetën e fëmijëve të tyre, ata mund edhe të rezistojnë. Është e rëndësishme që të fokusohemi tek ora, në njësitë e ndryshme të matshme të kohës, dhe për mënyrën se si këto njësi na ndryshojnë perceptimet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency