Takimi Berisha: Çështja kombëtare, ylli polar i PD-së

0
168

Ina Jano

Kreu i mazhorancës, Berisha shpërndau 400 karta anëtarësimi për hyrjet më të reja në Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Ai tha se politika e integrimit të PD-së do të fitojë mbi atë të bllokimit socialist

 

Çështja kombëtare duket se është rikthyer në temë të ditës për politikën shqiptare. Pasditen e djeshme, gjatë procesit të dorëzimit të 400 kartave të anëtarësimit për të rinjtë demokratë, kreu i qeverisë tha se në themel të programit të Partisë Demokratike ka qenë gjithnjë çështja kombëtare, madje Kryeministri e cilësoi atë si një yll polar. Ai tha se me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, fqinjët kanë dashur të na zhdukin, ndërsa ende sot në rajon qëndron si një re albanofobia. “Albanofobia është një re që qarkullon në rajon, fqinjët na shihnin si qytetarë të dorës së dytë e të tretë, nuk mund t’i pranojnë shqiptarët si qytetarë të lirë, sot jemi më të bashkuar se kurrë, çdo pëllëmbë tokë është territor në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Ata të cilët mendojnë që ne do mund të kemi çështje më të madhe se çështja kombëtare, gabohen rëndë, duhet ta dinë mirë se shqiptarët janë adresuar, kanë përjetuar pas hebrenjve racizmin më të egër në rajon dhe më gjerë. Duhet ta dinë mirë se ndaj tyre, më shumë se ndaj çdo kombi tjetër, janë hartuar paraprakisht programe të shfarosjes së tyre. Ne festuam 100-vjetorin, por imagjinoni që paraardhësit nuk kishin shtet, se një perandori që i kishte sunduar për 500 vjet donte t’i ndante, ndërsa fqinjët u vërsulën të tërbuar nën një aleancë të quajtur e shenjtë, që kishte si synim grabitjen e trojeve shqiptare dhe zhdukjen e trojeve shqiptare”, – tha Berisha.

Integrimi

Kryeministri Berisha hodhi akuza të forta për kreun e opozitës, Rama. Përpara të rinjve demokratë ai tha se alternativa për zgjedhjet e ardhshme mbetet e qartë, ose të bashkohen me platformën e integrimit, ose me atë të bllokimit. “Para jush shtrohen dy alternativa: ajo e integrimit dhe ajo e bllokimit. Edi Rama pas përpjekjes për të marrë pushtetin me dhunë në 21 janar, pasi ëndrra e Edi Ramës që të mbante fjalim nga zyra ime, kjo s’mund të ndodhte, dhe pasi nuk pranonte të votonte asnjë ligj, bëri gjithçka për të bllokuar vizat. Unë jam i bindur se do marrë leksionin shekullor si etërit e tyre në 1992, nuk ia jap unë për të rinjtë dhe të rejat. Nuk mund t’u zësh ti të rinjve ëndrrën evropiane”, – shtoi Kryeministri. Më pas ai tha se vendi përjetoi diktaturën më të egër, por shqiptarët, për të mbrojtur vokacionin e tyre perëndimor, vuajtën më shumë se kushdo tjetër, u burgosën, u internuan vetëm për besimin tek Zoti e vlerat e qytetërimit evropian. “Pasardhësit e komunistëve erdhën me dhunë në pushtet me një rebelim në vitin 1997, por ishit ju ata që përzutë me votë ata që morën pushtetin me dhunë. Ju bëtë mrekulli”, – tha Berisha. Ky i fundit u ndal edhe në rrugën që PS-ja ka bërë në këto vite për të bllokuar integrimin dhe gjithashtu për të ndalur hovin e ëndrrës evropiane.

Anëtarësimet

Kryeministri Berisha e cilësoi ditën e djeshme të rëndësishme për Partinë Demokratike, pasi në Tiranë u anëtarësuan 400 të rinj dhe të reja. Kryeministri tha se pikërisht të rinjtë kanë qenë përcaktuesit e fitoreve të PD-së. “Sonte Partia Demokratike e Tiranës, por e gjithë Shqipërisë përjetojnë një ngjarje të madhe, të veçantë, sepse në gjirin e saj sot anëtarësohen mbi 400 të rinj e të reja. Ky është nderi më i madh për të gjithë demokratët dhe demokratet e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Ky është besimi i të rinjve shqiptarë, të rinjve të Tiranës. Ju sot hyni në Partinë Demokratike, por unë mund t’ju them juve me bindjen më të thellë se kjo parti si asnjë parti tjetër në Shqipëri, jo për rastësi, si asnjë tjetër parti e qendrës së djathtë në Evropë është mbi të gjitha parti e të rejave dhe të rinjve shqiptarë. Këto 22 vite, ju të rejat dhe të rinjtë e vendit tim keni qenë energji e pashtershme, guximi dhe trimërie, keni qenë përcaktuesit e çdo fitoreje të veçantë të PD-së”, – tha kreu i mazhorancës.

 

Rama reagon në Twitter

Kreu i opozitës Edi Rama, ju kundërpërgjigj shefit të qeverisë Berisha në rrjetin social “Twitter” sa i përket deklaratave të tij në lidhje me bllokimin e integrimit dhe rolin e Partisë Socialiste në gjithë këtë proces. Në takimin që ai pati në të rinjtë demokratë, përmendi edhe faktin se PS-ja nuk po voton tre ligjet e integrimit dhe sipas numrit një të opozitës, kjo gjë nuk duhet të kishte ndodhur. “Sa gjynah ata të rinj që i kanë thirrur për ëndrrat (ç’kopjacë!) e u flasin për makthin që kanë ndaj opozitës (dmth ëndërr e vetme pushteti)-shkroi Rama në profilin e tij”,  në ”Twitter’”. Sipas kreut të PS “të anëtarësosh të rinj në partinë që qeveris e tu flasësh përçart kundër opozitës është shembull kuptimplotë për katandinë e politikës qeverisëse.

Berisha takon ministrin e Kulturës të Azerbajxhanit

Kryeministri Berisha priti dje në një takim ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Azerbajxhanit, zotin Abulfaz Garayev. Ministri Garayev, si përfaqësues zyrtar i Republikës së Azerbajxhanit në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, i shprehu Kryeministrit edhe një herë urimet më të përzemërta për festën e pavarësisë. Gjithashtu, ai shprehu edhe potencialin që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë për t’u intensifikuar, jo vetëm në aspektin ekonomik, por me rëndësi edhe në aspektin kulturor mes dy popujve. Në këtë kuadër, të enjten u nënshkrua edhe një marrëveshje ndërmjet ministrave të Kulturës e Turizmit të të dy vendeve, në bazë të së cilës parashikohet një shkëmbim intensiv eksperiencash e praktikash në fushën e kulturës dhe turizmit. Zoti Berisha e falënderoi ministrin Garayev për prezencën e tij në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë dhe shprehu bindjen për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, historia e të cilave është karakterizuar rrënjësisht nga diversiteti kulturor dhe toleranca.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency