Berisha dhe çështja kombëtare

0

Çelo Hoxha

Loading...

Festimet për 100-vjetorin e pavarësisë ishin referendum për bashkimin e shqiptarëve në shtet të vetëm. Qindra mijëra qytetarët, të cilët mbushën sheshet gjatë aktiviteteve të zhvilluara më 27 dhe 28 nëntor, në Vlorë e në Tiranë, kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan për të treguar lidhjen e tyre shpirtërore me flamurin kuqezi, simbolin kryesor të shtetit shqiptar.

Kryeministri Sali Berisha e rroku momentin dhe ia lehtësoi vetes punën për zgjedhjet e ardhshme elektorale, por më e rëndësishmja: i siguroi vetes një vend dinjitoz në radhën e burrave të shquar të Shqipërisë. Vizioni pragmatist në politikën e ditës në Shqipëri mund të të sigurojë privilegje të përkohshme, edhe në formën e pushtetit të pakufishëm, por nuk mjafton për t’u përmendur me respekt nga historia. Një shqiptar i madh nuk mund të jetë ai që nuk përqafon kauzën e madhe të kombit shqiptar, e cila për një shekull ka qenë bashkimi kombëtar në një shtet të vetëm. Kjo ka qenë çështja themelore e shqiptarëve, edhe kur është lënë në hije.

Deklarata e zotit Berisha, e bërë në Vlorë, në të cilën u përmendën si pjesë e Shqipërisë etnike Preveza dhe Presheva, ishte befasuese për të gjithë, përfshi edhe mua dhe miqtë e mi, që kemi qenë në vazhdimësi mbrojtës dhe promovues të kësaj ideje. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se zoti Berisha do të arrinte të artikulonte një gjë të tillë, duke pasur parasysh që ai e ka pasur shumë të vështirë të përmendë Mid’hat Frashërin, prijësin historik të idesë së Shqipërisë etnike.

Zoti Berisha nuk u mjaftua vetëm me Vlorën. Në 29 nëntor, gjatë ceremonisë së emërtimit të një rruge të Tiranës me emrin e ministrit të Jashtëm austro-hungarez të vitit 1912, Kontit Leopold Bertold, zoti Berisha u shpreh: “Konti Bertold, qeveria dhe vendi i tij, Perandoria Austro-Hungareze, prej vitesh ishin përcaktuar për Shqipërinë etnike, Shqipërinë e trojeve shqiptare, ku banonin shqiptarët, Shqipërinë e 67 mijë kilometrave katrorë, vend kryesor në gadishullin e Ballkanit, në pjesën jugperëndimore të tij”.

Në një takim me të rinjtë në Akademinë e Arteve dje, zoti Berisha foli sërish për çështjen kombëtare, për programet shfarosëse të fqinjëve ndaj racës shqiptare, për sakrificat që iu janë dashur shqiptarëve të përjetojnë në mbrojtje të vendit të tyre.

Deklarata e Berishës nuk u prit mirë në Athinë dhe kjo ishte e pritshme. Athina është mësuar të kërkojë mirëkuptim nga të tjerët, me kushtin që fqinjët të kërkojnë dhe të bëjnë vetëm gjëra që i vinë për shtat asaj dhe jo interesave të tyre.

Kjo është rruga e gabuar për të siguruar një paqe afatgjatë. Nga 1912 e deri sot nuk ka kaluar shumë kohë, një shekull është shumë pak në historinë e kombeve. Dokumentet britanike të zbuluara së fundi nga historianët shqiptarë hedhin dritë mbi masakrën që fuqitë e mëdha bënë ndaj trojeve dhe popullit shqiptar, në interes të Greqisë dhe Serbisë. Madje, në raportet e komisionarëve të tyre është e shkruar qartë, në mënyrë alarmuese, se po u linin vendeve fqinje vendbanime që ishin tërësisht shqiptare. Shqipëria ishte shumë e brishtë t’u imponohej. Masakra kundër trojeve shqiptare kishte nisur që në 1878: kur shqiptarët rezistuan dhe i mbrojtën territoret që sot janë në Malin e Zi, meqenëse malazezët nuk i merrnin dot, atëherë erdhi në detin Adriatik flota e fuqive të mëdha. Kështu ra Ulqini në duart e fqinjëve, e kështu ranë në duart e fqinjëve të tjerë shumë territore të tjera më vonë.

Shqiptarët s’kanë bërë kurrë një luftë agresore ndaj fqinjëve. Shqiptarët s’kanë kryer asnjë lloj masakre ndaj ndonjë pakice tjetër në vendin e tyre, kurse fqinjët e tyre, në jug dhe në veri, kanë kryer akte gjenocidi ndaj shqiptarëve dhe hebrenjve të ngjashëm me gjenocidin nazist.

Zgjidhja e çështjes shqiptare është një kontribut për një paqe afatgjatë në rajon, e mbështetur mbi bazën e të drejtës dhe jo të forcës.

 

Loading...