Festivali i Verës Basha: Po konsolidojmë traditën

0
177

“Në Tiranë po konsolidohet tradita e Festivalit të Verës”, – tha Lulzim Basha gjatë këtij aktiviteti të çelur në pedonalen e kryeqytetit. Basha tha se kjo traditë do të shtrihet anë e mbanë qytetit, ndërsa ftoi qytetarët të kenë në koleksionin e tyre një verë të blerë në 100-vjetorin e pavarësisë. “Është një kënaqësi e veçantë, pasi kjo jo vetëm pasuron shumëllojshmërinë e aktiviteteve, të cilat kryeqyteti u ofron jo vetëm qytetarëve të vet por qytetarëve nga gjithë Shqipëria, por po kështu fillon të konsolidojë një traditë, të cilën ne duam të shihet e përsëritur, jo vetëm tek pedonalja “Murat Toptani” por anembanë qytetit të Tiranës. Ne duam që mundësia për të shijuar, provuar dhe blerë verë shqiptare, të kthehet në një ritual të përvitshëm për qytetarët e Tiranës”, – tha Basha. Aktiviteti është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, ku ditën e sotme u ndanë edhe tre çmimet, ajo për verën e kuqe, për verën e bardhë dhe atë të stazhionuar. Në festival morën pjesë 28 kantina, dy prej të cilave kosovare. Ndërkohë, qytetarët e Mitrovicës e kanë cilësuar Monumentin e Shqiponjës si dhuratën më unike dhe më të çmuar që ka mundur të bëhet për Mitrovicën e të cilën e ka dhuruar kryetari i Tiranës, Lulzim Basha, në kuadër të 100-vjetorit të Shqipërisë. “Shqiponja” është vendosur në krah të shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletini në Mitrovicë, që është zbuluar para pak ditësh. Numri një i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka falënderuar kryebashkiakun Basha për dhuratën tepër të veçantë që ka bërë ai për qytetarët mitrovicas. “Shpreh falënderimin tim më të sinqertë për këtë dhuratë dhe për angazhimin personal të kryetarit Basha për sjelljen dhe vendosjen e Monumentit të Shqiponjës në Mitrovicë”, – ka thënë Kastrati.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency