FRD hap degën në Durrës, Topi: Kemi 70 mijë vota

0
156

Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, deklaroi dje se forca që ai drejton do të bëjë të mundur kthimin e shtetit të së drejtës dhe çlirimin e shqiptarëve nga zinxhiri i vjetër i politikës. Në takimin e zhvilluar në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit, me rastin e hapjes së degës së re të FRD-së, Topi ka artikuluar për herë të parë edhe numrin e votave që, sipas tij, ka kjo parti. “FRD nuk synon të ndryshojë një qeveri të djathtë me një të majtë, ne kërkojmë të ndryshojmë sistemin partiak në vend, me 70 mijë votat që ka sot kjo forcë politike. Ndryshimi i qeverisë së korruptuar është objektiv i FRD-së, e cila nuk synon të ndryshojë një qeveri të djathtë me një të majtë, dhe as me një të qendrës. Ne nuk duam të zëvendësojmë emra të përveçëm politikanësh, duam t’i japim fund praktikës ku një parti apo një grup njerëzish kanë zëvendësuar demokracinë me oligarkinë. Në planin politik, FRD kërkon t’i japë fund keqqeverisjes së vendit. Ne do të ndryshojmë këtë qeverisje, sepse kemi 70 mijë vota, do të ndryshojmë pazaret politike të dyshimta për pushtet. Shqiptarët kanë nevojë për të kthyer shtetin e së drejtës”, – theksoi ai. Po ashtu, Topi komentoi edhe 100-vjetorin e pavarësisë, duke thënë se politika nuk u soll në respekt të qytetarëve, pasi personalizoi dhe keqpërdori festën, duke prishur imazhin qytetar dhe shtetëror. Ndërsa sekretari i përgjithshëm të Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, gjatë fjalës së tij akuzoi qeverisjen demokratike se ajo nuk përfaqëson ëndrrën shqiptare të vitit 1990. “Pas 15 vitesh e gjej veten në të njëjtin udhëkryq, pas 22 vitesh më duhet të them të njëjtat fjalë vetëm se partia ndryshon. Ne mbetemi me të njëjtin mentalitet, në të njëjtin udhëkryq. Ajo që dallon sot është fakti se qytetarët nuk kanë më optimizëm apo shpresë dhe t’u vrasësh qytetarëve shpresën është dëmi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie. Dëmi i madh do të mbetet për disa vite. Unë kam dhënë kontributin tim dhe s’jam penduar”, – u shpreh Oketa.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency