Standard.al

Rita Ora, ylli që ndriçoi Tiranën për 100-vjetor

 Gestjana Musha     

Performanca, spektakli me ngjyra

 

Festimet për 100-vjetorin e pavarësisë u mbyllën me një spektakël të vërtetë mbrëmjen e 28 nëntorit në Tiranë. Në sheshin “Nënë Tereza” performuan fillimisht disa prej këngëtarëve më të mirë shqiptarë, mes të cilëve spikasnin: Mariza Ikonomi, Ermal Mamaqi, Argjentina Ramosaj, Rona Nishliu (përfaqësuese e Eurovizionit), Dafina Zeqiri,Tuna, etj. Skena u ndez kur performuan tenorët më të mëdhenj të Shqipërisë, me këngën e tyre të 100-vjetorit të pavarësisë. Larmia e këngëve e bëri më të gjallë këtë koncert, duke i dhënë më tepër jetë dhe atmosferë spektaklit. Të gjithë nën shi kërcenin dhe brohorisnin këngët e tyre të preferuara. Veshjet e këngëtarëve ndryshonin shumë nga njëra-tjetra, përshtatur me ambientin festiv dhe skenik.

Ndërkaq, një skenografi e veçantë, me drita, u shfaq rreth orës 23:00, ku loja me ngjyrat dhe me simbolet kombëtare krijoi emocione të forta tek mijëra qytetarë të pranishëm në shesh. Ndërsa këngëtarja Rita Ora ka qenë surpriza e festës së 100-vjetorit të pavarësisë. Këngëtarja me orgjinë shqiptare ka mbërritur në sheshin “Nënë Tereza” rreth orës 23:25, e shoqëruar nga Kryeministri Sali Berisha. Ora këndoi disa nga këngët më të mira të repertorit të saj, duke elektrizuar skenën dhe mijëra qytetarët që e kanë ndjekur atë në shesh. Me gjithë shiun e dendur, Rita Ora sfidoi kushtet e motit dhe u afrua për disa minuta në rreshtat e para të qytetarëve që e ndiqnin atë live. Rita Ora foli shqip disa herë para qytetarëve në sheshin “Nënë Tereza”, duke e bërë edhe më emocionuese performancën e saj. Momenti më i veçantë i performancës ishte kryqëzimi i duarve në formën e shqiponjës. Ajo këndoi përreth 30 minuta nga ora 23:30 minuta deri në orën 00:00, duke dhuruar emocione dhe spektakël. Koncerti festiv zgjati deri pas mesnatës, me muzikë të luajtur nga DJ Free Style. Sipas organizatorëve të eventit, ardhja e Rita Orës në ditën e rëndësishme të shqiptarëve ishte vetëm për çështje patriotike, arsye për të cilën ajo nuk ka kërkuar të paguhet prej tyre. 22-vjeçarja mbërriti me familjen më date 28 nëntor në Tiranë dhe u largua paraditen e datës 29.

Skena

Skena e ndërtuar tek sheshi “Nënë Tereza” ishte madhështore, kjo jo vetëm për nga forma dhe organizimi, por edhe nga simbolika që ajo mbante. Ishte skena e 100-vjetorit të pavarësisë. Veçantia e mbrëmjes ishin rrezet lazer që i dhanë ngjyrë spektaklit, duke e krahasuar atë më spektaklet e huaja.

 

Mediat

Gazeta britanike “Daily Mail” i ka kushtuar një artikull perfomancës së Rita Orës në ditën e festimit të pavarësisë së shqiptarëve, duke e cilësuar si energjike dhe vetë artisten si një pop-star të vërtetë. Gazeta e mbyll shkrimin me një koment të Rita Orës në Twitter, ku thotë: “Shqipëri, ishe e pabesueshme, një ëndërr për mua që u bë realitet. Binte shi, por ne gjithsesi e tundëm! Gëzuar 100-vjetorin! Jam e nderuar”. Media britanike komentoi edhe veshjen e zgjedhur nga këngëtarja, si jo fort të përshtatshme për motin me shi që shoqëroi mbrëmjen e të mërkurës. “Daily Mail” publikoi foto të ndryshme të këngëtares, ku spikaste ajo me Kryeministrin e vendit, i cili e shoqëroi atë në skenë dhe ishte një nga ndjekësit e saj më të flaktë.Nuk kishte si të ndodhte ndryshe për të vlerësuar aktin patriotik të këngëtares së madhe Rita Ora.

Veshja

Një natë përpara festës së pavarësisë, Rita ka qenë e pranishme në “British Fashion Awards”, e veshur me një fustan me dekolte të hapur, ku pa dyshim u duk shumë hot. Rita, e cila festoi 22-vjetorin në fillim të kësaj jave, dukej engjëllore me fustanin e saj, ndërsa në këmbë mbante të veshur një palë këpucë sportive. Si një yll i muzikës pop, këngëtarja kishte zgjedhur si një aksesor shtesë edhe një palë doreza të kuqe lëkure. Me një look të thjeshtë dhe të zakonshëm, me një fustan ngjyrë gri, Rita Ora u ngjit në skenën e sheshit “Nënë Tereza”. Nuk mund të mungonin unazat e shumta që këngëtarja, me sa duket, i mban gjithmonë me vete, kjo për të qëndruar brenda stilit unik të saj.

 

Rob Kardashian

I dashuri i Rita Orës, Rob Kardashian, ka shkruar në profilin e tij në Twitter se është shumë krenar me të dashurën e tij, e cila performoi në Tiranë, për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Aq krenar me Rita ORA. Ajo është gati për të performuar përpara një milion qytetarëve dhe Presidentit të vendit të saj! Shqipëria, gjë e bukur”, – shkroi Kardashian në profilin e tij. Me sa duket, Ritës nuk i ka munguar edhe mbështetja morale e të dashurit, i cili ndihet krenar për të.

Vlerësimi

Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi këngëtaren me origjinë shqiptare, Rita Ora. “Falënderim të veçantë superstarit të Britanisë së Madhe dhe SHBA, Rita Orës, të them është si Madona është pak, ajo është diçka midis Beyonce dhe Rihannës, është e mrekullueshme. Përveç zërit të saj, Rita është një atdhetare e flaktë… e edukuar nga një familje e shkëlqyer, ajo pranon që është shqiptare dhe kosovare. Ishte pa dyshim mbyllja më e shkëlqyer e festës. E gjithë lodhja ime e akumuluar në një muaj dhe më gjatë u shkri, ishte shiu, po unë isha i gatshëm të vallëzoja bashkë me të rinjtë në shesh nën ritmet e saj”, – u shpreh Berisha.

Comments are closed.