ANTA vlerësohet me 6 standarde ndërkombëtare

0

Blendi Hasani

Loading...

Olldashi e Haxhinasto: Eshtë zhvillimi më historik për aviacionin civil shqiptar

Është zhvilluar dje ceremonia e certifikimit të Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror nga kompania e njohur Quality Austria. Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror merr këtë vlerësim të lartë sipas standardeve dhe kërkesave të Komisionit Evropian për një Qiell të Vetëm Evropian si dhe Pesë Standardeve të Sistemit të Integruar të Cilësisë ISO. Ky certifikim vjen menjëherë pas përfundimit të Projektit të Modernizimit të Hapësirës Ajrore Shqiptare dhe është kurorëzimi i punës dhe impenjimit maksimal të punonjësve të ANTA sh.a, në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë Quality Austria, CIS dhe Q-Plan. Arritja e këtij suksesi dëshmon dhe një herë për një politikë largpamëse të investimeve në ANTA sh.a, gjithmonë te lidhura dhe në funksion të realizimit të sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve në drejtim të Sigurisë dhe Cilësisë së Shërbimit.

ANTA është i pari institucion shqiptar, dhe nga të paktët në botë, i cili certifikohet njëherazi për 6 standarde ndërkombëtare.

Certifikimit të këtyre standardeve i është shtuar edhe çmimi i artë i Kurorës për Cilësinë, marrë nga ANTA në datën 24 nëntor 2012, nga Organizata Ndërkombëtare për Identifikimin e Bizneseve, me qendër në Londër. Në ceremoni, zv.kryeministri dhe ministër i METE-s, Edmond Haxhinasto, tha se është një zhvillim shumë historik për transportin ajror të Republikës së Shqipërisë, atë të certifikimit të ANTA-s nga Quality Austria dhe partnerët e saj. “Festimi i sotëm i qëndron hijshëm në krah festave për kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë. Ky certifikim e bën ANTA-n të jetë pararendësja e zbatimit të standardeve Ndërkombëtare në fushën e transportit ajror, veçanërisht të shërbimeve të kontrollit të trafikut ajror. ANTA, gjatë këtyre viteve, ka përjetuar një zhvillim të madh, si në drejtim të investimeve, që i kanë shërbyer modernizimit të shërbimeve të trafikut ajror, ashtu dhe në drejtim të arritjes së standardeve ndërkombëtare. ANTA përbën modelin më të mirë të një sipërmarrjeje shtetërore, që realizon shërbime me standarde dhe veçanërisht me siguri dhe cilësi të lartë, e kjo na bën ne të ndihemi krenarë për arritjet e kësaj shoqërie”, – theksoi Haxhinasto.

Certifikimi, sipas këtyre standardeve ndërkombëtare, e vendos ANTA-n si një nga shërbimet në pararojë të integrimit në Evropë.

Në aktivitetin e organizuar me këtë rast, ministri i Transporteve Sokol Olldashi tha: “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua, si ministër i transporteve të marr pjesë sot, në këtë ceremoni, që është vendosja e qershive mbi një tortë të bërë me shumë kujdes, për vite e vite me radhë. Është kënaqësi, sepse kurorëzohet një ecuri tredimensionale e punës së Agjencisë Kombëtare të Trafikut Ajror. Investimet që ne kemi bërë në infrastrukturë, përmirësimet cilësore të shërbimeve dhe certifikatat e sigurisë, bashkuar me to, investimi shumë i madh që është bërë në kapacitet njerëzore të Agjencisë. Në këtë pikëpamje duke parë investimet në infrastrukturë, përmirësimin e shërbimeve dhe burimeve njerëzore, besoj se janë tre elemente që e bëjnë ANTA-n një shembull unik në Shqipëri. Brenda një harku kohor shume të shkurtër, tre apo katërvjeçarë ka bërë një transformim rrënjësor, pozitiv për të mbërritur këtu ku jemi sot, dhe që kurorëzohet me marrjen e këtyre certifikatave nga një institucion prestigjioz siç është Quality Austria”, – theksoi Olldashi.

Nga ana e tij, Viktor Seitschek, i Quality Austria, tha se deri në auditin tjetër ka gjëra që duhet të korrigjohen “dhe unë jam i bindur që me kapacitet që ANTA ka, me mënyrën e drejtimit që ajo ka dhe duke qenë shumë i vetëdijshëm edhe për insistencën që tregon drejtori i ANTA-s, Petrit Sulaj, në të gjitha këto gjëra, jam i bindur që kjo do të arrihet brenda një viti, jam shumë optimist për këtë”.

Nga ana tjetër, kjo arritje shumë e rëndësishme e ANTA-s është një hap i ndërmjetëm për industrinë e aviacionit në tërësi në Shqipëri dhe do të ishte e paplotë në qoftë se nuk shoqërohet me përmirësime me po kaq rrënjësore në Autoriteti i Aviacionit Civil, arritjet e fundit të Autoritet të Aviacionit Civil i bashkëngjiten, janë tregues i një përmirësimi të gjithanshëm. Nga ana tjetër kemi një aktor të tretë, që nuk është një aktor shtetëror por është një aktor privat, dhe ky është aeroporti “Nënë Tereza” i cili gjithashtu përbën një infrastrukturë shërbimesh shumë pozitive, shumë moderne dhe tërësisht të standardeve.

 

 

TABELE

Certifikimet e dhëna dje për ANTA-n

ISO 9001:2008 për Menaxhimin e Cilësisë,

ISO 14001:2004 për Mjedisin

ISO 18001:2007 për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë

ISO 20000:2011 për Menaxhimin e Shërbimeve

ISO 27001:2005 për Sigurinë e Informacionit

Çmimi i ARTE i Kurorës për Cilësinë, marrë nga ANTA në datën 24 nëntor 2012

 

Loading...