Standard.al

Kompozitori David Tukiçi kërkon ndarjen nga bashkëshortja

Listës së personave të njohur VIP që i drejtohen Gjykatës së Tiranës për divorc i është bashkuar së fundmi edhe kompozitori i njohur David Tukiçi. I njohur si dirigjent, instrumentalist dhe kompozitor, Tukiçi ka vendosur t’i japë fund jetës bashkëshortore me gruan e tij Najada Tukiçi (Basha), duke kërkuar zgjidhjen e martesës. Kërkesa për divorc mban datën 5 nëntor të këtij viti dhe çështja mban numrin 18730. Kërkesa e kompozitorit Tukiçi po shqyrtohet në gjykatë nga gjyqtarja Brunilda Kadi, ndërsa më 23 nëntor ishte parashikuar zhvillimi i seancës së parë. Por, në këtë datë nuk është paraqitur e paditura, gruaja e kompozitorit, Najada Tukiçi, e cila ndodhej jashtë territorit shqiptar. E njoftuar nga gjykata për kërkesën e të shoqit, i cili kërkon të ndahet prej saj, në fletëthirrjen e datës 7 nëntor, vetëm 2 ditë pasi ishte hedhur shorti për këtë kërkesë ndarjeje, ishte shënuar që e paditura ndodhet jashtë shtetit. Vetë paditësi, David Tukiçi, edhe përmes mbrojtësit ligjor ka paraqitur para gjyqtares një vërtetim të lëshuar më 22 nëntor nga kryetari i njësisë bashkiake nr. 1, me anë të të cilit gjykata njoftohej se Najada Tukiçi ndodhej jashtë vendit. Për këtë arsye, kompozitori kërkoi njoftimin me shpallje publike, kërkesë që u pranua nga gjykata. 56-vjeçari Tukiçi, i cili rrjedh nga një familje muzikantësh dhe vetë është një kompozitor i njohur, prej disa vitesh mban nënshtetësinë italiane. Babai i tij, Ibrahim Tukiçi, është një ndër tenorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. David Tukiçi lindi në vitin 1956 në Shkodër. Deri në vitin 1992 ishte drejtor i simfonisë së muzikës në Radio-Televizionin Shqiptar (RTSH). Ka kompozuar një numër të madh të simfonive, instrumentaleve dhe këndim. David Tukiçi studioi për kompozim, më vonë për dirigjent në Francë, duke e rritur reputacionin e tij në Itali, ku mori edhe vlerësimin nga Presidenti Champi. Kohët e fundit, Tukiçi ka vënë në skenë operën “Jeta është ëndërr”, që, sipas kritikës, është një ndër operat më të bukura me autorë shqiptarë.

Comments are closed.